Policia e Vlorës ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 324 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sattiva dhe ka vënë në pranga një 25-vjeçar, ndërkohë që ka shpallur në kërkim një tjetër.
Sipas të dhënave zyrtare, policia e Vlorës pas informacione të marra në rrugë operative ka ushtruar kontrolle në fshatin Tragjas kur në një stallë janë gjetur 269 kg kanabis. Stalla ishte përballë banesës së shtetasit me iniciale Z.T., i cili sipas policisë është edhe poseduesi i drogës. 54-vjeçari Z.T. është shpallur në kërkim.
Ndërkaq në banesën e 25-vjeçarit Aldrin Ramadani po në fshatin Tragjas janë gjetur 55 kg kanabis. Pas zbulimit të drogës, policia ka vënë në pranga të riun.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të fushës së prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.