Nis procesi zgjedhor në Kosovë, votojnë 1 milion e 872 mijë qytetarë

0
166

Në Kosovë nisi sot procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në 889 qendrat e votimit, qytetarët nga ora 07:00 deri 19:00 do të votojnë për kandidatët për deputetë dhe tre pretendentët që garojnë për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Në procesin zgjedhor do të votojnë mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote nga të cilët 155 mijë janë votues të rinj. Në këto zgjedhje marrin pjesë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera. Gjithsej 29.264 vëzhgues janë akreditur për zgjedhjet e parakohshme paralamentare.

Në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me anë të një mocioni mosbesimi të propozuar nga opozita dhe me votat edhe të grupit parlamentar të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës PDK-së, u rrëzua qeveria e Kosovës.

Në Kosovë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 janë të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, ndërsa zhvillohen tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014, që ishin po ashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit. Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001. Pavarësia e Kosovës e shpallur në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here