Qyteti turbokapitalist dhe “diferencimi social”…

Nga Gëzim Tushi 

Në jetën e përditshme urbane, zhvillimet sociale dhe në strukturën funksionuese të qyteteve tona, tashmë për shkak të ndikimeve eruptive të modaliteteve të postmodernitetit është fare evident procesi i dobësimit të gjithë mekanizmave të vjetër të ndërtimit të natyrës sociale e marrëdhënieve tradicionale të jetës urbane në Shqipëri. Në të gjithë aspektet dhe komponentët themelorë të jetës së sotme, duket qartë se jeta të gjithë përbërësist e jetës urbane janë nën ndikimin e fortë e turbulent të ndryshimeve urbane dhe proceseve të përshpejtuara të ndikuara prej natyrës turbokapitaliste të jetës dhe përballjes me pasojat e tij në shoqërinë tonë. Kudo në qytetet shqiptare metropolitan, në mënyrën si funksionon jeta urbane dhe si kanë filluar të rindërtohen marrëdhëniet midis qytetarëve, është evident fenomeni i tronditjes së thellë të parimeve dhe normave të socialitetit dhe sociabilitetit që kanë sjellë në mënyrë të pashmangshme dobësimin dhe humbjen e “rripave” të dikurshëm tradicional të ndërtimit dhe funksionimit të humanizmit, solidaritetit, sigurimit social, mënyrës kolektiviste të jetës.  Këto ndryshime madhore në natyrën e jetës sociale, kanë bërë që jeta në qytetet tona të jetë e përmbytur nga njerëz që përpiqen, duan të përshtaten dhe adoptohen me imperativin e jetës postmoderne, ndërtimin e jetës personale sipas modelit dhe kërkesave të funksionimit të shpejtë të qytetit të dehumanizuar, desëolidarizuar për shkak të natyrës thelbësisht turbokapitaliste. Një model qyteti që determinon forma të reja të lidhjeve sociale e marrëdhënieve personale midis qytetarëve. Ky lloj “Qyteti Turbaokapitalist” që është në formësim e sipër, bazohet jo aq shumë në lidhje sociale të forta apo marrëdhënie të humanizuara midis qytetarëve të qytetit, por në përhapjen e standartit të ri të natyrës së jetës postmoderne, të jetës së qytetarit individualist me mënyrë jetese të qartësisht të personalizuar.

Në këto kushte diferenca dhe diferencimet midis individëve dhe grupeve sociale që bashkëjetojnë në qytet, kanë filluar të shfaqen dukshëm, të shoqëruara me një varg problemesh që e bëjnë shqetësuese dhe problematike jetën e sotme urbane. Qytetet tona tashmë kanë filluar të ndjejnë peshën e njerëzve dhe grupeve sociale, që kanë probleme të natyrave të ndryshme qoftë me veten apo edhe shoqërinë. Të cilat kanë filluar të ndihen fort dhe diktojnë situatën kur njerëzit që jetojnë në të njëjtin qytet, shpesh ndihen individualisht keq, të pafuqishëm nga ana individuale, të pambështetur nga pikëpamja sociale në përpjekjet e tyre herë të pamjaftueshme dhe herë të dështuara për t’u përshtatur me kërkesat e reja sociale dhe mënyrën super individuale të jetës.  Ne nuk mund të jemi indiferentë për fenomenet e reja të “turbokapitalizmit urban”, efektet në jetën e përditshme të qytetarit që jeton nëpër qytetet tona. Situata është e tillë, që teorikisht dhe praktikisht si qytetarë na detyron të jemi seriozisht të shqetësuar, për këtë kthesë sociale dhe drejtim të fortë të jetës urbane turbokapitaliste, e cila në shumë aspekte i ka dhënë jetës një lloj “natyre çnjerëzore”, në trajtat e reja si ajo zhvillohet në qytetet shqiptare tashmë me natyrë postmoderne. Këto janë pasoja që reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në jetën e stresuar familjare dhe raportet neurotike sociale.

Në këto kushte qytetet tona nuk mund të jenë në kushte normale, në se ato do vazhdojnë të humbasin standartet e duhura urbane, që janë absolutisht të nevojshme dhe tejet të domosdoshme për të siguruar jetësën dhe mbijetesën urbane normale të qytetarëve. Qoftë në aspektin e sigurimit të kushteve të duhura për jetë materiale por dhe për plotësimin e kërkesave psikologjike, morale e urbane.  Natyra turbokapitaliste e jetës në qytetin postmodern, prirja liberale me mbivlerësimin gati absolut të natyrës së jetës duke patur në qëndër qytetarin e vetmjaftueshëm tejet individualist, e bën të domosdoshme që organizimi i jetës urbane, sidomos qeverisja e qytetit, nuk mund të quhet i plotë dhe human, në se bazohet vetëm në mbivlerësimin e kushteve personale, aftësisë e mundësisë individuale të qytetarit të përveçshëm, të suksesshëm e të vetmjaftueshëm. Përkundarzi situata sociale e zhvillimeve në Shqipëri na ka dhënë mësimin e madh, se një qytet sado modern që të jetë në strukturën dhe infrastrukturën e vet, nuk mund të quhet “Qytet Human”, në se njëkohësisht nuk krijon një “dispozitiv social” ndihme e solidariteti për njerëzit e margjinalizuar, apo për ata që janë me nevoja të veçanta, e që për arsye të natyrave të ndryshme personale apo sociale nuk mund të plotësojnë nevojat bazë, kërkesat e natyrshme me forcat dhe mundësitë e tyre.

Në këto kushte është e nevojshme që mënyrës anarkike të zgjerimit të qyteteve tona, duhet tu përgjigjemi me programe intensive zhvillimi e urbanizimi, në mënyrë që ato të zhvillohen në mënyrë harmonike, të krijojnë kushtet e duhura për të plotësuar nevojat e njerëzve për arsim, zhvillim, mirëqenie, autonomi, solidaritet dhe siguri sociale. Kjo do të thotë që qytetet tona tashmë pas zgjerimit kaotik dhe ekstensiv të territorit urban, kanë nevojë të riorganizohen, të kalojnë në drejtimin e duhur të zhvillimit urban, si mënyrë për të prodhuar më shumë kohezion e kapital social, humanizëm e solidaritet njerëzor aq shumë të domosdoshëm për të përballuar sulmin një lloj jete urbane vetanake me natyrë çnjerëzore. Nuk ka nevojë për shumë koment analiza e situatës sociale në jetën e sotme të qyteteve tona. Individualizimi i jetës po shoqërohet me një lloj anonimizimi të lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale midis qytetarëve. Për pasojë “Thelbi komunitar i qytetit është duke u fshirë mendërisht nga mendimi dhe ndjeshmëria njerëzore”. (Edgar Morin, “Rruga për të ardhmen e njerëzimit”, f. 65-66)

Rikompozimi jetës urbane dhe diferencimi social

Në një qytet normal, social dhe human, tregues të funksionimit normal nuk janë vetëm “zonat e luksit”, vende e rajone ku banojnë në mirëqënie një pjesë e popullsisë, por janë edhe zonat e varfra periurbane, njerëzit që nuk kanë kushte normale dhe që për pasojë jetojnë në varfëri. Për dinjitetin e qytetit dhe vlerën e jetës urbane, nuk janë vetëm blloqet e urbanizuara por dhe lagjet që për shkak të mungesës së kushteve urbane, standarteve të mirëqenies janë duke degraduar në nivelin e “lagjeve të vesit”, ku zakonisht dhe përgjithësisht lulëzojnë shumë anomali sociale si krimi, vrasja, prostitucioni, dhuna, droga, shfrytëzimi fëmijëve, etj.  Lagje që dallojnë nga niveli i ulët i mirëqenies materiale, diferencimi i dukshëm urban, dallimi i kushteve sociale, dhe që për këtë arsye banorët e tyre mbeten ekonomikisht të diferencuar dhe nga pikëpamja sociale dhe urbane me statusin e njeriut të margjinalizuar.

Është krejt positive dhe në logjikën e zhvillimeve urbane postmoderne, që tashmë edhe qytetet shqiptare kanë filluar të jenë nën ethet e një ristrukturimi të brendshëm të strukturës demografike dhe përbërjes sociale. Kjo është shoqëruar me mënyra të reja të riorganizimit të jetës urbane, rikrijimit të strukturës dhe infrastrukturës së lagjeve ku jetojnë shtresat e ndryshme të popullsisë së qytetit. Që tashmë janë duke përjetuar një proces të diferencimit të jetës urbane, për shkak të diferencimit pasuror e kulturor.  Kjo tendencë ristrukturimi është e shoqëruar me një proces “homogjenizimi” demografik, një lloj rigrupimi të popullsive në lagje të diversifikuara me qytetarë të dalluar nga statusi i tyre social, kulturor e pasuror. Praktikisht tashmë në Tiranë dhe qytetet kryesore të Shqipëris,ë kanë filluar të strukturohen regione, lagje të veçanta të diversifikuara sipas nivelit të statusit social, kulturor e pasuror të banorëve. Kjo ka bërë që të dallohen lehtë “lagjet e luksit”, zonat super të urbanizuara, nga lagjet periferike, ku duket qartë varfëria, shfaqja e tipareve standarte të lagjeve ku ndihet qartë lulëzimi i veseve sociale. Zonat me urbanizëm të koncentruar ku jetojnë qytetarë nga klasa e mesme e lart (nëpunës, intelektualë, biznesmenë, politikanë, etj), kanë tashmë një fizionomi të qartë, pozicione urbane të stratifikuara dukshëm, të cilat dallohen nga situata ekonomike, statusi social i zonave periferike e periurbane, ku jetojnë shtresat e varfra dhe “nënklasat” e shoqërisë.

Në një kohë shumë të shkurtër, brenda harkut kohor të tri dekadave të ndryshimeve politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri, ka filluar të shfaqet fenomeni i “Qyteteve të Mbyllur” ndaj publikut dhe të tjerëve. Zona superurbane të cilat janë të rrethuara, super të siguruara nga interferimet e padëshiruara sociale. Në sociologjinë urbane ky fenomen nuk është i ri dhe i panjohur. Në kohën e sotme është tendencë e fortë sociale, diferencimi i banorëve të qytetit sipas nivelit kulturor e statusit pasuror. Kjo ka sjellë zhvillimin e zonave dhe lagjeve të veçuara, që janë të “myllura” dhe tejet të sigurta ndaj faktorëve dhe agjentëve “shqetësues” të jashtëm.  Madje tashmë kanë filluar të shfaqen në këto zona edhe “Muret e Turpit” sikurse me të drejtë sociologët urbanë konsiderojnë rrethimet e bëra rrotull këtyre zonave. Këto mure janë mjeti, që “ndihmon” për të fshehur nivelin e varfërisë dhe shtresat mjerimi i të cilëve është fare evident. Dukuria e “qyteteve të mbyllura” është tashmë një realitet i njohur, i pranuar dhe tregues i faktit që qytetet shqiptare janë bërë me strukturë të larmishme, dhe pasqyrojnë nivelet e njohura të stratifikimit social dhe diferencimit evident të jetës urbane.

Këto zhvillime urbane normale apo të sforcuara kanë në strukturën e jetës dhe mënyrat e sjelljes personale e komportimit social të njeriut. Problemi më serioz i qytetit metropolitan dhe jetës urbane postmoderne, është se në qytetet tona gradualisht vendin e qytetarit human, shoqërisht solidar e të vetpërmbajtur në jetën sociale metropolitane, po e zë qytetari i tensionuar, i angazhuar pa fund me punë, agresiv në sjelljen me të “tjerët”, nevrastenik në familje, etj. Me një fjalë, jeta urbane dhe qyteti metropolitan janë të domunuar nga qytetari i dehumanizuar.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko