Gjyq publik e ka konsideruar deputeti Ben Blushi sulmin që ju bë sot në Parlament nga Kryeministri Edi Rama e pas tij nga ministra e deputetë të PS.
Pas debatit të “nxehtë” me Edi Ramën, e ashpër ka qenë edhe përplasja me ministren e Arsimit Lindita Nikolla.
Të dy sulmuan njëri-tjetrin me fjalët “injorant total” e “injorant ekzemplar”.
Deklaratat e ashpra të Blushit bënë që ministrja e Arsimit gati të përlotej dhe t’i dridhej zëri në sallën e Parlamentit, aq sa në mbrojtje i doli Kryeministri Edi Rama
Replikat Blushi-Nikolla-Rama:
Ben Blushi: Askush nuk do mbahet mend që ke pasur një bodigard që dërgonte për të marrë 3 mijë Euro për një vend pune. Bodigardi jot është arrestuar zonjë. Sepse je injorante totalisht. Është fatkeqësi për të gjithë maturantët e Shqipërisë. Dhe kur të çohesh herë tjetër këtu dhe të flasësh me atë zonjë (Mimoza Hafizin) mati fjalët mirë, sepse ti je një injorante.
Edi Rama: I turresh me një ulërimë prej karrocieri të dehur ndaj ministrës së Arsimit, ulërimë e turpshme nga dikush që i thotë vetes “Liber”. Dhe vjen këtu e akuzon si Saliu! Përsërit të njëjtën akuzë si Saliu! I bën jehonë qytetarit dixhital të Saliut! Dhe e dini për çfarë do mbahen mend kjo ministre? E vërteta është se një mësuese gjimnazi dhe drejtoreshë gjimnazi është ajo që tregoi në historinë e këtyre 25 vjetëve se reforma në arsim mund të bëhet dhe e bëri!
Ndërsa zotëria do të mbahet mend si ai që shkurtoi bankat; të tjerat i di vetë! Ti Blush u çuditë nga disa të vërteta shumë të thjeshta që janë vetëm një informim për marrëdhënien tënde me socialistët dhe me punën.
Për ne, se është një, se janë dy apo se janë 242 Sali, nuk ka problem. Dhe në vendin tënd do të vija këtu t’i kërkoja falje, për fyerjet që i bëre si karrocier i dehur, se përsa i përket shpifjes, ke kohë që je futur në atë hulli dhe s’del dot.
Ti vetëm ke shpifur. I ke akuzuar të gjithë për çfarë të thotë ty mendja dhe çfarë dëgjon nga qytetari dixhital i Saliut!
Këtu ka vetëm një të zezë: Cmira jote që të verbon shikimin dhe të zgjidh gjuhën! Dhe vjen na tregon politikanin e ri që do të dërrmojë partitë e vjetra! Je një mbeturinë kpd-je.
Ben Blushi: Bëni gjyq publik këtu për mua. Asnjë falje s’do t’i kërkoj injorancës që po torturon 100 mijë studentë. Duhet të vijë ajo të kërkojë falje. Po ju tregoj një histori. Në Lushnje takova një zonjë me leucemi. Kishte një djalë maturant ekselent. Ai fëmijë humbi shkollën për 500 mijë lekë të vjetra tarifë që e ka vendosur kjo zonja. Të jëmës nuk i paguani sëmundjen, djalit nuk i paguani 500 mijë lekë të vjetra në shkollë sepse i blen kjo zonja vëth dhe unaza.
Ministrja Lindita Nikolla: Je një mashtrues ordiner. Jo vetëm që s’ke qënë në Lushnje, por jepe emrin këtu t’i shkojmë publikisht deri në fund kësaj pune.