Listës së mistereve të pazgjidhura të botës i është bashkangjitur prej kohësh pyetja se çfarë i shtyu njerëzit të zhvillonin monogaminë.
Përgjigje të reja dhe divergjente në lidhje me monogaminë janë ofruar nga dy studime të reja, secili i panjohur me rezultatet e tjetrit, duke qenë se janë publikuar në të njëjtën javë.
Sipas njërit prej studimeve, primatët janë monogamë, ndaj meshkujt e paçiftëzuar nuk i vrasin fëmijët e tyre. Sipas tjetrit, kafshët janë monogamë, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë sesi ata mund të ruanin partnerët dhe rrjedhimisht edhe të drejtat e tyre të mbarështimit.
Monogamia, siç mund ta përkufizojnë disa, është e panatyrshme. Shumë pak specie e praktikojnë atë, me përjashtim të zogjve. Monogamia sociale, një marrëveshje në të cilën dy krijesa çiftëzohen dhe punojnë së bashku për të arritur nevojat e tyre bazë, është veçanërisht e panatyrshme mes shpezëve gjakftohtë.
Vetëm 5 për qind e 4000 specieve mamale në tokë jetojnë me vetëm një partner. Këtu përfshihen ujqërit, kastorët dhe lakuriqët e natës.
Meqenëse çiftëzimi me vetëm një femër në një periudhë të caktuar kohore, ka si qëllim të ulë shanset e një mashkulli për prodhimin e sa më shumë pasardhësve, çfarë të mire evolucionare mund të sjellë monogamia?
Një arsye e monogamisë, sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Shkencave në Amerikë, është se meshkujt qëndrojnë me një femër për të qenë të sigurt që të vegjlit e tyre nuk do të vriten nga të tjerë meshkuj.
Lindja e fëmijës dhe sigurimi se ai do të mbijetojë dhe do të vazhdojnë riprodhimin e gjeneve që mban, janë dy gjëra të ndryshme.
Bazuar në sjelljet prindërore, të mbledhura nga 230 primatë të ndryshëm për shtatë breza, kërkuesit arritën në përfundim që burrat filluan të balanconin nevojën për të shpërndarë gjene dhe nevojën për të mbrojtur të vegjlit nga sulmet e të tjerëve.
Sulmuesit duhej të vrisnin të vegjlit në mënyrë që të mund të kishin të bënin me nënën e tyre, e cila do ta vononte ngjizjen e një pasardhësi tjetër nëse fëmijët e vrarë do të ishin në fazën e ushqimit me gji.
Që këto gjëra të mos ndodhin, babai qëndron rreth fëmijëve të tij, në mënyrë që t’i sigurojë mjedisin e duhur për të vazhduar tejçimin e gjeneve të tij. Kështu edhe nëna do të vazhdojë të lindë pasardhës të tjerë, nëse mashkulli kujdeset që fëmijët e vegjël të rriten.
“Kjo është hera e parë që teoritë e evolucionit të monogamisë janë testuar sistematikisht, duke treguar përfundimisht që është vrasja e foshnjave ajo që ka çuar drejt monogamisë”, shprehet Kristofer Opie, një kërkues në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Londrës.
Një tjetër studim i publikuar në revistën “Science”, përdori një lloj të ngjashëm analize, por duke përdorur më shumë specie, rreth 2500 mamalë ose thënë ndryshe gjysmën e specieve që njohim.
Autorët nga Universiteti i Kembrixhit, zbuluan se nuk kishte asnjë lidhje mes vrasjes së të vegjëlve dhe monogamisë.
“Monogamia zhvillohet në vendet ku femrat jetojnë me përqendrim të ulët”, thotë Lukas, një nga autorët e studimit. Meshkujt nuk mund t’i shmangin rivalët e tyre që mund t’ua rrëmbejnë femrat, sepse këto të fundit janë shumë të shpërndara.
Për këtë arsye, ata qëndrojnë duke ruajtur vetëm një femër. Për më tepër ata nuk mund të sigurojnë nëse pasardhësit që femra mbart janë të tyret, ndaj për të qenë të sigurt qëndrojnë me një partnere.
Studimi i publikuar në “Science”, vëren se në speciet mamale që janë monogame, femrat tentojnë të jenë të vetmuara dhe të patolerueshme kundrejt femrave të tjera.
Të dyja studimet mbështesin idenë se teoria e mëparshme, sipas së cilës monogamia është zhvilluar sepse meshkujt duan të rrisin të vegjlit e tyre, ka shumë pak gjasa të jetë e vërtetë.
Te njerëzit, studimi i Agjencisë Kombëtare të Shkencës duket më i sigurt. Njerëzit kanë tru më të madh, të vegjlit e njeriut kërkojnë më shumë kohë për t’u formuar dhe janë të dobët për më shumë kohë.
Për këtë arsye, meshkujt duhet të qëndrojnë më shumë me familjen dhe të mbrojnë femrat derisa fëmijët të rriten dhe ta sigurojnë transmetimin e gjeneve.
Monogamia te njerëzit, duket se ka ardhur prej shijes së fituar dhe aftësive të mësuara. Mbetet pyetja se cila është kostoja e mësimit të monogamisë.