Kroaci/ Hapet gjimnazi në gjuhën shqipe

0
219

Në Zarë të Kroacisë e filloi punën zyrtarisht gjimnazi në gjuhën shqipe.

Ky është rast i parë jo vetëm në Kroaci, jo vetëm në Ballkan, por është rast unikal pothuajse në tërë botën që pakica shqiptare të ketë shkollë të mesme në gjuhën shqipe.

Drejtori i gjimnazit “Vlladimir Nazor”, Rade Shimiçeviq, u uroi mirëseardhje nxënësve me mësim në gjuhën shqipe në këtë shkollë.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, në fjalën e tij të rastit, ndër të tjera theksoi:

“Kjo është një ngjarje e shënuar dhe me rëndësi të veçantë dhe është ngjarje historike, sepse para 300 vjetëve këtu kanë ardhur një gjeneratë e shqiptarëve nga veriu i Shqipërisë, por edhe një gjeneratë tjetër që kanë ardhur në 100 vitet e fundit. Është rast që edhe arbëneshët e Zarës të mësojnë gjuhën shqipe. Është moment i rëndësishëm historik se në këtë ditë ka filluar mësimi në gjuhën shqipe për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqipe. Ambasada e Shqipërisë, do të japë gjithë ndihmesën e duhur”, theksoi ndër të tjera Ambasadori Ilir Melo.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës, Uliks Emra, në fjalën e tij të rastit mes tjerash theksoi:

“Krenaria dhe pasuria më e madhe e shqiptarëve është gjuha shqipe, dhe kjo është ngjarje jo vetëm historike por edhe e veçantë. Ambasada e Kosovës do të mbështesë gjithë aktivitetet e këtilla. Populli shqiptar është popull që nuk harron dhe kurrë nuk do ta harrojë miqësinë që ka historikisht me popullin kroat”, përfundoi Uliks Emra.

Fjalë rasti mbajti edhe prof. Dr. Isak Shema, nga Universiteti i Prishtinës, autor i librit të gjuhës shqipe për mësim sipas “Modelit C”.

Po ashtu përshëndetën edhe drejtoresha e Sh.F. “Dr. Kruno Krstiq”, Jasmina Mateshiq, prof. Dr. Maksimilijana Barabçiq, Melita Oreshkoviq etj.

Vlen të theksohet se një numër i konsideruar i njerëzve janë edhe të habitur me mbështetjen që i jep populli dhe shteti, popull dhe shtet mjaft i civilizuar në këtë drejtim, për dallim nga popuj dhe shtet që pengojnë dhe cungojnë arsimimin në gjuhën amtare shqipe.

Pas përmbylljes së hapjes solemne të mësimit në gjuhën shqipe në ciklin e shkollës së mesme-gjimnazit në Zarë të Kroacisë, në ambientet e Shoqatës kulturore të arbëneshëve të Zarës, “Vicko Zmajeviq” u bë promovimi i veprave të prof. Dr. Isak Shema, në gjuhën shqipe dhe kroate, kushtuar veprimtarëve dhe krijimtarisë letrare të Josip. V. Relës dhe Shime Deshpalit.

Padyshim se meritë për këtë kanë në rend të parë vetë shqiptarët që jetojnë në Zarë, të mbështetur nga Bashkësia e Shqiptarëve në Zarë me në krye Adem Shalën, ligjet pozitive dhe vetë pozita e shqiptarëve jo vetëm në Zarë por në tërë Kroacinë si dhe angazhimi permanent, vetëmohues dhe i përkushtuar i prof. Vesel Lekaj me bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët e tij.

Kërkesa që i është drejtuar Ministrisë së arsimit të Republikës së Kroacisë, për mësimin plotësues “Modeli C”, që mban këtë numër protokolli “Klasa: 602-03/15-05-00102; UBROJ:533-26-16-0006, datë 15 janar 2016) më në fund është miratuar pozitivisht dhe mundësohet mësimi plotësues edhe për nxënësit shqiptar të shkollave të mesme në Zarë.

Në shkresën-përgjigjen që ka arritur në adresë të Shkollës “Vlladimir Nazor” Bashkësisë së Shqiptarëve në Zarë dhe të prof. Vesel Lekaj, nënshkruar nga zv/ministri i arsimit të Republikës së Kroacisë shkruan:

“Ministria e arsimit, shkencës dhe sportit, ka marrë mendim profesional ekspertësh nga Agjencioni për arsim dhe edukim me numër protokoli: “KLASA: 602-01/15-01/0132; UBROJ:561-06/20-15-03, datë 10 qershor 2016”, për kurikulën për lëndën gjuha shqipe kultura, sipas “Modelit C” për shkollat e mesme në Republikën e Kroacisë dhe atë ua dërgojmë”.

“Agjencioni për arsim dhe edukim, ka dhënë mendim pozitiv për kurikulën e lëndës gjuha shqipe dhe kultura sipas “Modelit C” për shkollat e mesme, që nënkupton që sipas kurikulës së përmendur, nga viti shkollor 2016/2017, mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës (Modeli C), mundë të mbahet- zhvillohet për nxënësit e interesuar pranë shkollës tuaj “Vlladimir Nazor””.

“Në kuadër të këtij plan-programi, të miratuar nga Ministria e arsimit të R. së Kroacisë, sipas Standardeve Shtetërore Pedagogjike të edukimit dhe arsimimit, sipas gazetës Zyrtare (Narodne Novine 63/2008, cl.43, stav 3, alinea 3), nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme do të njihen krahas lëndëve tjera të përgjithshme shkollore, edhe me lëndët: gjuhë e letërsi amtare-shqipe, histori, gjeografi, art figurativ dhe artin muzikor”.

Sipas këtij vendimi, në mënyrë eksplicite dhe shprehimisht thuhet se kuadri që do të zhvillojë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, sipas modelit “C”, krahas posedimit të kompetencave pedagogjike, duhet të jetë njohës i gjuhës shqipe, duhet të njohë simbolet kulturore të Shqipërisë dhe të pakicës kombëtare shqiptare, raporton “Shqiptarja”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here