“Nuk jam në gjendje të flas”. Kjo ka qenë fjalia përcjellëse e Armando Dushit, bashkëshortit të Ermira Dushit (Arapi), ndaj Policisë së Fierit, që mbërriti dje në banesën e tij për t’i marrë dëshminë.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se për shkak të çështjes delikate, Armando Dushi nuk është thërritur në ambientet e policisë. Pak ditë pas tragjedisë, ku bashkëshortja e tij u gjet e vrarë bashkë me 32-vjeçarin Drini Derveni është konsideruar si e domosdoshme dëshmia e tij, gjë e cila mund të hidhte dritë mbi motivin e kësaj tragjedie. Por sipas burimeve, Armando Dushi nuk ka pranuar të deponojë për hetimorët, duke argumentuar se nuk ishte në gjendje të fliste rreth kësaj çështjeje.
Të njëjtat burime thanë se ai është mjaft i ngarkuar psikologjikisht, pasi, veç humbjes së të shoqes, ai po përjeton zhgënjimin e tradhtisë. Për këtë shkak, Dushi bojkotoi edhe varrimin e Ermirës dhe nuk pranoi të tërhiqte trupin e saj. Ai u nis nga Greqia bashkë me prindërit menjëherë pasi e lajmëruan për ngjarjen.
Por rrethanat e krimit i ka mësuar pas mbërritjes. Dy ditë pas ngjarjes, ai fshiu të gjitha fotografitë e bashkëshortes së ndjerë në profilin e tij në “Facebook”. Ndërkaq, ekspertiza mjekoligjore e kryer në Tiranë ka dalë në rezultatin se Ermira Dushi nuk ka qenë shtatzënë. Mesditën e djeshme ka mbërritur rezultati edhe në Policinë e Fierit, çka hidhte poshtë dyshimin paraprak për një shtatzëni të
mundshme të saj.
Sipas ekspertëve të grupit hetimor, nisur nga forma e rrumbullakosur e barkut, u hodhën dyshime se e reja mund të ishte shtatzënë disa javëshe, çka mund të ishte bërë shkak për një sherr mes çiftit Drini Derveni dhe Ermira Arapi. Po ashtu, burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se e kanë hedhur poshtë pistën e vrasjes së tyre nga persona të tretë. Ata shprehen se është ndërtuar dinamika e ngjarjes dhe nga të dhënat e ekspertizës ka rezultuar se djali ka vrarë 29vjeçaren e më pas veten.
Tashmë pritet që të zbardhen telefonatat dhe mesazhet që të rinjtë kanë shkëmbyer, çka mund të dokumentojë debate të mundshme mes tyre. Nga hetimet e kryera dhe dëshmitë e marra nga shoqet e Ermira Dushit, është konfirmuar se problemet mes tyre kishin nisur pas Vitit të Ri, pasi 29-vjeçarja i kishte kërkuar Drinit ndarjen./panorama