Qendra Shëndetësore e qytetit të Ballshit, një godinë tre katëshe është totalisht e amortizuar, duke bërë që qindra pacientë të kësaj zone të kryejnë ekzaminimet mes lagështisë, një godine pa xhama në dritare, me çatinë që pikon apo në kushtet kur ndërpritet energjia elektrike.
Në ditët me shi uji depërton në brendësi të ndërtesës e në vend që qytetarët të gjejnë shërim, rrezikojnë të sëmuren më keq. Në një institucion ku ofrohet shërbim shëndetësor mungojnë edhe kushtet më minimale, mes tyre edhe xhamat në dritare.
Drejtori i kësaj qendre bën me dije se me të ardhurat dytësore të qendrës shëndetësore është bërë më herët një rikonstruksion i pjesshëm i katit të dytë të godinës, ndërsa kati i parë dhe i treti ndodhet në gjendje skandaloze.
Një shqetësim i madh për bluzat e bardha, por edhe pacientët është ndërprerja e vazhdueshme e energjisë elektrike, çka ndodhi edhe gjatë intervistës së dhënë për News24.
Qendra shëndetësore e qytetit të Ballshit është ndërtuar në vitin 1999 dhe që prej atëherë nuk ka parë më asnjë investim.