Një tjetër denoncim vjen nga ana e përfaqësuesve të opozitës në Kolonjë për zgjedhjet që janë zhvilluar sot për kryetarin e Bashkisë ku kandidojnë Ilia Stefo nga koalicioni i majtë ASHE dhe Dritan Hajro nga koalicioni i djathtë. Madje kësaj radhe denoncimi është bërë me zë e figurë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, një qytetare thotë se i kanë ofruar 25 euro që të votojë për kandidatin e majtë, por në fakt ajo jep vetëm konfirmimin kur pyetet nga komisioneri i PD. Në video përmendet dhe emri i zv.kryeministrit Niko Peleshi, duke thënë se paratë janë ofruar prej tij. Nga ana tjetër videon e ka publikuar edhe vetë kandidati i majtë Ilia Stefo, i cili thotë se këto janë justifikime për humbjen e merituar. “Ja edhe videoja qesharake e PD. Komisioneri i PD vete pyet, vete pergjigjet. Keqardhje per justifikimet donkishoteske te humbjes se merituar”, shkruan Stefo në Facebook.