SKANDAL/QSUT ka paguar spitalet private për pacientë fiktivë

1
826

Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në dritë fakte tronditëse për nënkontraktimin e dializës tek dy spitale private gjatë periudhës 2013-2015.

Sipas KLSH, Qendra Spitalore Nënë Tereza ka paguar spitalet private për pacientë të paverifikuar, për të cilët nuk ekziston asnjë evidencë që të vërtetojë se kanë marrë shërbhim. “Nga auditimi konstatuam se nuk ekzistonte asnjë regjistër apo qoftë dhe ndonjë evidencë ku të evidentohej numri i pacientëve dhe të dhënat mbi gjendjen e tyre, e domosdoshme për të ndjekur nivelin e seancave të realizuara dhe faturimin e shërbimit nga spitalet e kontraktuara,” denoncon KLSH.

Në vitin 2012 për shkak të mungesës së kapaciteve në spitalin shtetëror, QSUT nënshkroi një kontratë me dy spitale private, Spitali Amerikan dhe Hygea, të cilët duhet të ofronin shërbimin e dializës për 166 pacientë. Për çdo seancë dialize shteti paguante 10 mijë e 720 lekë. Deri në vitin 2013, spitalet private kanë ofruar shërbimin e dializës për 166 pacientë ashtu sikurse parashikohej në kontratën fillestare. Por pas këtij viti numri i pacientëve është rritur me shpejtësi.

“Nga auditimi konstatohet se deri muajin Maj 2014 janë trajtuar jashtë numrit të përcaktuar në kontrata dhe të pa miratuara gjithsej 166 pacientë ose në vlerë mesatare 24.178.232 lekë mbi vlerat aktuale të kontratave,” thotë KLSH. Sipas raportit, shtesa e numrit të pacientëve jo vetëm që është tërësisht e padokumentuar, por ekzistojnë dyshime të forta se pacientët kanë qenë fiktiv dhe QSUT ka paguar spitalet private për shërbim të pakryer.

“Sipas regjistrit të paraqitur dhe mbajtur nga Shërbimi i Nefrologjisë rezultoi se kishte pacientë të cilët rezultonin të ishin të përfshirë në listat e muajve ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre nuk rezultonin në asnjë regjistër të shërbimit të nefrologjisë së QSUT,” thotë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të dhënat e siguruara nga thesari i shtetit tregojnë se në vitin 2014 Spitali Amerikan, arkëtoi 865.6 milionë lekë nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbimin e hemodializës e kontraktuar nga QSUT, Spitali i Fierit dhe Spitali Ushtarak.

Në 20 tetor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë e dha me konçesion shërbimin e hemodializës për një afat 10 vjeçar me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë. Por konçesioni u shoqërua me hije të forta skandali, pasi u fitua nga një kompani e panjohur me emrin Evita, origjina e së cilës ishte një bar kafe në qytetin e Beratit. Vetëm me vonë, pasi skandali u publikua në media u mësua se pas konçesionit qëndronte edhe Spitali Amerikan./SYRI.net/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here