Ndryshon akciza, rritet menjëherë 20% çmimi i gazit

0
253

 

 

Gazi i lëngshëm për ngrohje po shitet mesatarisht 20% më shtrenjtë në këto ditë të para të vitit, si rezultat i taksave të reja dhe rritjes së kërkesës siç shpjeguan disa nga distributorët e shitjes me pakicë. Një litër gaz kushtoi dje 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 52 lekë që ishte pardje. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve. Në pikat e autorizuara çmimi është edhe më i shtrenjtë, duke variuar nga 80-85 lekë për litër. Çmimi ndryshoi masivisht në të gjitha pikat e shitjes, dhe tregtarët me pakicë shpjeguan se janë rritur taksat. Më 1 janar, hyri në fuqi Paketa e re Fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë. Gjithashtu nuk po funksionojë pikat e autorizuara për furnizimin me gaz për përdorim familjar. Më herët, më 2016, Ministria e Energjetikës, për të mënjanuar aksidentet nga bombolat e gazit, autorizoi pikat të posaçme për shitjen e gazit. Pikat janë të licencuara dhe ofrojnë edhe shërbimin e kolaudimit për bombolat. Fillimisht pikat u përballën me një kërkesë të lartë, pasi karburantet nuk u lejuan më të furnizonin familjarët. Për shkak të kufizimeve në furnizim, çmimi i gazit në pikat e autorizuara u rrit në 80 lekë për litër, gati 30 lekë më shumë.

Për shkak të çmimit të lartë, furnizimi në pikat e autorizuara nuk rezultoi shumë jetëgjatë, pasi karburantet kanë rinisur të furnizojnë familjarët në masë, dhe tashmë edhe me çmime më të rritura.

 

Shtrenjtohet edhe karburanti

Ditët e para të 2017-s janë shoqëruar edhe me një shtrenjtim të çmimit të karburanteve në tregun e brendshëm. Dy operatorë, Alpet dhe Gulf, kanë reflektuar tashmë rritjen e çmimit të naftës me rreth 5 pikë për litër, duke e çuar atë në rreth  174 lekë për litër, nga nën 170 lekë që ishte më parë në autostradë dhe jashtë Tirane, ndërsa brenda kryeqytetit, karburanti ka arritur në 178 lekë. Dy operatorët e mëdhenj, Kastrati dhe Elda, nuk i kanë ndryshuar ende çmimet (Elda e tregton naftën me 166 lekë dhe Kastrati me 167), por ato kanë paralajmëruar shtrenjtim të tyre. Kjo është hera e tretë që ka një valë të shtrenjtimit të çmimeve, që nga janari 2016 kur ato zbritën në rreth 160 lekë për litër.

Si pasojë e taksave shumë të larta, Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në Europë. Sipas Global Petrol Price, në Shqipëri, nafta, sipas të dhënave të 26 dhjetorit ishte 1.31 USD për litër (me rritjen e fundit ka arritur në 1.35), ndërsa në Maqedoni çmimi është 1.13 USD; në Mal të Zi 1.19 USD; në Serbi 1.16 USD; në Bosnjë, 0.97 USD për litër; në Bullgari 1.07 USD; në Rumani 1.22 USD. Shqipëria ka nivele të krahasueshme me Italinë, Zvicrën, Spanjën, Kroacinë, Irlandën, Gjermaninë etj. Operatorët pohojnë se shkak për këtë është barra e lartë e taksave, që llogaritet në 67-70% të kostos.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here