Kundërpërgjigjet Hygerta Sako. Moderatorja e “Rubrika Sportive” në TVSH, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ka reaguar për komentet e dhëna nga Ilda Bejleri karshi saj. Ish-Miss Shqipëria i kujton koleges së saj së “SuperSport”-it se në gazetari nuk mjafton që të jesh vetëm seksi dhe se produktet e saj janë bërë gjithnjë lajm i gazetave sportive, por kurrë i faqeve të fundit.
“Të tregohem e sinqertë nuk e ndoqa, por më informuan miqtë. Nuk kam kohë të them të drejtën të merrem me të tilla deklarata, sepse jam shumë e zënë me sezonin e ri të ‘Përtej futbollit’ që fillon së shpejti (emision që u kopjua keq nga koleget që ushtrojnë këtë gazetarinë ‘fringo’ të re dhe prodhoi vetëm lajme rozë) dhe sigurisht ‘Rubrikën Sportive’.
Por, ama, mund të them që unë do vazhdoj me këtë ‘stilin e vjetër’ të gazetarisë, me të cilin prodhoj lajme që zënë faqet e para të gazetave sportive dhe jo faqet rozë në fund të gazetës. Nëse Ilda mendon se të qenit thjesht seksi është ‘stili i ri’ i gazetarisë, i uroj shumë suksese në rrugën e zgjedhur prej saj.
Më vjen keq që dëgjoj të tilla deklarata, sepse jemi shumë pak vajza që merremi me sportin dhe duhet ta vlerësojmë e respektojmë njëra-tjetrën. Së fundi, dua t’i them Ildës, që ajo nuk kishte lindur akoma kur mua më emociononte Maradona, Mateus apo Van Basten”, përfundoi Hygerta Sako./panoramasport