Shtetet e Bashkuara dënuan fuqishëm sulmet e dhunshme mbi anëtarët e Parlamentit të Maqedonisë, të cilat pasuan zgjedhjen e Talat Xhaferit në postin e kryetarit të Kuvendit.
“Ne do të punojmë me kryeparlamentarin e ri, për të mbështetur demokracinë dhe për t’i ndihmuar Maqedonisë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane”, thuhet në komunikatën e Departamentit Amerikan të Shtetit, shkruan rel.
“Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për ata anëtarë të Parlamentit që janë plagosur në sulme, si dhe për familjet e tyre. Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve të Maqedonisë që të garantojnë sigurinë e të gjithë anëtarëve të Parlamentit, të hetojnë plotësisht sulmin dhe t’i mbajnë përgjegjës ata që kanë kryer akte të dhunës”, thuhet në komunikatë.
Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që “të qëndrojnë qetë, të zgjidhin çdo dallim në mënyrë paqësore dhe të respektojnë ligjet e Maqedonisë dhe proceset demokratike”