Viti 2015, ja kush janë subjektet që siguruan fitimet më të larta

0
238

–  Gjithë shifrat sa kanë fituar “dinosaurët” e ekonomisë shqiptare

“Monitor”

Në një treg, që vepron në kushtet e një ekzekutivi që tenton gjithmonë e më shumë të bëhet autoritar dhe mbi ligjin, të një drejtësie që i privilegjon “të fortit”, dhe me një ekonomi që rritet pak ose aspak, ku shumë sektorë janë maturuar dhe konsumi sa vjen e po tkurret, bëhet gjithnjë e më e vështirë që bizneset të gjenerojnë fitime të kënaqshme. Po nuk pate pronësi publike, po nuk veprove në një treg pothuajse monopol si rrjedhojë e kontratave të favorshme, apo nuk ke kontrata me institucionet shtetërore dhe kompanive publike të energjisë, vuajtjet do të jenë të mëdha për të mbajtur në këmbë aktivitetin dhe e ardhmja duket vetëm të përforcojë këto tendenca. Dhe kjo ndodh në një treg ku konkurrenca ka shembuj totalisht të kundërt, me disa sektorë, të cilët kanë arritur ashpërsi ekstreme dhe që janë në gjendje “xhungle natyrore” dhe disa të tjerë, ku vetëm për konkurrencë nuk flitet.

Janë pikërisht kompanitë shtetërore të energjisë, koncesionarët, disa firma ndërtimi, nënkontraktorët e shërbimeve në fushën e energjisë, por edhe bankat, që kanë qenë ndër bizneset më të suksesshme në Shqipëri vitin e kaluar, në këndvështrimin e fitimeve që kanë realizuar. Sipërmarrje të tjera, si telekomunikacionet, që dikur ishin më fitimprurëset, po ndiejnë efektet e avancimeve teknologjike dhe të shërbimeve alternative në internet, por edhe frenimin e konsumit. Edhe nënkontraktorët e naftës, që deri vitin e kaluar kishin një rentabilitet shumë të lartë, kanë vuajtur koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare dhe, me sa duket, edhe efektet e situatës së turbullt dhe pa një perspektivë të qartë në sektorin në tërësi në vend. Amullia e ARMO-s, shitja e Bankers, konflikti AKBN–Bankers apo edhe largimi i ndonjë lojtari në këtë sektor janë simptoma të mjaftueshme për të sinjalizuar një gjendje jo të shëndetshme në të.

Tregtuesit me shumicë të naftës dhe produkteve ushqimore vijojnë të deklarojnë norma të ulëta fitimi. Sipërmarrjet prodhuese dhe eksportuese, që janë të renditura ndër 100 më të mëdhenjtë sipas qarkullimit vjetor, as që figurojnë në listën e subjekteve me kthime të kënaqshme të të ardhurave. Nga lista e 100 sipërmarrjeve me fitime më të mëdha në vend, 28 prej tyre kanë njohur rënie të fitimeve, 3 kanë kaluar nga humbje në fitime dhe të tjerat (69) kanë parë përmirësim të rentabilitetit. Biznesi i 100 në listë kishte një fitim para taksave prej rreth 1.3 milionë eurosh. Ndërsa 31 subjekte kanë dalë nga kjo listë, pasi fitimet e tyre kanë rënë nën 1.3 milionë euro dhe ata janë zëvendësuar nga kompani të tjera, që në 2015-n kanë njohur një rritje të kthyeshmërisë nga aktiviteti.

Norma mesatare e fitimeve luhatet nga 2% kryesisht në tregtimin e hidrokarbureve dhe distributorëve te 10-20% në ndërtim e aktivitete të tjera, bankat me 30-40%, për të arritur dhe deri në 80% në disa sipërmarrje, kryesisht në fushën e shërbimeve. Në vitin 2015 kanë raportuar norma të larta fitimi edhe nënkontraktorët që kanë punuar me kompanitë publike energjetike.

Po cilat janë 10 kompanitë që kishin më shumë fitime në vitin 2015.

  1. OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), që operon në tregun e rregulluar të prodhimit e shpërndarjes së energjisë elektrike, është kompania me fitim më të lartë në Shqipëri në vitin 2015, me 18.2 miliardë lekë (para taksave), apo rreth 130 milionë euro, duke përfshirë dhe të ardhurat e jashtëzakonshme që erdhën pas aksionit për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë. Ky fitim i lartë vjen pas humbjeve prej 2 miliardë lekësh të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave operative dhe ulja e shpenzimeve kanë ndikuar në përmirësimin e rezultatit financiar të operatorit të energjisë, që deri në 2014-n ishte një ndër kompanitë më problematike në Shqipëri. “Rezultatet e aksioneve të ndërmarra gjatë vitit 2015 i kaluan të gjitha pritshmëritë, ku që prej 3-mujorit të parë 2015, shoqëria arriti për herë të parë të ketë një rezultat financiar pozitiv, që prej krijimit të saj në vitin 2007. Brenda një kohe shumë të shkurtër, shoqëria ka mundur të arrijë rezultate të jashtëzakonshme, duke bërë të mundur kalimin nga një situatë humbjesh të njëpasnjëshme të regjistruara në vitet e mëparshme, të fillojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të akumuluara prej shumë vitesh”, thotë z. Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Sipas z. Çela, kompania ka deklaruar një rezultat financiar pozitiv, për herë të parë që prej krijimit të shoqërisë, duke regjistruar një fitim prej 11.5 miliardë lekësh nga aktiviteti i shoqërisë (pa përfshirë të ardhurat e jashtëzakonshme). Ai shton se ky fitim erdhi si rezultat i disa faktorëve kryesorë siç ishin: rritja e të ardhurave nga energjia me 7 miliardë lekë ose 16% më shumë; reduktimi i shpenzimeve për blerjen e energjisë me 3.8 miliardë lekë, si rezultat i tkurrjes së humbjeve, si dhe blerjes së energjisë nga importi me çmim më të ulët; reduktimi i shpenzimeve operative me 4 miliardë lekë, ose 37% më pak, pavarësisht intensitetit të lartë të punës dhe rritja e fuqisë punëtore gjatë 2015-s.

Megjithatë, auditorët e pavarur kanë refuzuar dhënien e opinionit në raportin e auditimit të vitit 2015 për bilancin 2015, për shkak se nuk ishin në gjendje të siguronin të dhëna të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi. Një ndër elementet e refuzimit lidhej pikërisht me pasigurinë në vijimësinë e kompanisë. “Humbjet e mëdha që ka pësuar shoqëria në vite dhe deficiti i ndjeshëm në kapitalin neto konfirmojnë situatën e vështirë financiare ende të brishtë, megjithëse shoqëria është vendosur në administrim 100% nga qeveria. Pasqyrat financiare të shoqërisë për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2015 raportojnë një fitim neto prej rreth 15.5 miliardë lekësh dhe një kapital negativ prej 55.7 miliardë lekësh. Viti 2015 paraqet një përmirësim të rezultatit pozitiv prej 15.49 miliardë lekësh (humbja në 2014 ishte 4.5 miliardë lekë). Shoqëria duhet të sigurojë qëndrueshmëri të këtij rezultati për të paktën dy deri në tre vjet radhazi, që ajo të mund të dalë nga kjo gjendje financiare dhe të sigurojë vijimësi normale dhe bindëse për palët e interesuara dhe përfundimisht të bëhet materializimi i këtij plani rimëkëmbje energjetike për OSHEE. Rrjedhimisht, ekzistenca e pasigurisë në lidhje me vijimësinë mund të çojë në ndryshime të vlerësimeve financiare që mund të ndikonin materialisht pasqyrat financiare”, thuhet në raportin e auditorëve të pavarur.

2-4 BKT, Raiffeisen, Intesa San Paolo

Tre banka renditen njëra pas tjetrës në listën e kompanive me fitime më të larta në vitin 2015. BKT, që në 2014-n ishte subjekti me fitime më të mëdha në vend, këtë vit ka kaluar i dyti, duke ia lënë vendin operatorit të shpërndarjes së energjisë. Fitimet e BKT-së u rritën me 21% në 7.3 miliardë lekë. BKT është banka më e madhe në vend për sa u përket aseteve, depozitave e kredive.

Raiffeisen Bank, banka e dytë më e madhe në vend, ka arritur të ruajë fitime prej 4.1 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë në raport me një vit më parë.

Intesa Sanpaolo ka rritur fitimet para taksave me 7.4% në 2.7 miliardë lekë, duke u renditur e pesta nga lista e 100 sipërmarrjeve. Krahas një uljeje më të shpejtë të interesave të depozitave se sa atyre të kredisë, si një element që ka ndikuar direkt në rritjen e marzheve për këto banka dhe për sektorin bankar në përgjithësi, ato kanë përfituar edhe nga rikthimi i provizioneve të bëra për një pjesë të kredive të këqija që kanë arritur të ekzekutojnë apo të ristrukturojnë në mënyrë të suksesshme në vitin 2015. Disa prej bankave më të mëdha në vend nuk po arrijnë të balancojnë rezultatin e tyre dhe vijojnë të vuajnë peshën e provigjonimeve për kreditë e këqija, që qëndrojnë në nivele tepër të larta në rang sistemi dhe më të larta në disa banka të tij në veçanti.

  1. Tirana International Airport

Tirana International Airport (TIA) është një ndër kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Për vitin 2015, fitimi i saj vjetor arriti në gati 2 miliardë lekë, me një rritje prej 32% me bazë vjetore. Operatori, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit dhe që në mars të këtij viti mori një zgjatje të afatit të koncesionit edhe për dy vite të tjera, në këmbim të “tolerimit” të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, ka deklaruar një normë fitim rekord prej 41% në 2015-n, nga 35% që ishte ky marzh vitin e mëparshëm.

Krahas zgjatjes për “tolerimin” në lidhje me Aeroportin e Kukësit, në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare.

Pak pas rishikimit të marrëveshjes koncesionare, grupi i shërbimeve financiare, China Everbright, me bazë në Hong Kong, njoftoi zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e aksioneve të kompanisë që administron të drejtat koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës për një vlerë prej 82.5 milionë eurosh.

  1. Aleat

Aleat është koncesionari që ka marrë të drejtën e prodhimit të dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë, që ka lulëzuar në vitin 2015. Të ardhurat e tij u rritën me 71% në vitin 2015 për të arritur në 6.6 miliardë lekë, ndërsa fitimi i realizuar u shumëfishua nga 86 milionë lekë në 1.6 miliardë lekë, duke e katapultuar në vendin e 6, nga e 84 që kishte qenë në renditjen e mëparshme në lidhje me fitimin absolut të realizuar.

  1. Vodafone Albania

Vodafone Albania është operatori i dytë në tregun e rregulluar të telefonisë në aspektin e xhiros së realizuar, dhe sipas të dhënave të raportuara nga tatimet, Vodafone renditet i shtati në listën e 10 më të mëdhenjve, me fitime prej 1.56 miliardë lekësh, me një rënie prej 25% në raport me vitin e mëparshëm. Ndërsa në bilancin zyrtar, Vodafone ka raportuar fitime minimale (shih nënndarjen në vijim për telekomunikacionet).

  1. KESH

Operatori publik i prodhimit të energjisë elektrike, aktualisht ende prodhuesi më i madh në tregun e energjisë elektrike, KESH, ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar, nga një humbje prej 22 miliardë lekësh, në një fitim para taksave prej 1.45 miliardë lekësh. Rritja e të ardhurave me 25% dhe rënia e ndjeshme e shpenzimeve ka ndikuar në këtë ecuri. Në vitin 2014, KESH shënoi një humbje nga rënia në vlerë prej 19 miliardë lekësh, që ishte faktori kryesor që e çoi atë drejt një humbjeje të thellë. “Për vitin 2015, KESH realizoi 100% arkëtimet nga OSHEE për faturimet e vitit dhe nuk krijoi borxhe të reja dhe shpenzime për penalitete për vonesa në pagesa. Këto zhvillime, bashkë me uljen e shpenzimeve operacionale dhe ato për interesa, kanë ndikuar në performancën e kompanisë më 2015”, pohon Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Agron Hetoja.

Sipas bilancit 2015, KESH ka ende të pambledhura nga klientët 92.8 miliardë lekë, nga të cilat ka provigjionuar 40.6 miliardë lekë dhe pret të arkëtojë rreth 52 miliardë lekë, pjesa më e madhe e të cilave (rreth 92%) nga familjarët.

Në total, KESH kishte në fund të vitit 2015 një stok huash prej 75.5 miliardë lekësh, nga bankat dhe qeveria, me rënie prej gati 10% në raport me vitin e mëparshëm.

Sipas një vendimi të fundit të ministrit të Energjisë, i gjithë fitimi neto i vitit 2015 të KESH do të shkojë për mbulimin e humbjeve të vitit të mëparshëm.

Edhe në rastin e KESH, auditorët e pavarur kanë dhënë opinion me rezervë, kryesisht për shkak se nuk ka parashikuar zhvlerësim për faturat e paarkëtuara prej më shumë se një viti, moskrijimin e provizioneve për vendimet gjyqësore, mosrakordim në shumën totale të kredive etj.

  1. Kastrati sh.a.

Të jesh i madh nuk do të thotë domosdoshmërisht të fitosh më shumë. Kastrati sh.a., që renditet sipërmarrja më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor, me të ardhura prej 51.4 miliardë lekësh, është e 10-a në lisën e kompanive me fitime më të larta, me 1.25 miliardë lekë dhe rënie prej gati 13% në raport me një vit më parë. Normat e fitimit të kompanisë kanë mbetur minimale, në rreth 2%, që është marzh karakteristik i sektorit të tregtimit me shumicë të karburanteve.

  1. OST

Një tjetër operator i tregut të rregulluar të prodhimit, transmetimit e shitjes së energjisë elektrike, Operatori i Shpërndarjes e Transmetimit (OST) ka rezultuar me një fitim prej 1.2 miliardë lekësh, pothuajse përgjysmim në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e të ardhurave me 8% dhe rritja e shpenzimeve (kryesisht nga humbjet prej rënies në vlerë të aseteve) kanë bërë që operatori i transmetimit të energjisë të njohë ulje të fitimeve në 2015-n.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here