Rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja
Ervin Kaduku
Duke dalë sërish dje para medias, ministri i Financave Arben Ahmetaj bëri një apologji të pastër të buxhetit të ri, që ka marrë tashmë OK e qeverisë dhe pret që, nga dita e hënë, të kalojë në shqyrtimin e komisioneve parlamentare. Duke qenë i lirë nga prania e përfaqësuesve të FMN-së, institucion, të cilit tashmë qeveria “Rama” i ka kthyer publikisht krahët, Ahmetaj paraqiti një draft që, sipas tij, është “më i miri i të gjitha kohërave”.
Por, a është vërtet kështu?
Në fakt, në projektbuxhetin e vitit 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh). Megjithëse në fondin e investimeve është futur edhe mbështetja buxhetore për importin e energjisë, sërish zëri i investimeve është poshtë normës 5%, që vendet në tranzicion duhet të zbatojnë sipas rekomandimeve të FMN-së. Për vitin 2017 janë planifikuar 36.5 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Ministria e Financave argumenton se në planifikimin e investimeve për vitin 2017 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si në 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim. Por askush nuk i jep përgjigje pyetjes së thjeshtë: ku janë këto investime, për të cilat kanë lindur borxhe të reja?!
Taksat
Nga ana tjetër, qeveria ka planifikuar në buxhetin 2017 që në janar të vitit të ardhshëm të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm në nivelin 3 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Duke llogaritur që importi vjetor i gazit të lëngshëm është rreth 100 mijë tonë në vit, efekti në të ardhurat buxhetore do të jetë 540 milionë lekë nga akciza dhe 107 milionë lekë nga TVSH. Në total, 647 milionë lekë.
Për të mos ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga përdoruesit familjarë të industrisë dhe për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin, duke aplikuar nivele të diferencuara, me qëllim inicimin e procesit të përafrimit siç edhe ka ndodhur me produktet e tjera të akcizës, është propozuar një nivel minimal taksimi 3 lekë për litër. Gjithsesi, kjo është një rritje e pastër taksash.
Ku përfundoi amnistia?
U premtua shumë, por përfundoi me pak gjë. Fjala është për amnistinë e premtuar fiskale. Financat vërtet falin disa nga gjobat e stër-vjetra, por kjo bëhet me një qëllim të caktuar. Ndërsa efektet e pritshme të projektligjit për faljen e një pjese të gjobave me kusht pagimin e detyrimit tatimor rreth 2.5 miliardë lekë. Qeveria duket se është duke i dhënë dorën e fundit një projektligji që fillimisht u trajtua si amnistia më e madhe fiskale e ndërmarrë ndonjëherë në vend, por për shkak të kushtëzimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të finalizohet si një falje e pjesshme e gjobave.
Negociatat
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, konfirmoi edhe një herë sot se pati negociata të vështira, por konstruktive me FMN-në për buxhetin 2017. Sipas Ahmetajt, do të kemi edhe këtë vit deficit primar. Ministri i Financave tha se në buxhetin e vitit 2017 do të financohen disa reforma. Do të vijojë financimi për reformën territoriale. Ai tha se granti i qeverisë qendrore ndaj bashkive do të kushtëzohet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Do të financohet reforma e sektorit të ujit dhe ka të bëjë me miradministrimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve në territor. Reforma e tjetër është ajo e administratës publike dhe ka në themel rritjen e pagave me 10% për arsimin, shëndetësinë, policinë dhe administratën publike me 7%. Do të vijojë reforma për kompensimin e pronës dhe për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë, tha Ahmetaj, sipas skenarit të miratuar në ligjin e ri të 2015. Reforma në shëndetësi do të zgjerojë listën e rimbursimit, tha Ahmetaj. Buxheti i vitit 2017 merr përsipër listën e aprovuar, listën e rimbursueshme për të gjithë shqiptarët. Shtohet lista e përfituesve mbi 600 mijë persona.