Tetë kandidatët për kreun e FRESSH-it u përballen një ditë më parë me një juri të veçantë. Të gjendur përballë pyetjeve të katër gazetarëve të njohur në vend, Eni Vasili, Ilva Tare, Lutfi Dervishi dhe Aleksandër Furrxhi, të rinjtë e FRESSH-it patën një “përçarje” të vogël lidhur me largimin e deputetit Ben Blushi nga Partia Socialiste.
Sikur të ishin të ftuarit e saj në “Studion e Hapur”, pasi dëgjoi platformat e 8 të rinjve, Eni Vasili kërkoi të zbulonte edhe qëndrimin që do të mbanin në rast se idetë e tyre do të binin ndesh me ato të kryetarit të partisë. Pyetja e saj hapi një debat lidhur me largimin e Ben Blushit nga Partia Socialiste. Shumë nga të rinjtë kanë mbajtur qëndrim kundër Blushit, por njëri prej tyre tha se uronte që një ditë Blushi të rikthehej në PS. Deklarata e tij u prit me duartrokitje në sallë.
Kjo situatë është komentuar edhe nga vetë deputeti Blushi, i cili përmes një statusi në faqen e tij në “Facebook” thekson rëndësinë që të rinjtë të ndihen të lirë, pavarësisht asaj që thonë për të.
“Nuk ka rëndësi çfarë thonë për mua, rëndësi ka të ndjehen të lirë. Liria nuk ka ngjyre ka vetëm shije!”- shkruan Blushi.