Mbetet e pasqaruar vrasja e ndodhur në tetor të vitit të kaluar nëzonën e Shëngjergjit, në Tiranë, ku Besnik Pudja u gjet i qëlluar me armë në një kapanon ku thahej kanabisi.
Gjashtë muaj pas krimit të mbetur mister, Prokuroria e Tiranës nuk ka përcaktuar ende mekanizmin e ngjarjes për shkak të paqartësisë së dëshmive, provave e rrethanave të krimit. Për këtë arsye, grupi i hetimit mësohet se ka vendosur të kryejë veprime shtesë me qëllim përcaktimin e mënyrës si ka ndodhur vrasja e 36-vjeçarit Besnik Pudja.
Ai është vrarë në datë 07.10.2016. Atë ditë, rreth orës 15:30, Policia ka marrë informacion se në vendin e quajtur fshati Kollagjesh, BesnikPudja, banor i Shkozës Tiranë, ishte gjetur i vrarë brenda një kasolle të improvizuar.
Në vendin e ngjarjes është konstatuar se në një kasolle me përmasa 40 x 18 metra, të rrethuar me llamarina, me derë, e pikërisht në ambientin e brendshëm të kësaj kasolleje, në mesin e saj, gjendej i
shtrirë trupi i shtetasit Besnik Pudja.
Burimet nga hetimi kanë thënë se trupi ishte i shtrirë me kurriz, me fytyrë lart, i gjakosur në pjesën e syrit të anës së majtë dhe në pjesën e kokës së anës së djathtë. Në pjesën e brendshme të këmbës së anës së majtë, në afërsi të gjurit gjendej një armë zjarri, model 56, kalibri 7.62 mm, me goditës të ngrehur, me krëhër brenda saj e brenda krëhërit kishte një fishek me kapsollë të goditur. Në këtë kasolle ndihej aroma e bimës narkotike, si ajo e kanabis sativa dhe ambienti ishte i përshtatur për tharje të kësaj bime. Po kështu, gjatë këqyrjes në brendësi të kasolles janë gjetur dhe tri rrënjë me
bimë narkotike e dyshuar si kanabis sativa, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale.
VRASJA PËR DROGËN?
Tre persona janë ndaluar e arrestuar deri tani, pas ngjarjes sëndodhur në kasollen ku thahej kanabisi në fshatin Kollagjesh. Por asnjëri nga të arrestuarit nuk akuzohet për vrasjen e 36-vjeçarit Besnik Pudja. Shtetasit me iniciale H.D., A.L. dhe D.B. akuzohen nga Prokuroria vetëm për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “kultivimit të bimëve narkotike”.
Nga akti i ekspertimit mjekoligjor të viktimës, janë hedhur dyshime në lidhje me mekanizmin e ngjarjes, por pa përcaktuar nëse fjala është për vrasje apo vetëvrasje. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka
vendosur të kryejë veprimet hetimore të fundit me qëllim përcaktimin e akuzës për tre të ndaluarit, por edhe për zbardhjen e mekanizmit të ngjarjes.
Dy veprimet që do të kryhen nga grupi i hetimit janë këqyrja e tabulateve telefonike të të gjithë personave të përfshirë në ngjarje e në kultivimin e drogës dhe një eksperiment hetimor në vendin ku u gjet pa jetë viktima. Duket se veprimet e para në vendin e ngjarjes kanë pasur mangësi.
Prokuroria kërkon të kryejë eksperiment hetimor ose një ekspertim teknik për të përcaktuar drejtimin e qitjes së armës nga viktima Besnik Pudja për tek i dëmtuari A.L. Ky i fundit ka pasur një dëmtim në trup, por ai dhe dy personat e tjerë kanë thënë se 36-vjeçari Besnik Pudja ka vrarë veten teksa luante me armë pistoletë, që mbante me vete, në vendin ku thahej hashashi./panorama