Kushtetuesja, shuplakë tjetër qeverisë për taksat

0
321
????????????????????????????????????

mbledhje-qeverie

–   Absurdi: Qeveria “e majtë” përpiqet të taksojë më shumë “fukarenjtë”, e zbulon dokumenti i BERZH-it. Financat pranojnë: U rritën detyrimet e papaguara ndaj privatit

Ervin Kaduku

Vijon “dueli” midis Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë shqiptare lidhur me detyrimet që i ngarkohen biznesit për të paguar dhe që bien mbi shpatullat e konsumatorit fundor. Shoqata e Hidrokarbureve ka arritur të shfuqizojë tarifën e re të vendosur nga qeveria për lincensimin e veprimtarisë në sektorin e tregtisë së karburanteve. Pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikante ishte përcaktuar në masën 5 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës dhe 2 milionë lekë për bashkitë e tjera.

Gjykata Kushtetuese  ka rrëzuar  vendimin e  qeverisë, duke  vendosur  të  pranojë  pjesërisht  kërkesën  e  grupeve  të  interesit dhe duke shfuqizuar pikën 9 të kreut II të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licensave për tregtimin e naftës bruto  dhe nënprodukteve të saj”. Përfaqësuesja e Avokatit të Shtetit e ka justifikuar rritjen e taksës për licensim me synimin e vënies nën kontroll të tregut të shitjes së karburanteve. Por, kjo logjikë nuk është pranuar nga Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Shoqata e kompanive hidrokarbure thotë se një gjë e tillë do të ndikojë në uljen e çmimit. “Me shfuqizimin e kësaj takse, derisa të botohet në fletoren zyrtare dhe të merren aktet e duhura, kuptohet që do reflektohet në uljen e çmimit të karburanteve në atë masë që ajo ndikonte në rritjen e saj”, thotë Luigj Aliaj. Taksa e cila pati filluar të zbatohej në qershor të këtij viti prashikonte një rritje nga 20 mijë lekë në 5 milion lekë të licensave periodike për pikat e karburanteve në kryeqytet, ndërsa për bashkitë e tjera kjo taksë ishte në 2 milion lekë. Kjo lëvizje pati jnë efekt prej afro 5 lekësh në rritjen e çmimit për litër. Zoti Aliaj thote se duhet të ketë një kufizim në rritjen e taksave duke ruajtuar parimin e proporcionalitetit. “Legjislativi ia delegon qeverisë dhe pushteteve lokale vendosjen e disa taksave, por mendoj që ky delegim duhet të bëhet me një kufizim në përqindje se sa ato kanë të drejtë t’ia rrisin në mënyrë që të mos shkelet parimi i madh i ligjshmërisë që Kushtetuta përcakton për vendosjen e taksave dhe tatimeve”, thotë ai. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga Unioni i Shoqërive Hidrokarbure Shqiptare, ndërkohë që vendimi i marrë nuk është zbardhur ende.

Detyrimet

Po pse po rrit ngarkesën ndaj bizneseve qeveria? Duket qartë se ajo po dështon me rritjen e të ardhurave, si pasojë e një korrupsioni galopant, që çon fondet në xhepat e qeveritarëve. Ja ç’po ndodh në fakt. Me gjithë shtrëngimin e procedurave për pagesat buxhetore në favor të kontraktorëve për punime publike, qeveria shqiptare nuk i ka shpëtuar akumulimit të detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi. Rritja e tyre do të kushtëzojë bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vijim, siç u deklarua dhe në konferencën e fundit për shtyp të Ministrisë së Financave dhe FMN-së.  Shuma e re e detyrimeve të pashlyera të qeverisë ndaj të tretëve ka arritur në 2.3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e Ministrisë së Financave. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 908.8 milionë lekë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe aparati i MTI. Aparati i MTI ka detyrime të krijuara rishtazi në vlerën 132.6 milionë lekë për rimbursimin e TVSH-së dhe Taksës doganore për projektin “Rehabilitimi i kalatës së Portit të Vlorës”, në programin “Transporti detar”. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), detyrime të krijuara rishtas në vlerën 605.6 milionë lekë për:

-Kontrata, studime, projektime dhe oponencë, në vlerën 38.9 milionë lekë, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH.

-Kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 329.7 milionë lekë, janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.

Sipas informacionit të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, konstatohet se detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar – 30 prill 2016, lindin si pasojë e tavanit të ulët buxhetor të këtij viti, i cili nuk mund të përballojë kontratat shumëvjeçare të angazhuara më parë.

Ujësjellës-Kanalizime, detyrime të krijuara rishtas në vlerën 140 milionë lekë, që ka të bëjë me pagesat të rimbursimit të TVSH-së për projektet me financim të huaj për rrjedhojë, detyrimi i akumuluar për

Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës shkon në vlerën 1 682 milionë lekë. Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 48.5 milionë lekë, nga të cilat 8.3 milionë lekë janë vendime gjyqësore dhe 40.2 milionë lekë janë detyrime për investime të kryera për Universitetin Aleksandër Moisiu. Ministria e Drejtësisë ka krijuar detyrime në vlerën 112.8 milionë lekë, të ndara sipas institucioneve si më poshtë, ku kryeson Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me 93.7 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh, për të bërë të mundur financimin e këtyre detyrimeve brenda vitit buxhetor 2016. Ministria e Shëndetësisë ka krijuar detyrime në vlerën 30.7 milionë lekë, që janë vendime gjyqësore në disa D.SH.P. dhe spitale në rrethe. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, detyrimet e krijuara janë në vlerën 248.7 milionë lekë të lindura, si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Këto detyrime raportohen në vlerën rreth 2.6 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit dhe në vlerën rreth 246.1 milionë lekë në Aparatin e Ministrisë. Ministria e Financave deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 3.9 milionë lekë, kryesisht vendimet gjyqësore për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Kush ngarkohet me taksa në Shqipëri?

Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksimit të të pasurve në mesin e 35 vendeve në tranzicion. Konkluzioni ka dalë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Raportin e Tranzicionit 2016-2017, publikuar dje. Për të parë këto diferenca, BERZH ka analizuar se si tatohet prona dhe trashëgimia e të pasurve në vendet në tranzicion. Në këtë renditje, shihet nga grafiku se Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksimit të pronave, më pak se 0.4% të PBB, duke lënë pas vetëm Mongolinë, ndër 35 vende, shumica e të cilave nuk janë në kontinentin europian. Taksat mbi transaksionet e pasurisë janë më të lehta për t’u zbatuar. Historikisht, taksat mbi pasurinë (përfshirë tatimin në prona dhe taksat mbi trashëgiminë) përdoren për të gjeneruar sasi të konsiderueshme në të ardhurat publike, por roli i tyre është zvogëluar gradualisht. Aktualisht, në vendet e OECD, ato gjenerojnë të ardhura mesatare vjetore vetëm 2% të PBB-së. Në drejtim të administrimit të taksave mbi të pasurit, BERZH thotë se tatimi mbi trashëgiminë mund të jetë më i vështirë për t’u administruar, pasi këto lloj pasurish kanë tendencë të zhvendosen në parajsat fiskale. Edhe pse nuk ka një studim se numri i madh i bizneseve të vogla në ekonomi ka lidhje me nivelin e ulët të pabarazisë, mungesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mund të jetë simptoma e një mjedisi të dobët biznesi dhe përqendrimi të lartë të pasurisë. Trajtimi i pabarazisë kërkon një kombinim të politikave të taksave dhe shpenzimeve publike. Ofrimi i arsimit publik me cilësi të lartë dhe kosto të lirë, shërbimeve sociale dhe shëndetësore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e pabarazisë. Masat e drejtpërdrejta fiskale që synojnë rishpërndarjen e të ardhurave (të tilla si taksa progresive, taksat mbi të ardhurat dhe transfertat monetare) ndikojnë në rishpërndarjen e të ardhurave. Në të kundërt, shpenzimet fiskale, të përqendruara kryesisht në infrastrukturë, administratë publike dhe mbrojtje mund të përkeqësojnë në vend që të zbusin pabarazinë në të ardhura. Rritja e taksave të konsumit mund të ndikojë negativisht, pasi ato i paguajnë njësoj edhe të varfrit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here