Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar sot 20-vjetorin e tragjedisë së Otrantos për të bërë fushatë për zgjedhjet e 18 qershorit si dhe për të sulmuar opozitën.
Kreu i qeverisë ndodhet në Vlorë ku mbajti fjalën e tij në aktivitetin përkujtimor të tragjedisë së Otrantos, ku 20 vite më parë humbën jetën 81 persona ndërsa 24 të tjerë nuk janë gjetur kurrë.
Pas 4 vitesh, Kryeministri u kujtua të shkonte në Vlorë në këtë përvejtor të tragjedisë kur kanë mbetur 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare. Gjatë fjalës së tij, Rama sulmoi çadrën e opozitës duke e lidhur me vetingun, një vijë paralele që Kryeministri tashmë e heq në çdo aktivitet të tij.
“Si ajo pikë karburanti më e rëndësishme se interesi publik në bulevardin e ri të Bregut të Vlorës është dhe çadra në mes të bulevardit atje në Tiranë që i ka zënë rrugën popullit për të parë më në fund gjyqtarët dhe prokurorët që i kanë pirë gjakun popullit për 25 vjet, që të shkojnë prapa hekurave dhe jo të rrinë para popullit me çekiç në dorë dhe të vrasin drejtësinë sa herë u vjen mundësia që të bëjnë padrejtësi në këmbim të parave.
Fakti që reforma në drejtësi nuk është një çështje politike dhe vettingu nuk është një çështje partiake por mishërimi i një aspirate 25 vjeçare që përputhet sot me interesin kombëtar dhe publik, ashtu nuk ka pikë karburanti dhe çadër që e ndal. Të reformosh këtë vend ëhstë një detyrim për të mos lejuar që fëmijët e sotëm të Shqipërisë të paguajnë pasojat e mosreformimit që i paguan fëmijët që lindën pas regjimit. Ata që sot janë 25 vjeçarë, të cilët kanë llogari të pamerituara me të ardhmen për shkak të së shkuarës”, u shpreh Edi Rama.
Kreu i qeverisë madje theksoi se votimi i vetingut do t’i japë fund edhe kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e BE, një përpjekje kjo e Edi Ramës për të justifikuar largimet masive të shqiptarëve gjatë këtyre 4 viteve.
“Dua të them dy fjalë për përpjekjen skandaloze për të lidhur shqiptarët që janë larguar gjatë kësaj periudhe që ne qeverisim për shkak të nevojës së tyre për një punë dhe jetë më të mirë tani jo pasnesër, me qeverinë tonë. E vërteta është që shqiptarët kanë ikur dhe janë kthyer, ka që ikin dhe që kthehen, do ikin dhe do vinë.
Nuk jetojmë më në bunkerin prej nga dolën dhjetra-mijëra njerëz dhe u nisën drejt Italisë por jetojmë në një Europë ku mund të lëvizim lirisht. Problemi ndërlikohet kur shqiptarët ashtu si të tjerët në këtë rajon që ikin nga vende si Shqipëria që nuk është anëtare e BE duhet të kërkojnë azil politik pa qenë refugjat politik por se janë të ndaluar të lëvizin lirisht në tregun europian të punës.
Kjo është një arsye shumë e fortë për të kuptuar rëndësinë e madhe të vettingut dhe reformës në drejtësi edhe në këtë funksion. Sepse përmes vettingut hapen negociatat, përmes negociatave afrohet anëtarësimi dhe përmes anëtarësimit shqiptarët bëhen njësoj si polakët, çekët, hungarezët që lëvizin lirisht në tregun e punës”, tha Kryeministri.