“Divorci me Ramën” dhe afrimi me Bashën, Dule flet hapur

0
171

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.  Çfarë ndodhi realisht? Nga ajo ikje e zhurmshme e prillit të 2009 dhe pas kaq vitesh tashmë që ju i largoheni aleatit dhe mikut tuaj Edi Ramës.  Kur bëhen retrospektiva të tilla je në…

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Çfarë ndodhi realisht? Nga ajo ikje e zhurmshme e prillit të 2009 dhe pas kaq vitesh tashmë që ju i largoheni aleatit dhe mikut tuaj Edi Ramës. 

Kur bëhen retrospektiva të tilla je në një ankth për ato që ke thënë sepse koha është ajo që provon. Me kënaqësi vërej se shumë prej shqetësimeve të shprehura në atë intervistë, gjatë viteve që pasuan u shndërruan në një realitet politik. Ne duke u nisur nga ajo që është tipike dhe dalluese për PBDNJ, luajalitetin tonë ndaj disa vlerave dhe parimeve themelore, nisëm një bashkëpunim me PS dhe zotin Rama dhe natyrisht që këto ishin zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta, politika të hapura europianizuese në çdo fushë të vendit, respektimi i të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe i të minoriteteve në veçanti. Pati dy periudha, periudha e parë ku ky bashkëpunim ishte shumë pozitiv dhe pastaj nisi periudha e dytë ku të gjitha këto u kthyen në kah të kundërt. Ishim kaq luajal ndaj këtyre parimeve saqë pas 2009, PBDNJ me një mandat që kishte në Parlament mund të përcaktonte shumicën. PD kishte 70 mandate dhe me votën e PBDNJ mund të krijonte shumicën e domosdoshme parlamentare. Përse nuk e bëmë këtë? Nuk e bëmë për të qenë seriozë me veten dhe të besueshëm për njerëzit që na votuan. Rrjedha do të ishte shumë më ndryshe për PBDNJ nëse do të kishte bërë këtë lëvizje atëherë, por do të ishin bërë edhe disa lëvizje përcaktuese.

Patët ofertë atëherë nga zoti Berisha pas zgjedhjeve të 2009? 

Ato ishin bërë publike. Në mënyrë të përsëritur në konferenca shtypi Berisha e drejtoi ftesën e hapur, por në të njëjtën kohë edhe në mënyrë konfidenciale u bisedua që PBDNJ, por me shumë dashamirësi dhe korrektësi e refuzuam për t’u qëndruar atyre parimeve, pavarësisht se mund të cënohen interesat tona të ngushta në një periudhë. Në një kohë që të rrallë forca politike do të mbanin një qëndrim të tillë, në vendin tonë, kjo asnjëherë nuk u vlerësua nga ana e PS dhe në rastin më të parë që u ndje në pozita superiore braktisi ato vlera dhe filloi dëbimin e PBDNJ, që ishte një proces, derisa ky plotësua edhe me lëvizjet e fundit të përfaqësuesve të fundit të PBDNJ që ishin në disa pozicione zyrtare.

Kjo besoj erdhi pas qëndrimit tuaj politike që u shfaqët në tryezat e grupit parlamentar të opozitës. Dhatë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Kuvendit. Duket sikur edhe ju largoheni në momentin më të parë që ka një krisje, kërkoni luajalitet dhe ndershmëri nga politika…

Politika ka moralin e vet dhe duke thënë se politika nuk ka moral, kjo është ajo që e ka çuar politikën shqiptare në zhvlerësimin që po përjetojmë. Nuk ishte dorëheqja ime nga posti i nënkryetarit që nisi këtë proces që përshkrova pak më parë. Para zhvillimit të zgjedhjeve të 2013, për një vëzhgues të kujdesshëm, konstatimi se PBDNJ ishte distancuar dhe kjo kishte nisur që në 2011, jo nga PS sesa nga zoti Rama.

Çfarë ndodhi? A ka lidhje kjo me faktin që, në mos gaboj në 2012, PS bëri një hap të paprecedentë, futi në programin e saj elektoral çështjen çame. 

Nuk është kjo. Nëse do t’u rikthehemi qëndrimeve publike të PBDNJ-së, edhe në 2010 edhe në 2011, por pas 2011 konstatojmë pakënaqësi sistematike për mënyrën e funksionimit të koalicionit, për mënyrën e artikulimit të politikave dhe publikisht ishte artikuluar edhe zoti Rama se kryetari i PBDNJ-së po i bën opozitë opozitës për faktin se isha i pakënaqur. Opozita nuk arrinte të artikulohej bindëse ndaj mënyrë se qeverisjes së atëhershme. Ajo që ishte shumë shqetësuese dhe që po e vuajmë edhe sot, ishte fakti që zoti Rama në çdo nismë, në çdo ide karakterizohej nga një konfuzion dhe isha shprehur tekstualisht se idetë e zotit Rama nuk kanë fillim, mes dhe fund.

Atëherë pse qëndruat me të? 

Kjo pyetje shtrohej atëherë, por edhe sot. PBDNJ ishte në një pozicion detyrim-përcaktimi në bashkëpunimet e veta elektorale. Ishte larguar nga PD. Domosdoshmërisht duhej që të nënshkruante dhe të përfshihej në një koalicion sepse sistemi zgjedhor është penalizues për forcat politike të dimensionit të PBDNJ.

Këto ua ofronte edhe partia tjetër e madhe pak a shumë. 

Të gjitha ato që thashë për largimin nga PD ishin fenomene që ishin në shpalosjen e tyre maksimale. Njëri prej përfaqësuesve të PBDNJ ishte ministër që u largua nga PBDNJ, ishte ministër në qeverinë e PD dhe tjetri ishte deputetë. U larguan nga PBDNJ dhe nuk ekzistonin kushtet as për të biseduar për një bashkëpunim të mundshëm paraelektoral. Rrjedhimisht, PBDNJ duke mos patur alternativë tjetër dhe mos harroni se atëherë u negociua në mënyrë shteruese me zotin Meta për krijimin e një poli të tretë, i cili mesa zhvillimet treguan më vonë ishte i pamundur në atë periudhë kohore. U ezauruan të gjithë mundësitë atëherë. Pra kemi bërë si PBDNJ të gjitha përpjekjet që lejoi luajaliteti dhe konjukturat e përgjithshme dhe nuk pati një alternativë tjetër.

Cili ishte momenti kur raporti me Ramën dhe koalicionin ndryshoi që nga afrimi në 2009? Cili ishte momenti pas 2013, kur gjërat përfundimisht morën një drejtim tjetër?

Më shqetëson shumë hipokrizia dhe nuk mund ta konceptoj që në një moment kur jam në nevojë dhe kam të domosdoshme mbështetjen e një personi të jem krejt i ndryshëm dhe në momentin që s’më duhet më kjo mbështetje, të jem 180 gradë i kundërt. Periudha mars-qershor 2013 ishte një leksion shumë i hidhur për mua. Pashë tek drejtuesit e PS, nga qëndrime që ishin të papranueshme për mua, lutëse dhe menjëherë pasi konsolidoheshin në pozita superioriteti, në situata krejt të kundërta zhvlerësuese dhe aq më tepër në situata me tendenca të qarta për të dëmtuar, minuar përpjekjet dhe rezultatin elektoral të PBDNJ, apo përpjekja përfundimtare për ta lënë në mënyrë artificiale përmes shtrembërimit të vullnetit edhe jashtë Parlamentit. Nuk mund t’ua fsheh. Është fakt pak i thënë që zgjedhja ime në Parlamentin aktual i kushtohet ndërhyrjes në momentin e duhur të ish-ambasadorit amerikanë dhe zonjës së nderuar kryesuese e misionit të OSBE/ODIHR. Në një qendër numëruese votash, ku PBDNJ ishte e papërfaqësuar, as me vëzhgues, votat e PBDNJ ishin plaçkë këmbimi mes dy kampeve të politikës. Ishte pikërisht qendra e numërimit të votave në Ksamil, ku ka edhe numrin më të madh të votave të veta PBDNJ.

Si ka mundësi që ju nuk kishit vëzhgues atje?

Nuk kishim vëzghues sepse koalicionet kanë të drejtën e emërimit të tre vëzhguesve, krahas anëtarëve të grupeve të numërimit dhe anëtarëve të ZAZ. PBDNJ kishte marrëveshje me zotin Rama, pra me Ramën jo me PS, sepse ishte po ai më pas që nuk iu përmbajt kësaj marrëveshjeje. PBDNJ është e natyrshme që aty ku ka mundësi të konsiderueshme dhe të mirëqëna për të zgjedhur deputet, të kishte përfaqësues në komisione. I propozuar, sepse pushoi cilësia e të qënit përfaqësues i PBDNJ, zoti Jani Jani ndoqi opozitën dhe dha dorëheqjen si anëtar KQZ pas shkarkimit të zotit Muho që ishte i paligjshëm dhe mos harroni, që edhe zoti Berisha u pozicionua pozitivisht dhe me ironi ndaj lëvizjes së PBDNJ. Mesa duket, zoti Berisha e dinte mentalitetin mbizotërues të PS më mirë se unë, nuk kishte iluzionin që kisha unë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here