“Po të lë sepse po më denigron…”

0
276

Mendonit se ka qenë një fenomen tipik i vendeve të punës? Por, edhe në martesë mund të jesh i denigruar dhe totalisht i anashkaluar nga vendimet. Aq sa për të arritur në divorc midis burrit dhe gruas shfaqet “mobbing” (denigrimi). Sjellja minuese dhe provokuese, që jemi mësuar ta ndeshim në vendet e punës, bën pjesë edhe në dinamikën e çifteve. Në mënyrë letrare termi anglez mob paraqet një akt linçimi, dhune persekutuese e finalizuar me nxjerrjen e një objekti nga grupi. Por në këtë rast, përjashtimi (nëpërmjet sjelljeve denigruese) është ai nga bërthama familjare dhe nga shtëpia e përbashkët. Me derivat etologjik (e praktikojnë babuinët, drerët madje edhe grerëzat) mobbing sot është një term krejtësisht njerëzor. Madje, edhe shumë. Aq sa për t’u bërë brenda një kohe të shkurtër një nga shkaqet e mundshme të ndarjes së çifteve. Vitet e fundit, mobbing bashkëshortor është shfaqur për herë të parë në seancat e ndarjes, si shkak i fajësisë të bashkëshortit të njohur si fajtor. Për fat të keq nuk është kodifikuar ende, por ekziston tashmë shumë jurisprudencë në lidhje me këtë. Por ku konsiston ekzaktësisht mobbing bashkëshortor? Sipas disa ekspertëve, ka disa karakteristika precize: manifestime të mosvlerësimit dhe të kritikave në lidhje me bashkëshortin/en, të bëra këto në mënyrë teatrale dhe publike, dhe ofendime të përsëritura përpara miqve dhe të afërme. Por jo vetëm kaq: partneri i mobbuar i nënshtrohet provokimeve të vazhdueshme dhe sistematike, e sheh të zvogëluar rolin e vet në familje dhe pëson presione të vazhdueshme për të lënë shtëpinë bashkëshortore. Fraza klasike: “Po deshe kështu, nëse jo, ja ku është dera”, është një shembull i moderuar i mobbing. “Ka edhe raste në të cilat një nga partnerët nuk e lejon tjetrin të përdorë të mirat e përbashkëta dhe kërkon t’i imponojë tjetrit gjithnjë vullnetin e tij në zgjedhjet që kanë të bëjnë me familjen dhe edukimin e fëmijëve. Ndihen gjithnjë të mënjanuar në shtëpi të tyre, nganjëherë me ndërhyrjen e vazhdueshme të të tretëve (vjehrra, kunetër) në zënkat familjare. Në përgjithësi fenomeni zhvillohet me kohën. Fillohet me zënka të vogla të përditshme, që dalëngadalë transformohen në një konflikt që synon përjashtimin e bashkëshortit. Që të mund të flitet për mobbing, mjaftojnë gjashtë muaj grindjeje. Një karakteristikë tipike e këtij fenomeni është pabarazia midis bashkëshortëve: nuk duhet të jetë një konfliktualitet reciprok por “një luftë e pabarabartë, në të cilën personi që ka pësuar mobbing gjendet në një pozicion dizavantazhi përballë atij që i shkakton mobbing.

Pastaj shpesh në linçim, përveç partnerit merr pjesë edhe familja, mbi të gjitha në rastet e bërthamave familjare të zgjeruara. Strategjia që përdoret zakonisht është heshtja: të tjerët bëhen të gjithë bashkë dhe bëjnë sikur nuk e shohin atë që po ndodh.

Pra, si i bëhet për të demonstruar që jemi viktima të mobbing-ut? Në raste të ndarjeve, në rast se avokati pohon që ekzistojnë ekstremet e mobbing-ut, mund të dëgjohen fqinjët e shtëpisë, familjarë të tjerë apo të gjithë ata që mund të kenë asistuar në episode të denigrimit apo të presionit nga ana e partnerit, si për shembull ofendime apo ngacmime.

Por diçka po ndryshon: në seancat e fundit gjyqësore gjykatësit kanë vendosur largimin nga shtëpia të atij që shkakton mobbing-un, i cili madje edhe detyrohet të paguajë një kuotë për mbajtjen e familjes. Ky është një inovacion shumë i rëndësishëm, pasi deri pak kohë më parë ishte viktima ajo që e trembur dhe e pashpresë detyrohej të largohej nga shtëpia, duke u përballur me probleme të mëtejshme. Për fat jo të gjitha çiftet që paraqiten në gjykata për të zgjidhur martesat arrijnë në ekstreme të tilla. Por mbetet prezent fakti, që në bazë të të dhënave të ndryshme është zvogëluar shumë përqindja e martesave dhe që kohëzgjatja mesatare e bashkimeve martesore është nga tre deri në pesë vjet. Nga ana tjetër, zënkat në shtëpi janë në rend të ditës, sikurse e demonstrojnë edhe sondazhe të ndryshme. Ndër arsyet kryesore të kontradiktave janë edukimi i fëmijëve, harresat për ngjarje të veçanta (ditëlindje, përvjetore martesash), rrëmujat në shtëpi dhe nga stresi i punës.

Por kur kriza bëhet e parikuperueshme janë paratë dhe mungesa e komunikimit shkaku kryesor i prishjeve. Çiftet zihen se si, kur dhe sa duhet të shpenzojnë. Pothuajse ka të njëjtën peshë me këtë edhe mungesa e aftësisë për të komunikuar dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin në mënyrë reciproke, gjë për të cilën ankohen të dyja sekset. Dhe më pas vijnë edukimi i fëmijëve, ndarja e punëve në shtëpi, ndërhyrja e prindërve, menaxhimi i kohës së lirë.

Por për të shmangur më të keqen, sapo të shfaqet sinjali i parë i krizës për t’i bërë ballë është mirë të drejtoheni tek ekspertët. Nëse fjala “terapi e çifteve” ju tremb, ekzistojnë grupe të orientimit familjar dhe të dëgjimit, të organizuar nga shoqata jofitimprurëse që merren me familjen, komunikimin në marrëdhëniet e çifteve, ndërveprim midis fëmijëve dhe prindërve. Shpesh probleme që në dukje janë të pazgjidhshme mund të zgjidhen shumë lehtë me një ndërmjetësim nga jashtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency