Deputeti socialist kritikon ashpër qeverinë e tij: Nuk duhet të bllokojmë investitorët e huaj

0
215

Fjala e plotë në Kuvend e deputetit socialist:

Unë do flas për biznesin. Këtu në sallën e parlamentit u bë vite që ka akoma ndjenjë antibiznes. Karma e 40 vjetëve si duket vazhdon ende të na ndjekë.

Por realisht biznesi është motori i ekonomisë dhe sipërmarrjet private sot që flasim janë institucionet më të ndershme, më të moralshme dhe më korrekte qe ka vendi, krahasuar me çdo institucion shtetëror të çdo lloj rangu.

Gjatë viteve të tranzicionit ka pasur shumë tentativa për investime serioze shqiptare dhe të huaja që në shumicë dërrmuese kanë dështuar e s’duan t’ia dëgjojnë më emrin Shqipërisë, por ka nga ata që më shumë vështirësi fatmirësisht ia kanë dalë në sektorë tëe ndryshëm.

Duke e nisur nga ajo që u quajt dallëndyshja e pare e investimeve private të huaja, Coca Cola në autostradë, mund të vazhdoj duke përmendur një seri brandesh e kompanish, të huaja dhe shqiptaeë që kanë besuar e investuar në Shqipëri të cilat nuk do lodhesha kurrë ti falënderoja e inkurajoja për prezencën e tyre këtu dhe pasojat pozitive të aktivitetin të tyre në ekonominë tonë.

Emra të mëdhenj si Vodafonë, AMC, Albtelecom, Eagle, Plus, Unica Group Austria, Sigal, Eurosig, Sigma, Hotel Rogner e Sheraton, Hotel Plaza, Conad, Aeroporti Nënë Tereza, Intesa San Paolo, Raiffeisen, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Veneto, Banka e Tiranës, Credins,etj, Spitali American, Hygeia, villa Maria, Spitali Salus, QTU, City Park, TEG, ETC.. ndër televizionet Top Channel, Klan, Vizion Plus, News24, Ora News, Report Tv, Agon Channel, Fabricat e çimentos Seament dhe Titan Antea, Cotonella ndër fasonët, Bankers, Tap, Petrolifera, Devoll Hidropower, Ashta, UET, Luarasi, etj., të gjitha këto janë investime private shqiptare a të huaja që vetëm ia kanë ngritur vlerën vendit dhe kanë kontribuar jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, rritjes së standardeve, por me shërbimet e tyre kanë përqafuar qasjen tonë drejt Europës.

Shumica e këtyre, në kohën e fillimit të aktivitetit të tyre janë kundërshtuar për të thënë me të paktën, është shpifur për to, është bërë çmos për tu bllokuar privatizimet apo dhënia e licencave, janë akuzuar si vepra korruptive të lidhura me pushtetarët me ministrat a kryeministra e radhës.

Ndaj disave janë bërë protesta, disa janë kërcënuar etj.

Nuk e di sa janë trembur dhe kanë ikur, por shoh këta që kanë rezistuar dhe çfarëdo të jetë folur, çfarëdo të jetë shpifur unë jam i lumtur, si sipërmarrës, si qytetar i këtij vendi, por edhe si deputet i mazhorancës që ata janë këtu.

Do doja që këto emra, qofshin të huaj apo shqiptar që vendosin të investojnë në Shqipëri të kishim gjithnjë e me tepër.

Qoftë me investime direkte, qoftë me partneritet publik privat. Në çfarëdo lloj rasti janë para që investohen në këtë vend për tu marrë mbrapsh pas 20 apo 30 vjet.

Unë e njoh biznesin, me biznes jam marrë që në 1993-shin. Për shkak të detyrës për nxitjen dhe promovimin e investimeve italiane në Shqipëri kam shoqëruar e kontaktuar mijëra sipërmarrës të niveleve më të larta në Itali të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Fatkeqësisht janë shume pak në proces. Mendoja se do kishte shumë më tepër.

Dhe për këtë mendoj se dy janë arsyet kryesore.

O tregu ynë është shumë i vogël e tashmë është i ezauruar, ose duhet të kemi një qasje më të kujdesshme për taksimin, stimulimin dhe thithjen e kapitalit, të huaj apo vendas në Shqipëri.

Për të parën, për të cilën unë mendoj që do jetë pas pak vitesh problem, mendoj se duhet të fillojmë të punojmë që tani për bashkimin ekonomik Shqipëri-Kosovë. Kurrë nuk do kemi një ekonomi të fortë kombëtare pa bashkimin ekonomik. Edhe Gjermaninë po ta ndajmë në 6 shtete për pak vjet nuk do rezistojë si fuqi ekonomike.

Për të dytën, mendoj që mbas 25 vjet qasjeje politike të vijë çfarë të vijë e të rezistojë kush të rezistojë, nuk mund të vazhdojmë më kështu.

Të paktën puna e çdo ministrie nuk duhet të ketë kritere sa ligje e paragrafe ndryshohen, por cilat janë rezultatet konkrete të këtyre ndryshimeve. Cilat janë këto kompani, sektorët ku investojnë, vlerën e investimit e numrin e të punësuarve.

Ne jemi një provincë shumë e vogël e Europës e përderisa në Itali bën lajm çdo investitor me emër mbiermër edhe këtu tek ne çdo emër e mbiemër i çdo investimi duhet promovuar në dritën e diellit.

E folura me statistika e presje dhjetore mund të vlejë në Amerikë, por këtu në fshatin tonë të madh, për shkak të përmasave, si ministri si drejtorët, kur të promovojnë punën e tyre ti citojnë me emra, me mbiemra, dhe numër punonjësish, e adresë të saktë ku ndodhen këto investime.

Çdo mëngjes ne duhet të çohemi duke pyetur veten pse duhet të vijë një investitor në Shqipëri e mos shkojë në Serbi?

15% taksë ne, 15% ata. Atje shkon kamioni për 4 ore nga Europa këtu tek ne vjen për 24 orë. Atje shkon për 200 euro, tek ne duhet 2000. Tek ne është tregu 3 milionë banorë, ata për shkak të marrëveshjes së lirë që kanë me Rusinë janë 150 milionë banorë.

Ne nuk mund të kemi të vetmen ofertë për investimet e huaja skllaverinë për 150 mijë lekë. Nuk kemi numrat. S’jemi as Kina as India.

Pse duhet të vijë një investitor të bëjë hotel në Shqipëri e mos ta bëjë në Greqi a Mal të Zi ku ka treg të sigurtë, siguri e spitale, infrastrukturë, subvencione, me pak korrupsion dhe tvsh sa ¼ e jonë.

Kështu mund të vazhdoj krahasime pa fund për çdo sektor me të gjitha vendet e rajonit. Pse të vijnë këtu e mos shkojnë investitorët në Maqedoni ku taksa është 10%, të cilët kanë një fuqi punëtore më të kualifikuar e kanë infrastrukturë unike duke qenë kryqëzimi i Ballkanit e ku gjithë investitorët subvencionohen dhe brenda 2 muajve u krijohen të gjitha kushtet për të nisur investimin

Unë mendoj se duhet riparë sjellja dhe qasja e administratës ndaj biznesit. Jemi vendi i vetëm në Mesdhe në Europë që e ka sot sektorin e turizmit katastrofë. Këtu ka një ngërç dhe mendoj që pavarësisht kushteve të FMN-së ne duhet të sillemi shumë më ndryshe me biznesin.

Kemi një nga popujt më të ri e me vitalë në Europë, për shkak të moshës, të etjes për zhvillim dhe të sakrificave unikale të shqiptarëve në çdo cep të rruzullit të cilët duan të investojnë në vendin e tyre. 10 miliardë euro janë të bllokuara nëpër banka.

Nuk e di sa miliard të tjera janë nëpër duart e shqiptarëve.

Ne duhet të jemi parajsa e investitorëve shqiptarë e të huaj, jo të kthehemi në bllokuesit e tyre.

Administrata duhet të jenë shërbëtorët e përulur ndërkohë që për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së tyre janë kthyer në bllokuesit kryesorë të investimeve dhe zhvillimit të vendit.

Ne mund të jemi parajsa e investitorëve shqiptarë e të huaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here