Dëmet e papaguara, AMF “zbutet” me Byronë e Sigurimeve

0
302

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është tërhequr nga kërkesa për një auditim të posaçëm të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, për të zbardhur vlerën e dëmeve të papaguara në vite.

Në tetor të vitit 2016, Bordi Drejtues i AMF kishte urdhëruar një auditim të plotë dhe të detajuar të Byrosë së Sigurimeve nga një kompani e pavarur ndërkombëtare.

Auditimi duhet të jepte një informacion të plotë dhe të qartë të vlerës së dëmeve të papaguara nga Byroja deri më sot, të ndara në dy periudha para vitit 2013 dhe pas këtij viti. Si afat, ishte përcaktuar fundi i janarit 2017.

Megjithatë, pas kundërshtimeve të paraqitura nga Byroja e Sigurimeve, AMF e ka ndryshuar vendimin në fund të muajit Dhjetor. Tashmë, nuk kërkohet më një auditim i posaçëm për periudhën para vitit 2013, por, kjo detyrë do t’i ngarkohet kompanisë që do të auditojë pasqyrat financiare të Byrosë për vitin 2016.

Drejtuesit e kompanive të sigurimeve kanë argumentuar se kostoja e paraqitur nga kompanitë ndërkombëtare për një auditim të posaçëm të gjendjes së dëmeve, të ndara në dy periudha, para dhe pas vitit 2013, ishte shumë e lartë.

Në këto kushte, AMF është tërhequr dhe ka pranuar që auditimi të bëhet nga kompania e përzgjedhur për të audituar bilancin e vitit 2016. Ky vendim në vetvete nuk është shumë i qartë.

Në çdo rast, kompania e përzgjedhur nuk mund të auditojë edhe periudhën para vitit 2016 pa një kosto shtesë, duke qenë se ku ishte argumenti i Byrosë për mospërzgjedhjen e një kompanie për auditim të posaçëm në periudhat e mëparshme.

Megjithatë, në vendimin e ri të AMF-së nuk përmendet më termi “kompani ndërkombëtare”, çka lë të kuptohet se auditimi mund të kryhet nga një audit lokal, me qëllim uljen e kostove.

Sipas një vlerësimi të mëparshëm të AMF, deri në fund të vitit 2013 Byroja Shqiptare e Sigurimeve kishte rreth 1.3 miliardë lekë dëme të papaguara, ndërsa është e paqartë sa prej tyre janë shlyer dhe sa detyrime të reja kanë lindur pas vitit 2013.

Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka kryesisht dy funksione: administrimin e sistemit të kartonit jeshil, që mbulon pagesën e dëmeve të shkaktuara jashtë vendit, por edhe të fondit të kompensimit, që krijohet për mbulimin e dëmeve nga mjetet e pasiguruara në Republikën e Shqipërisë.

Sipas ligjit, këto dëme paguhen nga fondi i kompensimit, ndërsa Byroja e Sigurimeve më tej ka të drejtë të ngrejë një padi regresi, për të kërkuar pagesën e kësaj vlere nga shkaktari i dëmit. Fondi i Sigurimit mbahet kryesisht nga kontributet e shoqërive të sigurimit, sipas pjesës së tregut që ka secila në produktin TPL. RTV scan

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here