Ishte folur prej disa ditësh që ish-Parku i Autobusëve pranë Policisë Bashkiake në Tiranë do kthehej nga një hapësirë çlodhëse publike në një kantier ndërtimi dhe më pas në një bllok pallatesh.
Para disa javësh JOQ zhvilloi një video-live në këtë zonë ku pyetëm njerëz nëse ishin në dijeni të ndërtimit të pallateve në park dhe thuajse të gjithë e dinin nën zë se diçka ziente tashmë dhe përgjigja e disave ishte “I ka dalë pronari parkut tani, çfarë të bëjmë”.
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, tashmë nuk është më lali Eri, por lali leku që arrin t’i gjejë pronar çdo hapësire publike në kryeqytet, ashtu siç veproi me lulishten në hyrje të bllokut të ambasadave që e ktheu në hapësirë që i shërben hotelit aty pranë. Kjo është “vepra” e fundit e e tij, e një kryetari që ka ardhur me premtimin “zero leje ndërtimi”.
Arsyeja pse ish-Parku i Autobusëve u rrethua vetëm sot, 4 ditë pas zgjedhjeve, është se lali Leku ishte shumë aktiv në fushatën elektorale dhe nuk mund të dëmtonte një hapësirë publike gjatë fushatës sepse do humbiste gjithë votat e atyre familjarëve që dalin (dilnin) çdo pasdite në park me fëmijët dhe nipërit e tyre.
Por Erion Veliaj dhe Rilindja nuk mund të thonë më se “Ju na zgjodhët”, sepse populli nuk i zgjodhi për të zhdukur publiken, askush nuk e ka përmendur gjatë fushatës shkatërrimin e këtij parku, të vetmin në këtë zonë që edhe pse në kushte të mjerueshme sepse nuk mirëmbahej nga Bashkia, sërish ishte një alternativë më e mirë se sa një bllok pallatesh që të zënë frymën dhe diellin.
Pushime të mbara qytetarë në Tiranës dhe mbarë vendit!