Nishani për “DW”: Të anëtarësohemi në BE si kontribues, jo si konsumatorë

0
155

Presidenti i Republikës  Bujar Nishani gjatë vizitës në Berlin dha një intervistë ekskluzive për “Deutsche Welle-n” në të cilën foli për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria është duke u përgatitur të anëtarësohet në të si një kontribuese, jo si konsumatore.

Deutsche Welle: Mirë se keni ardhur Zoti Nishani, President i Republikës së Shqipërisë! Të flasim për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ju aplikuat në vitin 2009, fituat statusin zyrtar të kandidatit në vitin 2014, pse mendoni se përparimi ka qenë i ngadaltë?

 Nishani: Natyrisht që objektivi i të gjithë shqiptarëve për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane, ka rëndësi parësore për të gjithë ne. Pse ka kaluar kaq kohë? Sepse na duhet të përgatitemi, të jemi gati. Sepse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian për shqiptarët përbën një ëndërr, është një objektiv politik, është një përkushtim shoqëror. Nga ana tjetër na duhet të bëhemi gati, të përgatitemi, sepse duam shumë të bëhemi pjesë e kësaj familjeje, por të anëtarësohemi si kontribues, jo si konsumatorë. Kështu që ky është një proces dhe mbi këtë na duhet të mbështetemi. Dhe duke qenë proces, kjo do të thotë që ka disa faza. Dhe fazë pas faze, duke përparuar hap pas hapi, duke përgatitur veten, ne do t’i bindim partnerët tanë që Shqipëria sot është gati për të qenë pjesë e kësaj familjeje dhe që do t’i japë asaj disa kontribute. Së pari, ndihem krenar që një shumicë e madhe e popullit shqiptar reflekton dhe paraqet një vullnet të fuqishëm dhe qëllim për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje, sepse beson shumë në parimet, vlerat dhe civilizimin e kësaj familjeje. Nga ana tjetër, ne jemi tërësisht të angazhuar e të përkushtuar që të përmbushim detyrat dhe përgjegjësitë tona duke punuar së bashku me partnerët e tjerë dhe duke u përgatitur që Shqipëria një ditë të jetë gati për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje.
DW: Pra kjo është një ëndërr, të cilën ju dëshironi ta bëni realitet dhe që e keni marrë seriozisht. Anëtarësimi është i rëndësishëm për Shqipërinë. Por Evropa çfarë fiton në këtë mes

 Nishani: Mendoj se është e nevojshme që shoqëria evropiane të kuptojë pikësëpari se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit i përkasin në mënyrë të natyrshme identitetit evropian. Kjo është tepër e rëndësishme, sepse na duhet të rrisim mirëkuptimin me njëri-tjetrin. Së dyti, mendoj se Evropa duhet ta mbajë gjallë këtë proces – procesin e integrimit evropian për Shqipërinë, dhe jo vetëm për të, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse procesi i integrimit evropian ka qenë, dhe ende është mekanizmi më i mirë për të gjitha vendet dhe kombet në këtë rajon kaq të vështirë, për ripajtim mes tyre, për të arritur begatinë e për të punuar së bashku…

DW: Ju kërkoj ndjesë që po ju ndërpres, por ju po flisni për përfitimet që do të ketë Shqipëria dhe shqiptarët, përfitimet e vendeve fqinje tuajat, çfarë dhe si përfiton Bashkimi Evropian nga anëtarësimi në të i Shqipërisë? Si do t’ia paraqitni e t’i bindni njerëzit në Romë, në Berlin, ose edhe në Greqi, për idenë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Nishani: Po, e drejtë. Është vërtet një pyetje shumë e mirë. Ne duhet ta paraqisim veten, mundësitë tona dhe kontributin tonë gjithashtu, sepse pikërisht për këto arsye e përmenda që duhet të anëtarësohemi si kontribues, dhe jo si konsumatorë. Por çfarë do të thotë si kontribues? Së pari, si territore, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit i përkasin zonës evropiane. Së dyti, na duhet që të punojmë së bashku për kapërcimin e sfidave me të cilat po përballemi në ditët e sotme duke filluar që nga siguria e deri te zhvillimi dhe ekonomia. Vendi im, Shqipëria si dhe vendet e tjera mund të kontribuojnë shumë duke shtuar e rritur shërbimin ndaj sigurisë. Në ditët e sotme, hapësira evropiane po përballet me shumë çështje shqetësuese si terrorizmi, valët e emigracionit të paligjshëm, refugjatët, e gjëra të tilla të ngjashme, ndryshimet klimaterike, varfërinë, kështu që si një krah i zonës evropiane, Ballkani, përfshi edhe vendin tim, Shqipërinë, mund të shërbejnë për të zgjeruar fushën e bashkëpunimit dhe të sigurisë. Me një fjalë, Ballkani dhe vendi im është udhëkryqi më i mirë për shkëmbimin e mallrave dhe bashkëpunimin ekonomik mes Evropës dhe kontinenteve të tjera. Kështu që besoj se ka një mundësi të vërtetë për kontribut nga vendi im dhe te vendet e tjera.

DW: Zoti President Nishani, ju faleminderit që ishit me ne në “Deutsche Welle”!
 Nishani: Shumë faleminderit! Ishte kënaqësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here