Energjetika lë zvarrë TEC-in e Vlorës, huatë për të rritën 2% borxhin publik

0
184

Pagat e personelit, shlyerja e kredisë dhe mirëmbajtja e termocentralit defektoz të Vlorës u kanë kushtuar financave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) mbi 1.79 miliardë lekë, ose 13 milionë euro këtë vit. Sipas të dhënave që KESH ka raportuar në Entin Rregullator të Energjisë, mësohet se nga kjo shumë mbi 1.5 miliardë lekë janë kostot fikse për shërbimin e borxhit; 71 milionë lekë janë shpenzimet e personelit ndërsa kostot e mirëmbajtjes vetëm për 6-mujorin e dytë llogariten në 226 milionë lekë.

Saga në të cilën ka kaluar ndërtimi i termocentralit të ri të Vlorës nuk mbaron me dështimin e projektit që kushtoi 129 milionë dollarë për të kontribuar me 8% në konsumin e energjisë, por me perspektivën e paqartë të rivënies në punë dhe kostot e larta që shoqërojnë procesin. Sikur TEC-i të vihej në punë në vitin 2012, çmimi i shitjes së një kilovatori energji elektrike do të ishte 21 lekë, vlerë kjo tre herë më e lartë se çmimi i pakicës që paguhej në atë periudhë nga konsumatorët familjarë dhe dy herë më i lartë se çmimet e importit.

Situata është komplikuar më tej, nga defekti në tubat e ftohjes gjatë periudhës së garancisë më 2012, që më pas ka prodhuar konflikte të reja me kompaninë italiane Maire Tecnimont, të cilat po gjykohen në Arbitrazh. Tani, qeveria shqiptare po zhvillon dy tenderë të rinj të destinuar për çështjet e TEC-it.

I pari është studimi i fizibilitetit për shqyrtimin e rivënies në punë të termocentralit nëpërmjet gazit të TAP. Kompania zvicerane, Roland Berger, po e bën këtë studim me fondet e grantit 6 milionë euro që qeveria e Zvicrës ka dhënë për ndërtimin e kapaciteteve të sektorit të gazit në Shqipëri. Por efektiviteti i studimit vihet në dyshim për faktin se gazsjellësi TAP ende nuk ka miratuar kuotat shtesë të gazit në Shqipëri. Tenderi i dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e një kompanie që do të japë konsulencën e nevojshme se si mund të zgjidhet defekti në tubat e ftohjes dhe të detajojë kostot për riparimin e tij. Sipas KESH, vetëm konsulenca do të kushtojë mbi 1milion dollarë. Zgjidhjet që do të ofrojnë këto dy studime pritet të sjellin miliona euro të tjera shpenzime për arkën e shtetit, pasi përshtatja e TEC për gazin e TAP kërkon një investim krejt të ri për të lidhur objektin që është në Vlorë me pontilin e depozitave të gazit në Fier, duke përfshirë këtu edhe ridimensionimin e kartës teknologjike.

Ministria e Energjetikës pohon që edhe me gazin e TAP, TEC-i Vlorës më shumë se sa për prodhim parësor do të shërbejë si një backup për sistemin energjetik. Varianti më i keq është ta lësh siç është. Borxhi i jashtëm e vendit u shtua me 2.3% nga huat e marrë për TEC-in, teksa shpenzimet për mirëmbajtjen e objektit  llogariten  sa 10% e kostove të Furnizuesit Publik me Shumicë të Energjisë, (degë e shitjes së KESH), të cilat  janë transferuar në tarifat fundore për konsumatorët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here