“Zoti Meta ka ende punë për të bërë si kryetar parlamenti, është ende herët të flitet për presidentit e vendit, kur kemi një president në detyrë”
“Jemi në mbështetje të shoqërisë civile, jo vetëm për ligjin e mbetjeve por të gjitha ligjet dhe politikat që ndërmarrim”
Intervistoi: Ambrozia Meta
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari flet në këtë intervistë për gazetën Standard, rreth garës së brendshëm në parti, të cilën e konsideron një formë për të përmirësuar funksionimin e partisë, por edhe si një rrugë për të rritur bashkëpunimin me strukturat dhe dialogun me qytetarët. Edhe pse ende nuk ka një draft përfundimtar, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, ai tregon se prioriteti i LSI –së do vazhdojë të jetë bujqësia, rinia dhe në fokus të kësaj partie do të jenë familjet e thjeshta. Duke u dhënë përgjigje zërave në Partinë Socialiste që e shikojnë Ilir Metën si një figurë të mundshme për president, Braimllari thotë se Meta ende ka shumë punë për të bërë si kryeparlamentar. Si pjesë e Këshillit Bashkiak, nënkrytari i LSI –së, druhet se Unaza e Vogël nuk është zgjidhja përfundimtare për trafikun dhe punimet në sheshin Skënderbej, si një nga artieriet kryesore të qytetit do të rënodojnë zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e banorëve të kryeqytetit.
Më 6 nëntor LSI do zgjedhë kryetarin e saj. Ndryshe nga herët e tjera, në garë janë 3 kandidatë. Si e shihni këtë garë të brendshme?
Gara e datës 6 nëntor është në zbatim të statutit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe në respektim të vendimit të kryesisë që LSI ka marrë për organizimin total të strukturave.Për në është një garë shumë e rëndësishme. Jo thjesht për termin garë, por e rëndësishme sepse sjell alternative të reja, sjell një filozofi të re të konkurrimit. Janë tre kandidatë në garë, pra do të kemi 3 platforma, të cilat do të jenë në bashkëbisedim me anëtarët e LSI dhe nëpërmjet këtyre platformave do kemi mundësinë të marrim një mesazh të qartë, qoftë të funksionimit të LSI –së,por edhe të përmirësimit të saj. Garën në vetevete e shoh pozitive, në funksion të hapjes së LSI –së, anembanë vendit. Nëse ne kemi një parti e cila është e mirëorganizuar, një parti që funksionon dhe është e hapur ndaj shoqërisë, opinionin publik dhe kritikës, e njëjta gjë do përcillet edhe tek qytetarët. Sot më shumë se kurrë qytetarët kërkojnë një parti politike që ti përfaqësojë në mënyrë dinjitoze, jo thjesht duke u bërë pjesë e LSI –së, por edhe për të degjuar. Është shumë e rëndësishme të dëgjosh, opinionet dhe mendimet, ashtu sikurse të mësosh nga gabimet dhe kritikat që të tjerët të bëjnë.
Si e cilësoni shpalljen e kanidaturës së zotit Përparim Spahiu, si një deputet i përjashtuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Nuk është një vendim i përjashtimit të Përparim Spahiut nga partia, ai vazhdon të jetë anëtar i LSI –së. E shoh si një kandidaturë e cila i sjell pozitivitet LSI-së sepse përtej asaj çka mbart LSI –ja, kritika dhe hapja e partisë në këtë drejtim do sjellë përmirësimin në lidership dhe do të na çojë tek qytetarët. Si nënkryetar i LSI –së, jam duke ndjekur platformat e tre kandidatëve dhe u kemi dhënë të gjithë infrastrukturën e nevojshme kandidatëve të përballen dhe të jenë pjesë e garës në të gjithë Shqipërinë.
Duke u ndalur tek zoti Spahiu. Në një nga takimet e fushatës, ai bëri një deklaratë, në të cilën shprehej se tashmë ka ardhur koha që kryeministri të jetë nga rradhët e LSI –së. Çfarë mendimi keni për këtë deklaratë?
Unë nuk mendoj se çështja kryesore është kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit tonë. Çështja kryesore është sesi do ta përmirësojmë vendin, sesi do të çojmë përpara reformat, sesi do arrijmë që me anë të dialogut ti shërbejmë qytetarëve. E rëndësishme është se çfarë alternative do të kemi ne për zhvillimi e Shqipërisë,mbi punësimin e të rinjëve, por mbi të gjitha, cili do jetë mesazhi që do përcjellim tek shqiptarët për bashkëpunimin dhe integrimin europian, në funksion të zhvillimit. Sfida kryesore është përmirësimi i këtyre elementëve, sesa emri i kryeministrit të ardhshëm. Ajo çka LSI vlerëson më shumë është komunikimi drejtpërdrejtë me qytetarët dhe puna jonë fokusohet tek përgjegjshmëria, që të zgjedhurit tanë kanë me popullin.
Ka filluar Lëvizja Socialiste për Integrim të përpilojë platformën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
LSI ka një grup i cili merret me programin, që siç u bë publike, drejtohet nga zoti Haxhinasto.Grupi i programit mblidhet dhe studion politikat që LSI ka ndërmarrë në vite por edhe cila do të jenë politikat që do ndjekë në të ardhmen. Nuk kemi ende një draft përfundimtar për 2017, pasi ne po punojmë edhe duke marrë mendimet e qytetarëve. Edhe kjo garë, brenda LSI është një garë që vihet në funksion të programit që LSI do të ketë.Duke shkuar qark më qark, bashki më bashki, ne marrim mendimet e qytetarëve. Një parti politike që është e mbyllur, në rradhë të parë më bazën, pastaj me qytetarët nuk mund të hartojë një platformë poltike përsa i përket vendit. Ata që lidhen drejtëpërdrejtë me politikat që merr qeverisja, por edhe reformat, janë qytetarët.
Ende nuk ka diçka konkrete se cila do të jetë shtylla e programit, cila fushë do jetë prioritet?
Prioritet i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë dhe do të jetë bujqësia. Ka një rritje të prodhimit bujqësor vendas dhe një zhvillim në këtë raport.Bujqësia ka qenë dhe do të jetë, pjesa kryesore e programit, sepse ka të bëjë drejtëpërdrejtë me zhvillimi ekonomik të shqiptarëve.Do të jetë rinia patjetër, pasi ne jemi një parti që fokusohemi tek të rinjtë. Tek ajo rini që është e angazhuar në vendimarrje, dhe jo thjesht si pjesë përbërëse e strukturave tona, për të hartuar poltika që shërbejnë në rritjen e mirëqënies, rritjen e arsimimit.Edhe zhvillimet ekonomike janë pjesë e programit tonë. Duke iu rikthyer edhe njëherë bujqësisë, dua të falenderoj punën e madhe që ministri Panariti ka bërë, në investime por edhe mundësitë që u ka dhënë fermerëve shqiptarë, që janë të shumta në numër.
Disa javë më parë, LSI ka shpallur një tjetër fushatë anëtarësimi, për të afruar sërish qytetarët. Si po shkon ky proces?
LSI ka hapur prej muajsh një fushatë anëtarësimi. Ne nuk e kemi bërë publike,pasi nuk e pasur mesazhin tonë politik të fokusuar tek anëtarësimet.Por fushata e anëtarësimeve është një proces që vazhdon dhe i shërben partisë. Pasi prurjet e reja janë gjithmonë shumë të rëndësishme, na japin energji positive dhe frymë te rë në parti. Kjo fushtë po shkon mirë, është e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë dhe do të vazhdojë deri në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne e vlerësojmë shumë një person i cili merr teserën e LSI sepse kjo është shprehje e kontributit që ky person do të japë në parti. Kryesia e LSI –së, është e deleguar në të gjithë vendin.Delegatët kanë marrë porosi për të zbatuar me përpikmëri, statutin dhe procest zgjedhore teknike, po ajo çka është më rëndësishme është që ky delegimi struktuarave na sjellë një rifreskim dhe hapje. Fokusi jonë ngelen familjet e thjeshta shqiptare, familje që kanë kontribut dhe kanë një të kaluar, ku pas vështirësish ekonomike, ja kanë dalë të jetojnë dhe punojnë në vendin tonë.Këto familje kanë nevojë për përkrahje maksimale, dhe ne duhet të jemi më prezente tek ata. Si politikanë shumë gjëra ndoshta nuk i kemi në dorë për ti bërë, por mund të jemi bashkëpunues, të përgjegjshëm, gjithëpërfshirës, duke degjuar opinionet dhe shqetësimet e tyre, për ti pasqyruar më vonë në strukturat tona.
Pak kohë më parë,në një moment kritik për maturantët dy nga deputetet e Lëvizjes Socialiste për Integrim sollën një propozim konkret për të eleminuar deri diku rrëmujën e pranimit në universitete. Si erdhi kjo nismë, dhe si e shikoni reflektimin e ministrisë së arsimit, për të implementuar propozimin tuaj?
Ne i kemi përsjellë shqetësimet tona edhe gjatë kohës, që ky ligj diskutohej në komisonet parlamentare, nëpërmjet dy deputetëve tanë, zotit Luan Rama dhe Kejdi Mehmetaj. Ajo që ishte thelbi i maturës ishte transparenca dhe dialogu. Nëse ne do ishim më të kujdeshëm përsa i përket transparencës dhe dialogut, ne sot do të kishim një proces të maturës shtetërore më të përgjegjshëm dhe një proces që do ti orientonte qartë maturantët, të cilët nuk kishin informacionet e duhura për këtë proces. Me propozimet e LSI, gjërat po shkojnë mirë dhe maturantët po shkojnë në drejtimin e tyre në bazë të sistemit meritë preferencë, por ne jemi gjithmonë të vëmendshëm në ndjekje të kësaj situate. Kjo situatë është një reflektim për gjithë politikën për të qënë më të kujdeshëm në raport me qytetarët, pasi poltikat që ne ndërmarrim, duhet të jenë të mirëstudiuara dhe ti shërbejnë procesit.
Ligji për importin e plehrave, prodhoi një debat të ashpër në opinionin publik. Si i shikoni shqetësimet e shoqërisë civile dhe mendoni se ata do mund të kontrollojnë importin 100% ashtu siç është kërkuar nga ju?
Ne e përkrahim shoqërinë civile dhe mendojmë që shoqëria civile ka gjithë kapacitetin e nevojshëm që të kryejë këtë proces. Jemi në mbështetje të shoqërisë civile, jo vetëm për ligjin e mbetjeve por të gjitha ligjet dhe politikat që ndërmarrim. Konsulta publike, hapja e një debati me shoqërinë civile, nuk bën gjë tjetër vetëm e përmirëson ligjin dhe vendimarrjen.
Si i komentoi deklaratat e disa deputetëve socialistë që e lidhin figurën e Ilir Metës, me atë të presidentit të ardhshëm?
Unë mendoj se zoti Meta ka ende punë për të bërë si kryetar parlamenti, ka akoma kohë për të çuar përpara reformat dhe për të qënë garant i bashkëpunimit. Mendoj se është ende herët të flitet për presidentit e vendit, kur kemi një president në detyrë.
Duke qenë prezent në Këshillin bashkiak,cfarë kanë bërë anëtarët e LSI –së, për të lehtësuar jetën në Tiranë dhe sidomos, një nga problemet kryesore, trafikun?
Ne kemi ndërmarrë shumë nisma në bashkinë e Tiranës.Në ditët në vazhdim do të kemi edhe e një bilanc të punës sonë në bashki si anëtarë,por nisma e fundit janë dy shkresa zyrtare që ne i kemi dërguar bashkisë përsa i përket sheshit në qendër të qytetit. I kemi dërguar një shkresë në datën 9 maj ku pas një konsulte publike, me përfaqësues të shoqërisë civile, me arkitektë dhe urbanistë, kërkonim informacion për projektin. Nuk na është kthyer kjo përgjigje. I kemi dërguar një shkresë të dytë për këtë çështje për të bërë transparente fazat e zhvillimit të bllokimit të sheshit, por mbi të gjitha për të sistemuar trafikun në Tiranë. Gjykoj, si anëtar i këshillit bashkiak, por shpreh edhe vullnetin e qytetarëve të Tiranës, nuk kishte arsye përse të hapeshin disa fronte të tilla punimi dhe të bllokohej qarkullimi në Tiranë. Mund të vendosej të mbylleshin punimet për unazën e Vogël dhe pastaj të fillonin punimet në sheshin Skënderbej me qëllim që trafiku mos të bllokohej. Unë e kuptoj që zhvillimi i qytetit kërkon sakrifica por kjo është një sakrificë e tepërt që po kalon Tirana. Kjo rëndon edhe zhvillimin ekonomik, pasi gjithë aktiviteti lidhës i Tiranës është sheshi Skënderbej.Prandaj mendoj se ndërhyrje të tilla duhet të jenë të mirëmenduara që mos të rëndojnë zhvillimin ekonomik të qytetit. Nëse punimet vazhdojnë me aftatet e përcaktuara, do të thotë që 12 muaj do të kemi të njëjtin trafik në Tiranë, të njëjtin problematikë, pasi pengon lëvizjen e qytetit. Pjesë e shkresë sonë ka qenë edhe disa paqartësi që ne kemi për këtë plan, pasi ne mendojmë se Unaza e Vogël nuk është zgjidhja përfundimtare për trafikun.