Presidenti Nishani: Nuk rikandidoj pa votat e LSI-së

0
156

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thotë në një intervistë për “Koha Jonë” se ai nuk do të kandidojë sërish për President pa votat e LSI­së. Gjithashtu, Nishani nuk preferoi të komentojë akuzat nga poeti Visar Zhiti, për të cilin ka thënë se qe spiun në burgun e Spaçit.

INTERVISTA

Po lakohet emri juaj si kandidat për President, por thuhet se kjo është pjesë e pazarit të fshehtë PS­PD për të gjetur pretekstin për të dalë nga çadra. Sa është e vertetë?

Unë jam President i Republikës dhe do vijoj detyren time kushtetuese me axhendë shumë dinamike deri me 24 korrik të këtij viti kur edhe përfundon mandati im i parë. Jam zgjedhur në këtë post me propozimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike, Levizjes Socialiste per Integrim dhe Partise Republikane. Sot konfigurimi i aleancave në Kuvendin e Shqipërisë ka ndryshuar. Kam deklaruar se mbetem i gatshem për të vijuar detyrën edhe në një mandat të dytë, por natyrisht që kjo varet nga Parlamenti. Unë do të deshiroja që forcat politike të mos përdorin figurën e Presidentit për t’i bërë presion njëra­ tjetrës. Se cili do të jetë qendrimi i forcave politike në procesin e zgjedhjes së Presidentit unë nuk e di dhe është e drejta e tyre sovrane për të zgjedhur pozicionin e tyre.

Unë nuk besoj në një pazar PS – PD, as PD – LSI.

Por mund t’ju them në mënyrë publike dhe kategorike se nuk do pranoja të vijoja një mandat të dytë pa votat e LSI dhe kur them votat kam parasysh vendimin politik të kësaj force. Këtu besoj bien të gjitha hamendesimet. Ajo çka kërkon sot opozita është një çështje fondamentale për të gjithë, jo vetëm për opozitën. Vendosja e një standardi të pa cenueshëm që qytetarët të votojnë të lirë. Kjo është e nevojshme për të gjitha forcat politike pa përjashtim. Kjo çështje mbetet më e rëndësishme se zgjedhja e presidentëve, kryeministrave e kështu me radhë.

Ju e dekretuat ministrin e brendshëm Fatmir Xhafa, por nuk pranuat t’i jepnit doren në betim dhe as të bënit fotografi siç është praktika presidenciale. Nga kjo u dogjen edhe tre ministrat e tjerë. Mendoni se është normale kjo sjellje presidenciale, ndërkohe që përherë keni qenë korrekt me etiken e Kryetarit të Shtetit?

Ceremonia e betimit të ministrave te rinj ka qenë një ceremoni dinjitoze, serioze dhe strikte me Protokollin e Shtetit për të tilla ceremoni. I dhashë dorën, si më dha doren, doli në fotografi, nuk doli në fotografi…., janë thjesht thashetheme të kafeneve që unë nuk i lejoj të futen në punët dinjitare të Institucionit të Presidentit të Republikës. Kam uruar të gjithë ministrat e rinj për suksese dhe punë të mbarë.

Kur mendoni se duhet të fillojnë procedurat kushtetuese për përzgjedhjen e kandidatëve për President Republike? Dhe a duhet ky parlament apo parlamenti i ri ta zgjedhë Presidentin?

Kohën duhet ta përllogarisin autoritetet e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Kushtetutës sonë (ndodh për herë të parë që Presidenti i ri dhe Parlamenti i ri zgjidhen në të njëjtën periudhë kohore) parlamenti aktual ka të drejtën e zgjedhjes së Presidenti të ri dhe pastaj shpërndahet. Nëse ky parlament nuk arrin ta zgjedhë dot Presidentin në kuptimin kushtetues nuk përbën asnjë problem pasi gjithsesi vendi shkon në zgjedhjet parlamentare dhe funksionet e Presidentit i ushtron Kryetari i Kuvendit deri sa të zgjidhet Presidenti i ri. I vetmi komplikim politik që sjell moszgjedhja e Presidentit është shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare. Në rastin konkret ne shkojmë në zgjedhje parlamentare edhe nëse zgjidhet edhe nëse nuk zgjidhet Presidenti.

Nëse nuk kandidoni për President, cili mendoni do jetë aktiviteti juaj; në politikë apo në aktivitet të lirë si një ishpresident?

Të shohim. Nuk dal dot në pension se nuk kam mbushur as moshen e pensionit.

Nëse opozita nuk futet në zgjedhje a mendoni se do të njihen zgjedhjet?

Unë uroj dhe do të nxis fort këdo që ne të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqiperi. I inkurajoj të gjitha palet të ulen në bisedime dhe të gjejnë zgjidhjen e duhur për vendin dhe shqiptarët . Asnjë situatë që krijon pasoja për vendin nuk duhet të ndodhë dhe kjo është përgjegjesi e të gjitha paleve. Kultura politike europiane dhe dimensioni i civilizimit që duhet të konsolidojmë kërkon kompromise të dyanëshme.

Prape nëse PS­LSI­PD bien dakort për shtyrjen e zgjedhjeve në vjeshtë ju a keni tager kushtetues ta bëni apo si gjendet zgjidhja?

Nëse ky do jetë një vendim i Kuvendit të Shqipërisë, ne, të gjithë të tjerët do përmbushim detyrimet tona. Edhe në një rast të tillë, Shqipëria ka precedentë dhe shembull të mëparshëm.

Edhe një tjetër “nëse”: Nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen dhe opozita bllokon procesin zgjedhor me forcë si mendoni: cili duhet roli i Presidentit apo nuk ka asnjë tager kushtetues?

Nuk besoj se opozita ka ndonjë skenar force dhe nuk mund të ketë. Qeverisja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve, por dhe e drejtë e të gjithëve. Modelet dhe tentativat e përjashtimit sjellin kaos, anarki dhe dështim. Duhet të maturojmë kulturën e përfshirjes dhe jo margjinalizimit. Për këtë duhet të mendojmë më shumë vetë ne shqiptarët.

Një pyetje hipotetike: Po të ishin kandidatët për President Republike: Bujar Nishani, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe një kandidate femër, cilin (e) do votonit? J

am në konflikt interesi këtu, kështu që nuk kam përgjigje.

Visar Zhiti ju ka bërë akuza tepër të rënda. Komenti juaj?

Nuk kam koment. Do flasin institucionet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here