Zbardhen porositë/ Ruçi ultimatum deputetëve: Të enjten duam 84 vota

1
155

Maxhoranca do të vihet në provë ditën e enjte për shumicën e cilësuar të votave, kur të votohen kodet e Reformës në Drejtësi, që kërkojnë 84 vota. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u kërkoi deputetëve të tij që të jenë të gjithë të pranishëm në seancën e së enjtes, raporton “Panorama”.

Në Parlament do të votohen Kodi i Procedurës Penale, Kodi Penal dhe Kodi për të Miturit, pjesë e paketës ligjore të Reformës në Drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese.

Votimi i këtyre kodeve kërkon të paktën 84 vota dhe për këtë arsye Ruçi u ka kërkuar deputetëve që të mos mungojnë, madje të anulojnë të gjitha lëvizjet jashtë shtetit për ditën e enjte.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist kërkoi mirëkuptimin dhe gjetjen e dakordësisë me LSInë për ligjin për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin mes PS-së dhe LSI-së në Komisionin e Ligjeve ka pasur mospërputhje.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, ka thënë se ky ligj është ende i papërfunduar për shkak të mosdakordësisë me aleatin e qeverisjes, ndërsa Ruçi ka kërkuar që të sqarohen kundërshtitë dhe të gjendet gjuha e përbashkët për ta kaluar atë në Parlament, në seancën e së enjtes.

Në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Vasili, kundërshtoi draftin dhe propozoi për më shumë kompetenca në marrëdhëniet mes dikasterit të tij dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pikërisht kjo ngjalli debat në Komisionin e Ligjeve. Socialistja Vasilika Hysi kundërshtoi me arsyetimin se shkelet Kushtetuta, madje duke thënë se palët ishin dakordësuar për këtë çështje kohë më parë.

Më 30 gusht të vitit të shkuar, maxhoranca, pa votat e opozitës, votoi ligjin e parë të Reformës në Drejtësi, vetingun, me 88 vota. Por që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar. Numri më i lartë i votave të grumbulluara nga maxhoranca që prej nisjes së bojkotit nga opozita ishte ai i votimit të ministreve të reja, Manastirliu dhe Xhaçka.

Dy ministret femra morën 79 vota. PDIU nuk merr pjesë në votim që kur Parlamenti rrëzoi kërkesën e saj për komision hetimor parlamentar kundër gjenocidit grek.

Ndërsa me shkarkimin e drejtoreshës së AMF-së, Enkeleda Shehi, maxhoranca kapi numrin më të vogël të votave, 55, pasi LSI nuk votoi për shkarkimin e saj, kurse PDIU nuk mori pjesë në votim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here