Siri, hyn në fuqi armëpushimi i ri

0
178

Rusia tha se forcat e saj dhe ato të presidentit sirian Bashar al-Assad i kanë ndalur bombardimet në qytetin verior të Aleppos, në prag të një armëpushimi 8-orësh, të planifikuar për të enjten. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu e bëri njoftimin sot në televizion. Ai tha se ndalimi i bombardimeve hyri në fuqi të martën, në orën 10 të mëngjesit, sipas orës lokale.

Armëpushimi njoftuar fillimisht të hënën nga Moska, ka për qëllim që t’i lejojë të largohen civilët, krahas me njerëzit e sëmurë dhe rebelët që duan të ikin nga qyteti i përfshirë nga luftimet.

Kombet e Bashkuara, që kanë bërë thirrje prej kohësh për një armëpushim të përjavshëm 48-orësh për arsye humanitare, e mirëpritën njoftimin e Rusisë.

“Do ta shfrytëzojmë çdo ndalim luftimesh për të bërë ç’ka mundemi. Me sa duket nevojitet një armëpushim më i gjatë për të lejuar hyrjen e kamionëve me ndihma. Ndalimi i luftimeve është mirëpritur nga Kombet e Bashkuara dhe nga banorët e Alepos.”- tha zëdhënësi i OKB-së.

Një bombardim i ri ajror të hënën në Siri rrafshoi banesat në një fshat nën kontrollin e forcave rebele në provincën veriore të Alepos, duke vrarë të paktën 23 persona.

Organizata me seli në Britani “Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut”, tha se rajoni i goditur më rëndë ishte Katergji, ku ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të nxirrnin të mbijetuarit nga rrënojat.

Bombardimi ndodh ndërsa diplomatët perëndimorë nuk po i vazhdojnë dot përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftimeve në Siri, që u kanë marrë jetën më tepër se 300 mijë njerëzve.

Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete europiane e kanë akuzuar Rusinë dhe Sirinë për kryerjen e krimeve në Alepo, një akuzë që zyrtarët rusë e mohojnë.

Në Siri janë prishur disa armëpushime, përfshirë një marrëveshje armëpushimi e kohëve të fundit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Moska tha të hënën se bisedimet e paqes mund të rifillojnë në Lozanë të Zvicrës, bazuar tek bisedimet e së shtunës mes Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov, me pjesëmarrjen edhe të ministrave të jashtëm të Iranit, Egjiptit, Irakut, Arabisë Saudite, Turqisë, Katarit dhe Jordanisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here