Shkëmbi tregon Kosovën: Titullin e vjetshëm me Skënderbeun e fituam me djersë

0
143

Pas një eksperience të shkurtër si ndihmëstrajner i Kombëtares U-17, Bledi Shkëmbi ka vazhduar aventurën e tij të parë si trajner me ekipin e Lirisë në Kosovë. Ish-kapiteni legjendar i Skënderbeut në një intervistë të dhënë për portalin tonë “eduasportin.com” tregon se çfarë e shtyu të zgjidhte klubin prizrenali. Ndër të tjera, 37-vjeçari ka komentuar edhe heqjen e titullit të fundit që mesfushori ka ngritur me korçarët.

 

Intervista

Për herë të parë keni marrë drejtimin e një ekipi në një kampionat. Si ju duket përvoja si trajner i ri?

Pas një jave stërvitjeje nuk mund të them seështë përvojë, por patjetër që është një ndjesi shumë ndryshe nga ajo si lojtar, pasi po e shijoj në maksimum. Në të njëjtën kohë jam dhe shumë i preokupuar që gjithçka ta nis mirë.

Përse e pranuat ofertën e Lirisë?

E para, sepse doja të filloja të punoja dhe, e dyta, sepse më bindi dëshira dhe serioziteti i drejtuesve të Lirisë.

Po ambientoheni te Liria?

Sigurisht. Po ambientohem gradualisht, pasi me të vërtetë kam gjetur një mbështetje të madhe nga kryesia e klubit, por edhe nga qyteti.

Si ju kanë pritur? Ju pëlqen Prizreni?

Siç ju thashë ndihem i mikpritur nga të gjithë, padyshim. Qyteti është shumë i bukur dhe natyrisht që më pëlqen.

Sa mendoni se ju ka shërbyer eksperienca si zëvendëstrajner te Kombëtarja U-17?

Mendoj se më ka shërbyer shumë. Së pari, pata fatin të punoj si zëvendëstrajner në një ekip kombëtar, gjë që për mua është nder dhe ëndërr. Së dyti, kisha mundësinë të mësoja nga një trajner me eksperiencë të madhe që më ka ndihmuar shumësi Xhemal Mustadenagic.

Ku mendoni se ndryshon kampionati ynë me atë të Kosovës?

Mendoj se kampionati shqiptar është më lart, kjo nuk diskutohet, pasi klubet deri diku janë më profesioniste. Kam besim seedhe kampionati kosovar shumë shpejt do të arrijë të jetë në një nivel shumë të mirë, pasi gradualisht ka nisur të rritet dhe kjo është pozitive për futbollin këtu.

Është kohë merkatoje, keni spikatur ndonjë lojtar për ta afruar në skuadër?

Kemi afruar disa lojtarë deri tani. Synimi im është që të afroj disa lojtarë nga kampionati shqiptar. Sefa,i cili tashmë ka firmosur, dhe Vrapi.

Cilin nga lojtarët e Skënderbeut do të donit ta merrnit te Liria?

Nga Skënderbeu do të doja shumë të kisha në skuadër ndonjërin prej tyre, por ata janë tjetër nivel (qesh). Nga ekipi i të rinjve kam afruar Koten.

Cilët janë objektivat e klubit për sezonin e ri?

Objektivat do t’i vendosim në bazë tëlojtarëve që do të afrojmë në skuadër.

A jeni edhe ju i mendimit për një Ligë të përbashkët?

Patjetër! Pse jo? Do të ishte ndryshe, mbase akoma më i fortë dhe i bukur kampionati.

Ku ka më shumë talente, në Shqipëri apo Kosovë?

Në fakt është e vështirë ta thuash, pasi që të dyja rrisin talente… Shpresoj që të ketë sa më shumë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Si e komentoni vendimin për heqjen e titullit të Skënderbeut?

Nuk i kam dhënë shumë rëndësi sepse ne atë titull e kemi fituar me djersë. Në letër mund të na e heqin të gjithë, por pak rëndësi ka. Skënderbeu ndryshoi nivelin e kampionatit shqiptar, kjo është më e rëndësishmja.

Si i keni marrëdhëniet me stafin e Skënderbeut?

Kam marrëdhënie normale.

Cili është “meraku” që ju ka mbetur nga karriera si futbollist?

Nuk kam asnjë merak. Besoj se kam qenë me fat që i kam arritur të gjitha çfarë kam dashur dhe jam i lumtur për këtë.

Keni vendosur të shpërnguleni me familjen në Prizren?

Si fillim jo, më pas do të shohim.


Intervistoi: Eva Marku

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here