Familja Zogu/ Historia e ikjes dhe e kthimit në Shqipëri

0
766
King_Zog_and_Queen_Geraldine_of_Albania_in_Sweden___July_20_1939
April 1938, Tirana, Albania --- King Zog I of Albania marries Countess Geraldine Apponyi of Hungary. --- Image by © Lucien Aigner/CORBIS
italienministredesaffairesetrangresetleroizogdalbanie1895-1961mai1937

Familja Zogu mbërriti në Tiranë në qershor të vitit 2002, duke i dhënë fund një mërgimi 63 vjeçar. Një avion “Boing 727” i kompanisë “Million  Air”, solli nga aeroporti Lanceria i Johanesburgut, ish Mbretëreshën Geraldine, Leka Zogun, pjesëtarët e ish Familjes Mbretërore, stafin e tyre të ngushtë dhe një pjesë të personelit të shërbimit

Largimi i Mbretit dhe i familjes së tij nga Shqipëria

Më 27 prill të vitit 1938, me një ceremoni madhështore të zhvilluar në ambientet e Pallatit Mbretëror në Tiranë, Mbreti I i shqiptarëve, Ahmet Zogu, vuri kurorën martesore me princeshën Geraldine Apony, e cila rridhte nga një familje aristokrate. Çifti mbretëror nuk mundi të jetonte më shumë se një vit në Shqipëri , sepse më 6 prill 1939, kur atyre kishte vetëm dy ditë që u kishte lindur trashëgimtari, u detyruan që të largoheshin nga Shqipëria për në Greqi. Shkaku i largimit të familjes Mbretërore nga atdheu ishte agresioni italian në Shqipëri. Mbretëresha Geraldinë së bashku me djalin dhe njerëzit që e shoqëronin, më 6 prill 1939 kaloi kufirin dhe hyri në territorin grek duke u vendosur në qytetin e Follorinës. Një ditë më pas u bashkua me ta edhe Mbreti Ahmet Zogu. Mbreti Jorgos i Greqisë duke mos dashur të hynte në konflikte me Italinë , i sugjeroi Mbretit Zog që të vazhdonte udhëtimin e tij më në lindje , ku ai do të ishte më i qetë dhe do të kishte ndihmën e pakursyer të miqve të tij të vjetër.

Prill 1939, në Greqi dhe Turqi

Nga mesi i muajit prill të vitit 1939, Mbreti Ahmet Zogu me Oborrin e tij Mbretëror dhe rreth 2000 besnikët e tij, u nis nga Greqia dhe mbërriti në Stamboll të Turqisë. Aty dolën për ta pritur me mijëra vetë kryesisht shqiptarë të vendosur aty prej vitesh, të cilët përshëndetën ardhjen e tij dhe shprehën zemërim për pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste. Mbreti Zog me gjithë mbështetjen që gjeti në Turqi vendosi të largohej, pasi e ndjente veten krejt të izoluar nga shtetet Perëndimore të Europës ku dhe luhej e gjithë politika. Ai vendosi të largohej në Francë e cila i kishte dhënë më parë garancinë se pranonte ta priste Mbretin Zog me gjithë suitën mbretërore. 

Gusht 1939, në Francë dhe në Angli

Udhëtimi i Mbretit Zog zgjati disa muaj duke udhëtuar nga Turqia në Bullgari, Rumani, Poloni, Suedi dhe prej andej mbërriti në Paris. Gjatë këtij udhëtimi të gjatë në ndalesat që u bënë në Bukuresht dhe në Varshavë, Mbretin Zog kishin dal për ta pritur me mijëra vetë të cilët shprehnin simpatinë për Familjen Mbretërore. Ai nuk qëndroi për shumë kohë në Francë , pasi ajo rrezikohej të pushtohej nga Gjermania, dhe kështu ai vazhdoi udhëtimin e gjatë për të mbërritur në Angli. Në Angli Mbreti Zog si fillim u vendos në një hotel të Londrës dhe më pak u largua për në një qytezë të vogël jo shumë larg Londrës. Një nga pasuritë që kishte mundur të merrte me vete Familja Mbretërore ishte edhe një “Mercedes” të cilin atyre ua kishte bërë dhuratë Hitleri me rastin e martesës së Ahmet Zogut me Geraldinën. Mbreti Zog këtë makinë ia dhuroi Kryqit të Kuq të Anglisë. Gjatë qëndrimit në Angli, ai, bëri tentativa me autoritet e larta britanike për t’u kthyer në Shqipëri por duke qenë se anglezët e kishin njohur pushtimin e Shqipërisë nga Italia ata e kishin të pamundur të njihnin qeverinë shqiptare në mërgim.

1945, në Egjipt

Viti 1945 shënoi edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore, gjë e cila i shoi edhe shpresat e Mbretit Zog për tu rikthyer në Shqipëri. Mbreti Zog vendosi kështu të largohej nga Anglia për në Egjipt ku në fuqi ishte Mbreti Faruk. Atje Zogu me familjen e tij u vendos në një vilë luksoze në Aleksandri. Gjatë qëndrimit atje Ahmet Zogu ndërmori një udhëtim në SH.B.A. ku pati disa takime në Departamentin e Shtetit. Autoritetet amerikane i ofruan Zogut zbarkimin e disa besnikëve të tij në Shqipëri, të cilët do të përgatisnin situatën për të rrëzuar Qeverinë Komuniste atje. Ndonëse amerikanët e mbajtën fjalën nuk u bë e mundur që Zogu të kthehej në Shqipëri. Ndërkohë në Tiranë u ekzekutuan njerëzit besnikë të Zogut. Gjatë qëndrimit në Egjipt, Leka u shkollua ne “Victory Collage” ku dhe u diplomua. Pas rënies së Mbretit Faruk dhe ardhjes në fuqi të Naserit, ai vendosi të largohej nga Egjipti.

Gusht 1956, në Francë

Në gusht 1956 Mbreti Zog u vendos në qytetin Cannes në Francën Jugore, dhe më pas u shpërngul në Paris. Aty ai qëndroi deri në vitin 1961 kur gjendja e tij shëndetësore u rëndua keqas dhe Mbretëresha Geraldine e shtroi në një nga klinikat më moderne të Parisit. Ai mbylli sytë përgjithmonë në 6 prill të atij viti në moshën 65 vjeçare. Pak ditë më vonë në bazë të Statutit të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928 princi Leka në praninë e qindra shqiptarëve të ardhur nga shumë shtete të botës bëri betimin në hotelin “Bristol” duke u shpallur Mbreti Leka I.

1961, në Spanjë

Mbretëresha Geraldinë dhe Leka u larguan nga Franca drejt Spanjës sepse aty ishte në fuqi Gjenerali Franko I cili u siguroi atyre një jetë krejt të qetë. Atje Leka vazhdoi përsëri studimet në “Royal Academy” e më pas u diplomua në shkencat politike në Sorbonë të Francës. Në Madrid ku ai jetonte me të ëmën takonte eksponentë antikomunistë e bisedonte me ta për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës. Më 10 tetor 1975, u martua me mbretëreshën Suzanë që kishte lidhje gjaku me familjen mbretërore të Anglisë.

1978, në Afrikën e Jugut

Pas largimit nga Spanja, Leka Zogu  u vendos në Afrikën e Jugut. Pas shumë vite qëndrimi në Afrikën e jugut, në verën e 1994, pas shembjes së diktaturës në Shqipëri,  Leka i shoqëruar nga Ministri i Oborrit Abedin Mulosmani erdhi në Tiranë, ku ai nuk qëndroi më shumë se 48 orë. Arsyeja e largimit të tij u komunikua nga media zyrtare me faktin se ai nuk kishte ardhur si një qytetar i zakonshëm por me pasaportën e Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, gjë e cila binte ndesh me ligjet e shtetit shqiptar në fuqi.

Prill 1997, ardhja në Shqipëri

Në Prill të vitit 1997 teksa Shqipëria gjendej e zhytur në kaos për shkak të shembjes së firmave piramidale, Leka Zogu, mbërriti në Tiranë. Ai mori pjesë në fushatën elektorale për zgjedhjen e formës së regjimit në Partinë e Legalitetit duke vajtur pothuaj në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Në këto zgjedhje Monarkia fitoi 36% të votave sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky rezultat u shpall i falsifikuar nga Leka Zogu. Nisur nga kjo, tre ditë pas zgjedhjeve,  Partia e Legalitetit organizoi një miting proteste ku simpatizantët e saj bashkë me Leka Zogun marshuan drejt qendrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku pati edhe konfrontime me policinë. Pak ditë më pas u hap një proces hetimor ndaj Leka Zogut, por më pas, ii përfitoi një amnisti falë të cilës  e gjithë familja Zogu mundi të kthehej përfundimisht në atdhe, në qershor të vitit 2002. Pak muaj pas ardhjes në Tiranë, më 22 tetor 2002, ish mbretëresha, Geraldine Zogu, ndërroi jetë. Ishte 87 vjeç.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here