A do të thotë Ministrja e Arsimit vitin tjetër se i lajmëruam maturantët që në nëntor?

0
257

 

Dr. Ndriçim Mehmeti 

Kaosin e organizuar nga Ministria e Arsimit në procesin e pranimeve në IAL publike Ministrja e Arsimit e justifikoi me faktin se “maturantët ishin lajmëruar që në nëntor të vitit 2015”. Tani që nëntori 2016 po ikën e madje jemi në fundin e këtij viti, a do të thotë përsëri ministrja se i lajmëruam maturantët që në nëntor? Sikurse në Maturën Shtetërore 2016, ka disa pikëpyetje dhe një indiferencë të pakuptueshme institucionale nga MAS, për përgatitjen e infrastrukturës për Maturën Shtetërore 2017. Kur jemi në mesin e dytë të muajit dhjetor, maturantët ende nuk janë njohur programet orientuese të lëndëve të detyruara dhe me  zgjedhje, nuk ka dalë udhëzimi për provimet e MSH, lëndët me detyrim dhe me zgjedhje që do të jepen provim, nuk ka dalë rregullorja e Maturës Shtetërore. Pra me pak fjalë nuk ka asnjë dokument zyrtar në lidhje me Maturën Shtetërore 2017.

Çfarë sjell gjithë kjo zvarritje e procesit?

Së pari janë maturantët që nuk dinë se cilat do të jenë kërkesat që ka Ministria e Arsimit ndaj tyre; Së dyti ata nuk dinë se kush do të jetë kufiri që i lejon të hyjnë në universitetet publike dhe private; Së treti nuk e kanë të qartë nëse provimi me zgjedhje i gjuhës angleze, do të jetë në përputhje me programin mësimor të zhvilluar në shkollë, apo programin e TOEFL-it; Së katërti Drejtoritw Arsimore Rajonale/ Zyrat Arsimore si dhe shkollat ende nuk kanë ngritur Komisionet e Maturës Shtetërore; Së pesti nuk dihet se kur do të bëhet procesi i informimit, këshillimit të karrierës nga universitetet, shkollat dhe MAS për maturantët e vitit 2017; Si do të veprohet me nxënësit shqiptarë dhe të huaj që duan të vazhdojnë studimet në Shqipëri? Nuk është ende e qartë se kur do të jetë procesi i plotësimit të Formularit A1 dhe A1Z dhe mbi të gjitha nuk dihet se kush do ta menaxhojë procesin e Maturës Shtetërore 2017, MAS, IAL, RASH, AKP,  apo QShA që e ka detyrim  ligjor dhe ende nuk është ngritur. Nëse një vit më parë gjithçka u justifikua me thënie të tilla si: “ishte hera e parë që zbatohej ligji dhe do kishte probleme”, “prindërit dhe maturantët nuk e kuptuan mirë procesin”, çfarë justifikimi ka tani?

Përse MAS në vetëdije të plotë nuk i jep asnjë rëndësi një procesi kaq jetik për të ardhmen e maturantëve?

Përgjigjja e parë është për shkak të paaftësisë totale institucionale të Ministrisë së Arsimit, që sa vete e thellohet. Ka një mungesë të pa tolerueshme të vendimmarrjes, që në raste të tilla luan një rol të jashtëzakonshëm në ecurinë e procesit. Nuk dihet ende nëse Komisioni i Maturës Shtetërore në MAS është ngritur dhe nëse po si shpjegohet fakti që ende nuk ka prodhuar asnjë dokument zyrtar apo qoftë informues për publikun, në lidhje me procesin e Maturës Shtetërore 2017? Po ashtu nuk dihet përse Ministria e Arsimit nuk ka marrë nismën ligjore për ngritjen e institucionit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, në përputhje me Nenin 74 të Ligjit të Arsimit të Lartë? Dhe sikur të mos mjaftojë e gjithë kjo pa përgjegjshmëri institucionale, shtihet fakti që nuk ka qoftë edhe një komunikim verbal me maturantët, se si ata duhet të operojnë në mënyrë, që në fund MAS të mos ua hedh topin të rinjve për atë që ata nuk arrijnë ta kuptojnë as vetë si institucion. Por duket se për Ministrinë e Arsimit dhe titullarin e saj, kjo është gjëja e fundit që e shqetëson. Ministria e Arsimit ka shumë më tepër vëmendje ndaj ngjarjeve më të rëndësishme dhe veprimeve, që sipas saj marrin rëndësi të dorës së parë, siç janë: Dërgimi i letrave të personalizuara nga ministrja Nikolla për mësuesit; takime me “mësuesit” e dalluar që në fakt janë drejtuesit e partisë në shkollë; ngritja dhe funksionimi i menjëhershëm në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit i një kafeneje luksoze në shërbim të çlodhjes së kupolës drejtuese që i këput duke punuar; deklaratat bombastike për ndërtim shkollash të reja etj.

Po cila është agjenda e MAS dhe qeverisë në këtë fund viti?

Matura është halli i fundit për MAS, veçanërisht tani në prag fushate elektorale. Padyshim që ka më shumë rëndësi të bindim mësuesit se rritja e rrogës 10% në katër vjet është më shumë se rritja 120% në 8 vjet. Ka më shumë rëndësi të themi se mësuesit janë më të mbrojtur me tani me kontratën kolektive me afat 18 muaj sesa kontrata kolektive 4 vjeçare. Ka më shumë rëndësi të flasim për krimin, Lungomaren e gjithfarë çështjesh që i vinë në mend Kryeministrit Rama përpara mësuesve, sesa për arsimin dhe vetë mësuesit. Ka shumë rëndësi që të mos i shpërblejmë mësuesit, me më shumë sesa me një letër dashurie nga ministrja Nikolla. Ne dalim qytete më qytete për të takuar mësuesit, por kur ata vijnë në dyert e Ministrisë së Arsimit, ne kyçemi brenda e nuk i dëgjojmë.

Po për maturantët çfarë është e rëndësishme të dinë?

Sipas kryeministrit ata duhet të dinë që Matura Shtetërore 2017, “do të jetë e vështirë”, “duhet të shtrëngohen të mësojnë”, “10 e gjimnazit “Ali Demi”, nuk është e njëjtë me të një gjimnazi në një vend të humbur”, se ai vetë e ka ndritur kur ishte në shkollë e pallavra të tilla. Detyrën e tij për të nxjerrë VKM-në për notën mesatare, kryeministri e quan një gjë të parëndësishme, pasi edhe vitin e kaluar në mungesë dhe me porosi me këtë punë u mor zëvendësi i tij Niko Peleshi. Detyrën që të marri në shqyrtim faktin se përse MAS vonon nxjerrjen e kateve nënligjore për Maturën, kryeministri e quan thjesht një humbje kohe. Natyrisht që edhe detyrimin për zbatim të ligjit të Arsimit të Lartë, kaq shumë të mbrojtur prej kryeministrit, ky i fundit nuk është se e ka me shumë merak. Daljet televizive, ndërrimi i xhupave, bluzave, paraqitjes sa më trendi në jug, Shqipërinë e Mesme e në Veri është kthyer në një hall të madh shtetëror e kryeministror. Sa për maturantët ata ja dalin vetë hallit të tyre. Edhe nëse nuk ja dalin kryeministri, ministrat dhe sejmenët e tyre i kanë gati argumente e zakonshme: “Ata nuk janë ekselent”, “nuk do të bëhen të gjithë juristë dhe mjekë”, “janë pesanjosa”, “janë të shtyrë nga opozita etj. Nëse me shumë gjasa do të gjenerohet i njëjti proces si vitin e kaluar, kush do ta ketë fajin në pikëpamje institucionale?

Natyrisht që IAL, jo MAS. Nëse Ministria e Arsimit dhe qeveria e kanë seriozisht çështjen e autonomisë së IAL-ve publike, atëherë le të nxjerrin një udhëzim, ku të gjithë procesin e pranimeve ta menaxhojnë universitet dhe MAS vetëm të koordinoje e monitorojë ligjshmërinë e këtij procesi. Por as kjo nuk ka për të ndodhur, për sa kohë edhe vetë MAS nuk e di sesi duhet të operohet me Maturën Shtetërore. Dhe për sa kohë, padituria e Ministrisë së Arsimit do të vazhdojë, për aq kohë do të kemi edhe thellimin e hendekut të padrejtësisë sociale, mungesës së arsimit cilësor, rritjen e braktisjes shkollore në dëm të të rinjve. Por gjithsesi  qeveria,  MAS dhe drejtuesit e kësaj të fundit mund të rrinë të qetë, për  sa kohë vëmendja ën muajin qershor do të jetë tek zgjedhjet sesa tek provimet, tek karriget e deputetëve dhe fati i kryeministrit Rama, sesa tek e ardhmja e të rinjve. Prandaj edhe politikat e ndërmarra deri tani meritojnë të quhen për “Arsimin e Gjeneratës së Sakrifikuar”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here