Meta fik qirinjtë e ditëlindjes duke ndjekur Kombëtaren në Londër (VIDEO)

0
181

Teksa Kombëtarja Shqiptare po përgatitej për të filluar përballjen me Italinë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili feston sot ditëlindjen e tij të 48-të, ndodhet në Londër në një takim me diasporën.

Teksa po këndohej Himni Kombëtar në Palermo, shqiptarët e Londrës i kanë bërë një surprizë Ilir Metës, duke i sjellë tortën e ditëlindjes, duke i kënduar “Happy birthday” e duke i dhuruar lule.

Meta e shijoi këtë moment, teksa nuk u zgjat shumë tek ceremonia me sytë tek ndeshja e Kombëtares që shfaqej në një ekran të madh për rreth 600 shqiptarë.

Në hapjen e këtij takimi, deputeti i LSI-së, Ylli Shehu i cili organizoi dhe këtë takim, i uroi Metës ditëlindjen, ndërsa ky i fundit tha se politika ende nuk ka bërë aq shumë sa kombëtarja.

“Për mua është kënaqësi që të jem sot me ju. Shpresojmë për një ndeshje sa më të mirë dhe sa më dinjitoze. Kombëtarja e ka kryer detyrën e vetë dhe e ka çuar Shqipërinë në Evropian, ndërsa ne si politikanë kemi akoma më shumë detyra për të konsoliduar më tej të ardhmen e Shqipërisë, që ju të merrni sa më shumë lajme të mira nga vendi juaj. Dua të falënderoj komunitetin punëtor që ndodhet këtu në Londër dhe në Britaninë e Madhe. Kam takuar shumë shqiptarë sot në mëngjes në një kafe para hotelit të cilët nxitonin për në punë. Ishin djem të rinj. Emigracioni nuk është i lehtë dhe ju keni arritur të mbani veten dhe të ndihmoni familjet. Të investoni që shumë nga të afërmit tuaj të studiojnë këtu. Ne kemi këtu një komunitet të jashtëzkonshëm që punon dhe studion në Londër.
Kjo është një pasuri e madhe për vendin tonë që duhet ta shfrytëzojmë më mirë sidomos në drejtim të integrimit. Të gjithë ata që studiojnë këtu t’i integrojmë në institucionet e vendit për të dhënë një frymë të re.
Ne kemi detyrë për të bërë më shumë për emigracionin dhe që shqiptarët kudo janë të ndihen pranë njëri-tjetrit dhe të kenë mesazh pozitiv nga vendi i tyre që kërkon një politikë më bashkëpunuese në Shqipëri.
Të forcojmë dialogun politik dhe institucionet edhe në këtë mënyrë rritet ekonomik e vendit si një bazë e rëndësishme që të rinjtë të mos largohen nga vendi, por të krijojmë mjedis më të përshtatshëm që shumë prej tyre të vijnë të investojnë në Shqipëri.

Ne politikanët më shumë se sa punojmë, ndonjëherë flasim më shumë. U bë një kohë e gjatë, dhe Shqipëria pavarësisht hapave përpara, mund të kishte qenë në një vend më të favorshëm përpara.
Dua të falënderoj Yllin që është iniciator i këtij takimi, ai është pjesë e takimit këtu. Bashkë me Yllin jemi këtu që të bëjmë disa organizime më të sistemuara për të konsoliduar këtë komunitet të rëndësishme në Britani. Ju falënderoj të gjithëve ju që kontribuoni për të formuar marrëdhëniet mes Britanisë dhe Shqipërisë. Nuk po e zgjas më shumë se mos bëhet dhe ndonjë gol, ndoshta më pas mund të flasim përsëri”,
-tha Meta.

Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Ylli Shehu, tha se ky takim ka për qëllim që ta bëjë politikën më gjithëpërfshirëse.

“Ju falënderoj që sot keni lënë punët tuaja, familjet tuaja dhe keni ardhur në këtë takim të ngrohtë. Faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sime dhe miqve të mi për tu mbledhur të gjithë së bashku në këtë bashkëbisedim më Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta.
Ndjehem shumë mirë sot mes jush, dhe ndoshta në asnjë prej vizitave të mia të shpeshta në Londër, asnjë ambient nuk ka qenë kaq i ngrohtë dhe të reflektojë kaq shumë dashuri sa ky i sotmi.
Është e vërtetë se në asnjë vend dielli nuk ngroh si në Shqipëri, këtu në Angli aq më pak, po aq sa është e vërtetë, se pavarësisht se ku e shpenzojmë jetën tonë, në darkë, ku vendosim kokën në jastëk, mendimet i kemi aty ku kemi lënë folenë tonë të parë.
Unë nuk jam sot këtu si deputet, dhe as Ilir META nuk është sot këtu si kryetar i një partie, por si politikan i përgjegjshëm, që përpara se të marrë vendime, preferon të marrë mendime.
Dua ta citon këtu z. Meta i cili thotë se: “Preferon lopatën më shumë se sa kazmën”, sepse është me vend këtu, përpara të gjithëve ju, emigrantë jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, që energjitë i harxhoni ngado, punoni përditë e në fund i ktheni paratë në atdhe për të ndërtuar Shqipërinë.
Ndaj, faleminderit që keni ardhur dhe na ndihmoni gjatë këtij bashkëbisedimi për të përmirësuar vetveten, për ta bërë politikën tonë më eficente, dhe ju lutem, të na ndihmoni t’ju shërbejmë sa më mirë.
Shpresoj që ky takim të jetë i dobishëm për të dy palët, ju falënderoj që jeni këtu dhe më lejoni ta mbyll me kaq, sepse jam i bindur që çështjet e rëndësishme do të shterohen nga z. Meta”
,-tha deputeti i LSI-së, Ylli Shehu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here