Ish-kreu i LSI-së, Ilir Meta ka lëshuar një deklaratë ‘bombë’ ndërsa nuk ka nguruar të kërcënojë publikisht kryeministrin Edi Rama, nëse ky i fundit cënon qoftë edhe një votë të vetme të shqiptarëve.
Presidenti i zgjedhur i Republikës pohoi se, nëse kreu i qeverisë tenton të prekë qoftë edhe një votë, s’do ketë vrimë ku të futet.
“Jo një mandat të preket, jo as një votë. Nëse preket një votë, do ju jap fjalën e shqiptarit, fjalën e malësorit, fjalën e skraparliut, s’do ketë më vrimë për Edi Ramën. S’do ketë vrimë për shefat e policisë së antidrogës. Askush nuk do vërë dorë mbi shqiptaret. Ka ardhur ora që ta fillojmë vettingun në 25 qershor me kreun e Rilindjes.”, tha Meta.
Presidenti i zgjedhur, tha se nuk iu trembet deklaratave që bëjnë për të se kërcënon si Ivanovi ndërsa shtoi se ka për qëllim të mos lejojë të merren peng, nga një bandë e droguar të rinjtë e këtij vendi.
Më thonë se kërcënon si Ivanovi, por unë ju them se nuk jam si Ivanovi, as Edi Rama as Lulushi, për mua s’ka gjë më të rëndësishme, se e ardhmja e fëmijëve shqiptarë. Unë nuk i lë peng fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi, në duart e një bande të droguar”,- shtoi ai.