Nëse mendoni se i keni dëgjuar të gjitha çmenduritë rreth Kosovës, realisht këtë lajm duhet ta lexoni deri në fund dhe të bindeni se e keni pasur gabim.
Mundoheni të përmbaheni, edhe pse kjo është e vështirë pasi fjala është për diçka skajshmërisht absurde.
Sikur këmbësorët në Kosovë nuk kanë mjaft probleme të ecin trotuareve që realisht më të shumtën nuk ekzistojnë, të shikojnë nëse po shtypen nga ndonjë automjet apo të durojnë të sharat e shoferëve që gjithmonë janë në nxitim, këmbësorët rrezikojnë edhe të dënohen me gjobë.
Ligji për rregullat e Trafikut Rrugor në Kosovë parashikon…prisni pak, merrni frymë thellë dhe tani vazhdoni leximin: dënime prej 20 eurosh për këmbësorët që kapen duke vrapuar pa ndonjë arsye.
Neni 144 i Ligjit të sipërpërmendur fillon kështu: “Këmbësorit i ndalohet…” ndër të tjera edhe “të vrapojë pa arsye”, thotë pika 5 e nenit, ndryshe Policia e Kosovës ka të drejtë t’iu dënoj me 20 euro.
Ky absurditet i ka zënë syrin edhe një të huaji që punon në Kosovë, i cili e ka shpërndarë këtë pjesë të ligjit edhe në rrjete sociale.
Në Kosovë është e ditur se ka rregullore dhe ligje që “hartohen” duke i kopjuar pjesë të mëdha nga ligjet apo rregulloret e shteteve të tjera, pa ndonjë ndryshim fare.
Shpesh herë si pasojë e presioneve të Brukselit, zyrtarët e ministrive kosovare përkthejnë shpejtë e shpejtë ligje të vendeve të tjera me qëllim të kapin afatet kohore të kërkuara nga BE-ja.
Mirëpo, edhe vet Bashkimi Evropian ka pasur rast kur ka bërë veprime tërësisht jo-serioze, sidomos në raport me Kosovën.
Në majin e vitit 2012, Zëri kishte publikuar në një nga ballinat e saj një dokument me 400 pyetje që Brukseli i kishte dërguar Kosovës për studimin e fizibilitetit.
Ndër të tjera, aty kërkohej nga Kosova të flas për “aktivitetin e saj detar”, ndonëse Kosova jo vetëm që nuk ka qasje në det, por nuk ka asnjë aktivitet ujor as në lumenjtë apo liqenet e saj.