Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka sqaruar edhe njëherë sot arsyet pse kryeparlamentari Meta i kërkoi Nishanit mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e mos arrestimit të Klement Balilit.
Duke folur jashtë kryesisë së Kuvendit, Vasili e vlerësoi kërkesën e Metën, si vendimin më të drejtë që duhej bërë në këtë moment.
Ai kujtoi se ajo erdhi pas takimeve të fundit që Meta, në prani edhe të Vasilit pati në vizitën e fundit në SHBA, me zëvendëssekretarin amerikan, ku u përcoll edhe shqetësimi në fjalë.
Sipas Vasilit, edhe deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në vendin tonë, Lu kanë transmetuar hapur shqetësimin për çështjen e Klement Balilit.
“Në kushte të tilla, reagimi më i mirë që Meta mund të bënte është ai institucional, me kërkesën zyrtare drejtuar Presidentit”, tha Vasili.
Më herët, Vasili pati deklaruar se Balili është konsideruar si “Eskobar’ nga partnerët tanë ndërkombëtar dhe se moskapja e tij rëndon marrëdhëniet me partnerët.