Djegia e makinës së Flori Mumajesit, në hetim konfliktet me tre këngëtarë

0
161

Zjarri që përfshiu garazhin e një pallati mbrëmjen e së dielës në Tiranë ka qenë i qëllimshëm dhe objektiv ka qenë automjeti luksoz i kantautorit të njohur Flori Mumajesi.

Ky është konkluzioni i grupit hetimor, që për më shumë se pesë orë qëndroi në vendin e ngjarjes, bashkë më zjarrfikësit, të cilët në kushte mjaft të vështira arritën të vënë nën kontroll flakët vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Në pritje të identifikimit të autorit të zjarrvënies, për të cilin grupi hetimor thotë se është në rrugën e duhur, mësohet se janë ngritur disa pista.

Burimet thanë se po hetohet në disa drejtime, duke nisur që nga konflikti i një viti më parë, që kantautori Flori Mumajesi pati me kantautorin Ernest Duka, i njohur me emrin e artit Stine, me të cilin pati edhe një përplasje fizike në 2015.

Nga ana tjetër po verifikohet edhe një tjetër konflikt, ndonëse virtual, që Mumajesi pati pas “Këngës Magjike”, me vëllezërit Endri e Stefi Prifti.

Nga ana tjetër, nisur nga fakti që makinës së tij iu vu flaka, vetëm pak orë pas publikimit të këngës së re “Nallane 2”, policia po heton nëse ka ndonjë lidhje mes tekstit të këngës dhe autorit të ngjarjes, shkruan ‘Panorama’.

Burimet theksuan se jashtë vëmendjes së grupit hetimor nuk është lënë as ndonjë konflikt për shkak të konkurrencës në biznes, pasi Mumajesi është pronar i një biznesi privat që nuk ka lidhje me muzikën.

Vetë kantautori, i pyetur nga oficerët e policisë për ndonjë dyshim rreth autorëve të ngjarjes, nuk ka mundur të japë asnjë emër konkret, duke u shprehur se nuk ka asnjë konflikt kaq serioz sa për t’i shkatërruar pronën e tij. Policia po verifikon kamerat e sigurisë, ku duket autori i zjarrvënies.

Ngjarja/ Forca të shumta policie dhe gjashtë automjete zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e zjarrit, që mësohet se nisi të përhapej në orën 22:16 të mbrëmjes së të dielës. Në mbyllje të këtij aksioni, fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz, përveç një banori të katit të tretë që, për shkak të asfiksisë, u dërgua për mjekim në spital.

Ndërsa u dogjën plotësisht 3 automjete, mes të cilave makina tip “Mercedez Benz S Class”, në pronësi të Flori Mumajesit, si dhe dy makina të tjera pësuan dëme të konsiderueshme.

Ngjarja ka ndodhur në garazhin nëntokësor të pallatit, në katin e tretë të të cilit ndodhet studioja e produksionit “3 Dots” e Mumajesit, pas Postës nr.8, te sheshi “Willson”, në “Tiranën e Re”.
Në momentin e ngjarjes, vetë kantautori, bashkë me kolegun e tij, Klajdi Haruni, ndodheshin në studio, ndërsa kanë dalë me nxitim për të parë nga afër se çfarë po ndodhte. Në zonë u krijua panik dhe banorët u evakuuan nga policia e zjarrfikësit, për t’u lejuar që të futeshin në shtëpitë e tyre vetëm pas orës 3 të mëngjesit të djeshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here