Gjetan Keta nuk di të ndalet, triumfon ndaj Sarbajev

0
51

Boksieri i mirënjohur shqiptar, “Mike” Gjetan Keta, nuk di të ndalet. Ky i fundit fitoi bindshëm duelin e tij ndaj boksierit nga Kazakistani, Vasilj Sarbajev. në Mynih të Gjermanisë. Përballja mes tyre ishte kulmi i mbrëmjes së “Keta Fight Klub”. Ishte një duel mjaft i zjarrtë ai mes dibranit dhe boksierit kazak.

 

Një dyluftim mjaft i ashpër, ku Sarbajev me inteligjencën e tij u shfaq mjaft i rrezikshëm, ndërsa Gjetani, falë këmbënguljes dhe forcës së vullnetit, arriti të triumfonte në raundin e fundit, duke marrë fitoren me pikë me vendim unanim të jurisë. Për Gjetan Ketën, ky ishte më tepër një takim përgatitor për përballjen e madhe të 3 dhjetorit, kur boksieri shqiptar do të ndeshet me gjermanin Vinsent Feigenbunz, i cili e ka fituar dy herë titullin botëror.

Një përballje e madhe dhe e shumëpritur, për të cilën Gjetani po tregon se është në lartësinë e duhur për një tjetër fitore të madhe. Fitorja e Ketës rezultoi “qershia mbi tortë”, pasi edhe dy boksierët e tjerë të “Keta Fight Klub” dolën triumfues përballë kundërshtarëve respektivë. Kristian Prenga, i cili ngriti peshë zemrat e tifozëve shqiptarë pak muaj më parë në Tiranë, dhuroi një tjetër provë force duke fituar me “knock out” në raundin e dytë përballë boshnjakut Haris Radmiloviç.

Triumfues ishte dhe Ferit Kerta, i cili dhuroi emocione të veçanta në një dyluftim të zjarrtë përballë serbit Zejlko Bojov, me boksierin shqiptar që, i karikuar në maksimum, shfaqi potencialin e tij me një “knock out” spektakolar duke e hedhur serbin në tapet që në raundin e dytë, për kënaqësinë e veçantë të tifozëve shqiptarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here