Gazetari dhe producenti Artan Rama është paditur nga shoqëria ‘Edil-Al’ pas një shkrimi investigativ mbi dy tendera të fituar nga kjo kompani private.
Shoqëria e ndërtimit Edil al-it sh.p.k, ka autorizuar zyrën e saj juridike për të më paditur në gjykatë! Në datën 17, nëntorin e shkuar, gjykata civile e Tiranës ka regjistruar çështjen “Shoqëria Edil al-it sh.p.k v. Artan Rama” me padi shkaktim dëmi ku i kërkohet të paditurit (mua), për të shpërblyer Shoqërinë “Edil al-it” sh.p.k me shumën e 15 milionë lekëve për dëmin jopasuror, që perfshin cënimin e imazhit dhe dëmin moral për Shoqërinë, por edhe cënimin e imazhit, dëmin moral dhe cenimin e personalitetit të ortakëve të Shoqërisë”, njofton vetë gazetari Rama.
Shkak për këtë padi është bërë shkrimi me titull “Dritëhije në Sallën e Teatrit”, i datës 8 nëntor, në faqen Públicus.
Në shkrim raportohej mbi zhvillimin e dy tenderave, të kryera prej Ministrisë së Kulturës, për ndërtimin dhe rehabilitimin e dy sallave teatrore, përkatësisht, “Skena e Re” dhe “Teatri i Operas dhe i Baletit, përmes praktikave të dyshimta, jo transparente dhe në konflikt të hapur interesi dhe se Edil al-it sh.p.k, pra kompania paditëse, ishte shpallur fituese kundrejt kompanive të tjera pjesëmarrëse gjatë këtiij procesi tenderimi.
Asnjë shpifje, sharje, apo fyerje nuk ekziston në atë shkrim! Vetëm pyetje për të cilat, deri tani, nuk kam marrë asnjë përgjigje; ende asnjë reagim publik nga autoritetet e aq më pak, asnjë reagim prej kompanisë në fjalë! Ka vetëm një padi, e depozituar në heshtje, në gjykatë; një padi civile që kërkon 15 milionë lekë si dëmshpërblim!”, shkruan Rama.
Ai shton se qëllimi i Publikus nuk është kurimi apo përkujdesja ndaj një imazhi, por interesi publik dhe transparenca.
Ndonëse respektojmë të drejtën e çdokujt për mbrojtjen e reputacionit të tij, ne nuk kompromentojmë aspak detyrimin për të dhënë informacion e për të publikuar fakte edhe në respekt të së drejtës që ka publiku për t’u njohur me këto informacione”.
Ai thotë se, pavarësisht dëmit që mund t’u shkaktohet imazhit të kompanive, raportuesit nuk mund të konsiderohen fajtorë për aq kohë sa metodat dhe qellimet janë të ligjshme.
Shoqëria ‘Edil-Al’ ka aksioner kryesor biznesmenin Artan Dulaku, njëkohësisht pronar i televizionit ‘Vizion Plus’.
Disa muaj më parë, ky televizion censuroi investigimin e Publikus për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Ky është sulmi i dytë që i bëhet gazetarit Artan Rama nga e njëjta dorë. Herën e parë u censurua emisioni në televizion dhe në shenjë proteste, ekipi i ‘Publicus’ ndërpreu bashkëpunimin me ‘Vizion Plus’. /Hashtag.al