Thirrja e MAS: Bëhu student jo atje ku do ti po ku duam ne!

0
322

Dr. Ndriçim Mehmeti

Thirrjet e njëkohshme të disa zërave, pavarësisht se nga flisnin kryeministri, studio, kafene apo rrugë, se raundi i dytë do të rivendosë paqen mes Ministrisë së Arsimit dhe kandidatëve për studentë, i ngjajnë zhgënjimit të popullatës në Luftën e Dytë Botërore, për shkak të vonesës (sipas tyre) të aleatëve për hapjen e frontit të dytë në Evropë kundër gjermanëve. Edhe pse raundi i dytë përfundoi dhe vazhdojmë të mbetemi në terr informativ, dyert e “ferrit” për maturantët, duket se sapo kanë filluar të hapen. Askush nuk e di ende sa kuota bosh janë, sa do të lirohen, ku kanë fituar e ku jo, cili është shansi i tyre pas datës 16 tetor, çdo të thotë se po nuk u regjistrove humbet të drejtën për universitet etj? Këto dilema të parashtruar në formë pyetjesh, që në krye të herës, u vërtetuan për fat të keq edhe pas përfundimit të raundit të dytë.

Por MAS, që i ri përherë sahati 12 e ka një zgjidhje: Bëhu student jo atje ku do ti po ku duam ne!

Në fund të fundit kjo zgjidhje nuk ka ndonjë gjë të keqe. Universitet deshe universitet more. “Ka me mijëra kuota”, është refreni i treshes Rama-Nikolla-Peleshi. Fundja zgjidhni një dhe vajti. Në shtet a privat kjo s’ka rëndësi. Nuk keni lekë, kemi edhe kredi studentore, që e marrin fëmijët e do t’ua shlyejnë prindërit. Kështu që e problemi është i zgjidh. Preferenca? Nuk është gjë e madhe. Sa herë ndryshon mendje njeriu. Edhe kryeministrin po ta pyesësh sot se çdo të bëhesh, a do të përgjigjej me shuam qejf: Gaztor. Kështu që maturantët janë në kohë të ndërrojnë mendje. U nisën  për gazetar le të përfundojnë në kitarë, të pëlqen historia mund të shkosh tek veterinaria, kërkon të bëhesh infermiere, çfarë mirë mund të studios për veteriner, kërkon të mbarosh juridikun, nuk të prishet e ardhmja nëse regjistrohesh tek gjeologjiku. Kështu që e nesërmja por këta të rinj, do të jetë e ndritur pasi është vendosur që në fillim si e tillë. Natyrisht që kryeministri dhe ministrja e arsimit me mijërat e kuotave të tyre bosh, që duhen plotësuar, i kanë dhënë një mundësi të artë të rinjve tanë, që pa filluar studimet, të dinë destinacionin e punës së tyre të ardhme: emigracioni, kamerier, menaxher shitjesh, call center. Të tjerët që nuk do të dëshirojnë zgjidhjen e MAS, mbeten në mëshirën e fatit, ose të regjistrimit në program të preferuar prej tyre, por që kushton, pasi do të shkojnë në shkolla private. Gjithsesi edhe kjo nuk është puna e MAS.

Për sa kohë procesi u dështoi, dolën si lukuni për të na mbushur mendjen se “populli dhe të rinjtë s’po e kuptonin të mirën që kishin tek dera”. Tani që u vërtetua në dritë të diellit gënjeshtra, askush nuk del të flas e të mburret. Procesi dështoi dhe heshtja në këtë rast për MAS është flori. Të shtrënguar nga rrethanat, nga frika e mos mbetjes pa universitet, nga dëshira për të pasur një shkollë, pavarësisht kostos që ka, nga iluzioni se vitin tjetër mund të ndryshojnë degë ose të ndryshojnë rregullat, një shumicë e maturantëve do të provojnë të shkojnë me dhe pa dëshirë në programet e studimit që ofrojnë më shumë kuota. Kur ky proces të mbarojë padyshim do të shohim shfaqjen e kryeministrit, ministrit, sejmenëve dhe servilëve të gjatë a të shkurtër që me siguri do të deklarojnë “procesi përfundoi me sukses. Ata që nuk u regjistruan janë shumë pak dhe nuk janë ekselentë. Për herë të parë në histori, ndodhi kjo e ajo, për herë të parë u zbatua autonomia etj”.

Po përse heshtin pjesa më e madhe e aktorëve në këtë proces?

Mediat nuk falsin shumë vetëm pasqyrojnë ndonjë deklaratë ose ndonjë demonstrim fare modest, që nuk ka asnjë vlerë. Mediat e kanë arsimin të fundit në agjendë prandaj mund të përjashtohen, nga përgjegjësia morale para publikut. MAS, sikundër thamë numëron me ankth ditët që të shpalli dështimin si fitoren më të madhe të saj. Kryeministri padyshim që është i fokusuar tek rezultatet “brilante” në fushën e rendit, ekonomisë, drejtësisë, frutikulturës, shpjegimit sesa me fat janë fermerët tanë për të marrë kredi etj. Universitet, nuk flasin. Kjo nuk është një zgjedhje taktike, por pamundësi e krijuar prej qeverisë. Qeveria pranon se i gjithë procesi bazohet mbi autonominë e universiteteve, por e vërteta e thjeshtë qëndron krejt ndryshe. Qeveria, shpalli mesataren, kushtëzoi formulën e përllogaritjes së notës mesatare, mori dhe arkëtoi për vete 2000 lek për aplikimin në IAL të studentëve, do të vendos monitorues në procesin e regjistrimit pas datës 16 në IAL dhe në fund topin e hedh tek universitete. Universitet që nga ana e tyre, e kanë për herë të parë këtë proces, në mungesë të kohës së duhur, u detyruan të zbatojnë urdhrin e MAS, për vënien e ligjit të ri të arsimit të lartë. Ato nuk kanë burimet e duhura njerëzore, për të përballuar këtë proces dhe njëkohësisht kishin pak mundësi kohore për marrjen e masave të duhura. Drejtues të universitetit janë shprehur se vetë ata janë gjendur në një pozitë të pakëndshme nga animimet e disa maturantëve, por që nuk kanë fuqi për të ndryshuar gjendjen. Natyrisht që IAL-të, kanë mundësi të bashkëbisedojnë me MAS, për të bërë të mundur që së paku e ashtuquajtura meritë të prevaloj në përzgjedhjen e studentëve të tyre. Është krejt e pakuptimtë që IAL të heshtin kur një maturant me 8.58 del në krye të listës së studentëve dhe një tjetër maturant me notën 9.31 është në vendin e 421 në të njëjtin program studimi. A mund të jemi të qetë, pas kësaj situate. A nuk mendon, shoqëria civile, Avokati i Popullit, të gjithë ne, se po bëjmë një krim dhe jemi dëshmitarë dhe pjesëtarë të vullnetshëm në këtë krim? A mundet të ndalim degradimin e të rinjve deri sa të kenë të vetmen zgjidhej largimin nga sytë këmbët?  A duhet që për hir të parimit se në demokraci fitojnë meritat, vlera, djersa që ke derdhur dhe jo formulat idiote, MAS të dali e të deklarojë; “Gabuam, na flisni dhe do ta korrigjojmë se ë bashku këtë gabim”?

Por pavarësisht këtyre pikëpyetjeve dhe ndonjë diversioni të përjavshëm, prej gjirit të mazhorancës, që kërkon të paraqitet si mbrojtësja e rinisë, MAS, as nuk e prish gjakun fare. Është e qartë se nuk është në natyrën e këtij institucioni interesi publik, as çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të ardhmen e të rinjve tanë, arsimin dhe edukimin tyre. Tani për tani problemi më i madh i tyre është stolisja e godinës së rikonstruktuar të MAS. Ka një lëvizje intensive, për mobiljet, kolltuqet, lyerja nga brenda e deri tek ndërrimi i garderobës, për tu përshtatur me mjedisin e ri që pritet të përurohet shpejt. Por në fund të fundit godina ka fantazmat e saj, që duket se kanë dalë prej dheut. Dikur Ambasada hijerëndë e Bashkimit Sovjetik, ajo tani është godina që me shkëlqimin e saj përfaqëson mospërfilljen e madhe për të ardhmen e të rinjve të këtij vendi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here