Elvis Kabashi po has probleme edhe në Lega Pro. Futbollisti, i cili para disa vitesh refuzoi Shqipërinë, aktualisht nuk po kalon një moment qetësie as në një nga ligat e ulëta të futbollit italian. Para pak kohësh, ai shihej si talent me shumë të ardhme, mirëpo momentalisht është vetëm pjesë e Pontederas, një skuadër që militon në Lega Pro.
Mediat italiane kanë raportuar se ai është shumë pranë largimit edhe nga kjo skuadër. Sipas “Tuttojuve”, Kabashi po kalon një situatë të vështirë në këtë klub. Kjo për shkak të një debati që ai ka pasur me trajnerin e ekipit.
Sipas lajmit në këtë sajt informativ për futbollistin që ka dalë nga shkolla e Juventusit, trajneri Indiani e ka lënë atë në stol në një ndeshje kundër Komos. U duk sikur çdo gjë u sheshua dhe nuk do të kishte asnjë problem për mesfushorin, por së fundmi është shfaqur sërish një tension i 22-vjeçarit kundrejt teknikut.
Kjo bën që drejtuesit e skuadrës të vihen në lëvizje për të gjetur një zëvendësues dhe sipas lajmit është gjetur një i tillë. Mirko Spigi i Spalm është emri që pritet ta zëvendësojë Kabashin./panoramasport