Përplasjet/ Basha: 7 maji, ataku kardiak i Republikës së vjetër, Rama: Po s’hytë, PD kujtim i së kaluarës

0
266

Nga 18 qershori mos paguani më taksa

Basha: 7 maji do të jetë data e atakut kardiak të republikës së vjetër, në 19 qershor çdo gjë do jetë nul

“Në shkelje të Kodit Zgjedhor, KQZ, kjo vegël e pavlerë e republikës së vjetër i pranoi me 24 orë vonesë, në thyerje të Kodit zgjedhor, listat e turpit, të pazarit të peshkut, të Edi Ramës”

Në një bashkëbisedim më qytetarët e Kavajës në çadrën e lirisë, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se 7 maji do të jetë data e atakut kardiak për Republikën e vjetër. Duke iu referuar zgjedhjeve për bashkinë e Kavajës, Basha tha se në 7 maj qytetarët e bashkuar do të pamundësojnë zgjedhjet farsë dhe votimin e diktuar nga krimi. “ Data 7 maj do të jetë data e atakut kardiak total të republikës së vjetër. Me 7 maj, në kryeqytetin e lirisë dhe të demokracisë, në Kavajën e fisnikërisë dhe të burrave dhe të grave trime, që u ngritën të parët – askush nuk e harron, te gjithë ju jemi mirënjohës – Kavaja është në këmbë, Kavaja është e vendosur. Por ndryshe nga 11 korriku i vitit 1990, që është shkruar me gërma të arta në historinë e demokracisë, më 7 maj Kavaja nuk do të jetë vetëm, e gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën. Qindra mijë shqiptarë të ndershëm, që do të bashkohen në Kavajë me datën 7 maj, në një bashkim gjigand dhe të paparë ne 27 vite pluralizëm, se bashku me mijëra banorë të Kavajës dhe në ballë me rininë e Kavajës, do të pamundësojnë zgjedhjet farsë, votimin farsë të diktuar nga krimi,” – theksoi shefi i selisë blu. Lideri demokrat u bëri thirrje qytetarëve që e ndjejnë veten pjesë të Republikës së Re mos të paguajnë taksa pas datës 18 qershor, nëse mazhoranca nuk tërhiqet nga plani për të regjistruar pluralizmin. “Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjesuar pluralizmin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, parlamentin fasadë që do të pjellë ekonominë fasadë, me papunësi, mjerim dhe vuajtje pas asaj fasade, nëse kjo ndodh, atëherë me 18 Qershor, në mesnate, kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër për Republikën e Re do të jenë të pavlefshme, di të jenë nul dhe void, dhe me 19 Qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar, që e ndjen veten pjesë të Republikës së Re, nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër,” – deklaroi ai.

Qëndrimi 

Duke u ndalur tek dorëzimi i listave me kandidatë nga PS, LSI, PDIU dhe disa parti të vogla, Basha e cilësoi këtë si pazarin e fundit të Republikës së Vjetër. Kryeopozitari tha se KQZ pranoi listat e kandidatëve në shkelje të kodit zgjedhor, me 24 orë vonesë. “Mbrëmë në orët e mesnatës u luajt pazari i fundit i republikës së vjetër. Ky Pazar, tregon edhe një herë para shqiptarëve, se sa poshtë ka rënë demokracia shqiptare. Dje, një grusht partish të pushtetit, anëtare të pazarit të peshkut që është qelbur nga koka, dhe një grusht parazitësh, të cilët janë paguar me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit për të bërë fasadën e kupolës kriminale te republikës së vjetër, nxituan, në shkelje totale të ligjit elektoral, të paraqisnin listat e turpit pranë KQZ-së.Në shkelje të Kodit Zgjedhor, KQZ, kjo vegël e pavlerë e republikës së vjetër që synon të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, i pranoi me 24 orë vonesë, në thyerje të Kodit zgjedhor, listat e turpit, të pazarit të peshkut, të Edi Ramës, të Ilir Metës, të Shpëtim Idrizit, dhe të një tufe mercenarësh të kësaj tresheje grabitqare të republikës së vjetër,” –  u shpreh lideri i opozitës. Basha iu drejtua edhe Ben Blushit dhe Bamit Topit, duke thënë se partitë e tyre janë kthyer në parti – organizata të institucioneve publike.


Shënimi i kryeministrit

Rama: Kanë mbetur 48 orë nëse PD do vendosë të shpëtojë apo të vetëshkatërrohet

“Mbetem natyrisht i gatshëm ta pres kryetarin e PD-së në çdo moment, për të negociuar rikthimin e partisë së tij në fushën e betejës demokratike të 18 qershorit. Përndryshe Partia Demokratike kështu siç e njohim, do të jetë më shpejt se vonë një kujtim i së kaluarës”

Megjithëse opozita e ka bërë të qartë që nuk do të hyjë në zgjedhje pa krijimin e një qeverie teknike,kryeministri Edi Rama i kujtoi ditën e djeshme Partisë Demokratike se ka ende 48 orë për të marrë kthesën e shpëtimit. Ai shprehu bindjen se Paria Demokratike do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Ndryshe nga të dielat e mëparshme shefi i qeverisë zgjidhi ta jepte mesazhin e tij, jo me anë të komunikimit javor, por me anë të një shënimi.  “Unë vazhdoj ta kem thuajse bindje se Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Kudo ku ka marrë një gjë në dorë, Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë. Sot do të doja ta shpjegoja këtë gjatë Komunikimit Javor, por vendosa të mos e bëj. Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit,” – tha Rama.

Qëndrimi 

Duke u ndalur tek listat e kandidatëve të Partisë Socialiste të publikuar dy ditë më parë, kryeministri Rama tha se skuadra e re përfaqësuese e socialistëve është më e vendosur se 4 vite më parë. Shefi i ekzekutivit deklaroi se përballë Partisë Socialiste qëndron një opozitë e konsumuar. “Mbrëmë kemi regjistruar skuadrën e re përfaqësuese të Partisë Socialiste. Jemi plotësisht gati të nisim finalen e madhe të këtij mandati dhe hapim një kapitull të ri për Shqipërinë që duam. Me forca të ripërtërira. Me më shumë eksperiencë. Më shumë gjak të ri. Me vendosmëri ende më të madhe se katër vjet më parë. Por ndryshe nga katër vjet më parë, kemi përballë jo një qeveri të diskredituar, po një opozitë të konsumuar. Të njëjtët njerëz që e çuan Shqipërinë në rrugën e rrënimit, po e çojnë Partinë Demokratike në rrugën e asgjësimit,” –  u shpreh ai.  Rama përsëriti edhe njëherë ftesë drejtuar opozitës duke theksuar se është i gatshëm të mirëpres kryetarin e PD – së për të negociuar rikthimin e partisë së tij në garën e 18 qershorit. “ Mbetem natyrisht i gatshëm ta pres kryetarin e PD-së në çdo moment, për të negociuar rikthimin e partisë së tij në fushën e betejës demokratike të 18 qershorit. Përndryshe Partia Demokratike kështu siç e njohim, do të jetë më shpejt se vonë një kujtim i së kaluarës,” – u shpreh kryeministri./standard.al

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here