Shefi i departamentit për Integritetin dhe Disiplinën në UEFA, Emilio Garsia, zbulon një tjetër prapaskenë të çështjes “Skënderbeu”, që ka të bëjë me institucionet në Shqipëri. Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka zbardhur dje një tjetër ekstrakt të fjalimit të Garsias në Konventën Ndërkombëtare të Sportit në Gjenevë për çështjen e manipulimit të ndeshjeve.
Zyrtari i lartë i UEFA-s shpreh hapur rezerva për autoritetet shqiptare, të cilat, sipas tij, nuk kanë bashkëpunuar për çështjen e klubit të Skënderbeut. “Kemi bërë disa udhëtime drejt Shqipërisë, por vitin e kaluar ne kuptuam se kishim humbur mjaftueshëm kohë dhe parà. Ishte shumë e vështirë të punoje me autoritetet lokale shqiptare”, ka deklaruar Garsia, duke akuzuar direkt institucionet që duhet të merren në Shqipëri me çështjen e manipulimit të ndeshjeve.
Mungesa e bashkëpunimit me FSHF-në dhe Prokurorinë e ka zhgënjyer UEFA-n, që gjithsesi në hetimin për Skënderbeun, ndër të tjera, ka renditur 53 ndeshje si të dyshuara për trukim nga viti 2010 deri në 2015-ën. Paralajmërimi – UEFA ka paralajmëruar klubin kampion të Shqipërisë me një masë drastike, që nuk dihet ende se kur do të zyrtarizohet nga Komisioni i Disiplinës.
Ai që zbuloi këtë lajm të keq për korçarët ishte as më pak e as më shumë, por vetë njeriu që merret direkt në UEFA me ndeshjet e fiksuara për qëllime bastesh. “Organet disiplinore të UEFA-s po marrin në konsideratë masa disiplinore të vërteta. KAS-i Lozanës mbështeti këndvështrimin tonë të bazuar mbi luhatjet e koeficienteve dhe shumave të hedhura nga bastet sportive.
Kjo ishte hera e parë kur ne ishim të aftë të tregonim para KAS-it një seri të gjatë raportimesh. Shifrat nuk gënjejnë dhe luhatjet e basteve gjithashtu”, ka thënë Garsia, duke insistuar se gjyqtarët e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë pranuan se monitorimi i basteve është “një evidencë e besueshme”.
Mbrojtja e drejtuesve të Skënderbeut, që pas dënimit të dhënë nga UEFA, ishte e bazuar pikërisht mbi faktin se pezullimi kishte qenë 1-vjeçar, duke e cilësuar gjithçka si aludim dashakeq dhe të pamotivuar. Ndërkohë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Federata Shqiptare e Futbollit.E.K/panoramasport