Vdekja e Françesk Radit, letra prekëse e mikut të tij: “Mea culpa”, ato që s’munda të t’i thosha dje…

0
168

Ndarja nga jeta e këngëtarit Francesk Radi i ka prekur të gjithë. Zv.drejtori i RTSH Martin Leka, miku i kantautorit i ka kushtuar një letër prekëse Radit, ndërsa nuk ka nguruar që të lartësojë figurën e të ndjerit.

 

 

Mes rreshtash Leka ka bërë një “Mea culpa” për ato që ai s’mundi t’ja thoshtë dot dje gjatë ceremonisë mortore.

Letra e plote:
Nga Martin LEKA

I dashur Franko!
Po të shkruaj sot, ato që s’munda të t’i thosha dje!
Dhe e di pse?
E para, sepse nuk isha i sigurt nëse do mundja të disiplinoja emocionet përballë qindra miqve që kishin ardhur për të të dhënë lamtumirën e fundit. Për më tepër, përballë Teftës, së cilës, përgjithmonë do i këndosh vetëm “Zemrën e lodhur”.
E dyta, sepse unë, përveçse miku yt dhe i Teftës, jam edhe njëri ndër mëkatarët që s’mundën ta ndalojnë stresin e punës tënde në RTSH.
Ti e di mirë zakonin tonë kur, pas ikjes, të gjithë flasim mirë, jemi të sjellshëm dhe bëjmë sikur të gjithë kemi qenë miq e të dashur me ata që ikin…
Unë, si mijëra të tjerë në Shqipëri e jashtë saj, që jo vetëm të njohin, por edhe kanë dëgjuar këngët që ti kompozove dhe këndove, mund të them plot të tilla. Për më tepër, duke të njohur në punën e përditshme, unë veçse mund të shtoj diçka më shumë dhe që s’besoj se m’i kundërshton kush!
Ja, për shembull:
Ti ishe kaq i thjeshtë.
Ti ishe me një karakter të spikatur.
Ti ishe një punëtor i palodhur.
Ti ishe një guximtar.
Ti ishe kaq i qetë, sa na vure të gjithëve në “gjumë” e nuk arritëm ta kuptonim heshtjen tende.
Ti ishe shumë i dashur me ata që të deshën. Edhe me mua!
Ti ishe një antikonformist i bindur.
I dashur Franko!
Shumë e shumë më tepër se kaq t’i kanë thënë e shkruar mijëra njerëz sapo morën vesh që ti ike atje lart. Të kanë thënë e shkruar këngëtarë e kompozitorë, folës e gazetarë, punëtorë të thjeshtë e intelektualë, të njohur e të panjohur! Madje edhe politikanë…
Të kanë vlerësuar e të kanë përmendur rininë tënde rebele, stilin tënd të veshjes, ritmet e muzikës së ndaluar, persekutimin e kohës, barakën prej druri në Fushë-Arrëz, modën që solle në vitet e rinisë tënde, këngët e bukura të mëvonshme, e shumë e shumë të tjera!
I dashur mik!
Ti ike shumë herët, shumë shpejt; si në një aksident. Nuk pate as kohë të vuaje nga sëmundja e menjëhershme. Mirësitë që bëre në jetë ta kursyen vuajtjen. Veçse u tregove pak cinik e i pabesë: ua le dhimbjen përgjithmonë Teftës, gruas së rrallë që të dashuroi (ta tha dje) atëherë kur të tjerët s’të flisnin me gojë, Anjezës e Baltionit, Andetës e Rozanës, vëllait e motrave. T’i shikoje dje sa dhimbje kishin për ty, nuk do ta bëje gabimin e madh të jetës, ikjen prej tyre!
E di që nuk të vjen mirë që po të shkruaj kështu, e di edhe që do ma grisje menjëherë këtë copë letër, por unë nuk mund të rri pa të thënë dhe dy fjalë të tjera:
Ty ta shpejtuam ikjen të gjithë nga pak, ca naivë (edhe unë) e ca hipokritë:
Që s’të kuptuam
Që s’të dëgjuam
Që s’të njohëm mirë
Që s’ta lexuam heshtjen
Që s’të gjetëm “Adresën”
Që s’të kapëm ritmin, edhe kur ti ecje me “Biçikletë”
Që s’të bëmë “Një telefonatë zemrash” kur ti kishe nevojë…
Ndaj na mblodhe dje, si të përhumbur në terr për të na thënë: “Ky fat na ra”, “Humbet pranverën”…
Ke të drejtë. Problemi nuk është me disa që ikin, por me ne të gjallët. Mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë!
Ti, ishe ndër të paktët!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here