Drejtuesi i një makine është vënë në pranga pasi akuzohet se ka qenë duke transportuar një sasi prej 10 kilogramësh kanabis sativa në formë boçesh. Ai është arrestuar në doganën e Kapshticës në tentativë për të hyrë në Greqi.
Në pranga është vënë Dorjan Braho, 38 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë.
Arrestimi i tij është bërë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë (në dalje të Republikës së Shqipërisë) nga shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur kameren fibroskop në mjetin në pronësi të tij tip “Volksvagen” me targa AA 904 PB, në pjesën e serbatorit, u evidentuan dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 34 shishe plastike të mbushura me lëndë të dyshuar si kanabis me peshë rreth 10 kg.
Braho u arrestua në kushtet e flagrancës ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë”.