Emisioni investigativ BOOM, në RTV Ora News sjell me prova përdorimin e administratës në fushatën zgjedhore. Grupi i xhirimit ishte në qendrën shëndetësore 1 në Lushnje, ku stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama.
Në fakt jashtë orarit të punës kjo është një gjë më se e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese ështe se takimi ishte brenda orarit të punës.
Orari zyrtar i punës në këtë qendër shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00 aty nuk kishte asnjë punonjës.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një urdhër sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit.
Por nga një kërkim të bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës.