Deputetët Asllan Dogjani dhe Roland Keta vizituan dje repartin e Toksikologjisë në QSUT, ku po trajtohen nxënëset që patën problem shëndetësore dje në një shkollë në Paskuqan, ku PD-ja thotë se janë helmuar nga tymi i hashashit
Në mesditën e ditës së djeshme në Paskuqan, 6 fëmijë të shkollës 9 vjeçare “Jashar Hoxha’ kanë përfunduar në spital. Nxënëset nuk janë ndjerë mirë duke shfaqur shenja debulese dhe të vjella, ndërsa nga të dhënat paraprake gjendja e tyre ka ardhur si pasojë e aromës së një kimikati të përdorur për pastrim. Ato u trajtuan në repartin e Toksikologjisë në QSUT, ku mjekët përjashtuan çdo rrezik për jetën. Fillimisht u dyshua se problemet e nxënësve mund të kishin ardhur si pasojë e përdorimit të kanabis, por kjo mohohet nga drejtoresha e shkollës.“Unë kam lajmëruar policinë. Nga kontrolli nuk rezultoi se ishte përdorur apo u gjet drogë. Nuk kam informacion që nxënësit të përdorin drogë. Dyshojmë të jetë shkaktuar nga detergjenti dhe aroma e rëndë në ajër”, deklaron Albana Imeraj. Shkolla “Jashar Hoxha”, sipas stafit pedagogjik është në gjendje të amortizuar si pasojë e mos investimeve për mirëmbajtjen e saj nga ana e Bashkisë së Kamzës. Ngjarja shkaktoi edhe debate në Parlament. Deputetët demokratë Asllan Dogjani dhe Flamur Noka u shprehën se nxënësit janë helmuar me hashash, duke iu referuar dëshmitarëve në shkollë.
Deklarata e policisë
Ndërsa sipas policisë së Tiranës e cila dha detaje për ngjarjen që ndodhi dje në shkollën 9 vjeçare në “Jashar Hoxha’ ku mbetën të helmuar 4 nxënës. Sipas njoftimit zyrtar ka qenë drejtoresha e shkollës ajo që ka telefonuar në numrin e emergjencave 112, duke thënë se 4 fëmijë në shkollë kanë pasur probleme shëndetësore. Menjëherë në shkollë është dërguar grupi hetimor, ku drejtoresha e kësaj shkolle ka pretenduar se mos ka patur lëndë narkotike një nga nxënësit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 5, kanë kontrolluar të gjithë shkollën, nga ku ka rezultuar se në shkollë nuk është konstatuar asnjë lëndë e dyshuar narkotike. Nga kontrolli i imtësishëm dhe aroma e ndierë nga shërbimet dyshohet se aroma ka qenë kimikat (në formë të gaztë) që përdoret për pastrim. Nxënësit të cilët kanë shfaqur probleme me shëndetin, kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spital. Sipas deklaratave të tyre aroma ka qenë shumë e forte.
Reagimi i Mjekut
Nga deklarimi i mjekut të Spitalit, figuron se këto shqetësime nuk kanë ardhur si pasojë e aromës së ndonjë lëndë narkotike, por nga aroma e ndonjë kimikati të fortë. “Nga deklarimi i mjekut të Spitalit, figuron se këto shqetësime nuk kanë ardhur si pasojë e aromës së ndonjë lëndë narkotike por nga aroma e ndonjë kimikati të fortë”, thuhet në komunikatën zyrtare. Shërbimet e policisë po punojnë për evidentimin e llojit të kimikatit të futur në shkollë Ndërsa ende mbeten të paqarta shkaqet e helmimit të 4 nxënësve të klasës së shtatë në shkollën “Jashar Hoxha” të Paskuqanit, dje kanë folur dhe prindërit e nxënësve.
Prindërit
Babai i njërës prej nxënëseve të helmuara deklaroi se e bija fillimisht ishte ankuar për marrje mendsh. “Nuk qëndronte dot në këmbë, s’e di nga se është helmuar. Fillimisht na thanë që era erdhi nga laboratori i Kimisë. Më pas na thanë që era erdhi nga acidet apo dhe nga droga. Nuk e di saktë nga se është helmuar”, tha ai.
Reagimi i MAS
Ministria e Arsimit dhe sportit, Lindita Nikolla ka konfirmuar incidentin që ka ndodhur në shkollën “Jashar Hoxha” në Paskuqan ku kanë mbetur të helmuara 6 nxënëse. “Drejtoria e Shkollës ka informuar organet kompetente. 3 vajza kanë marrë sëmurim dhe kanë dalë, tre të tjera janë duke marrë serum. Jemi në kontakt me spitalin ushtarak. 6 vajza për shkak të rrjedhjes së gazit në shkollë. S`ka asnjë të helmuar me grogë”, tha Nikolla. Ndërkohë që para fjalës së ministres deputeti i PD-së, Asllan Dogjani tha se nxënësit janë helmuar nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Debati në Parlament
Por kjo çështje u bë menjëherë temë debati dhe akuzash në Parlament, ku po zhvillohet seanca plenare e së enjtes. Deputeti demokrat i zonës, Asllan Dogjani, ishte i pari që hodhi pretendimin se nxënëset ishin helmuar nga thithja e tymit të lëndëve narkotike. Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha menjëherë më pas se shkak i helmimit ishte bërë rrjedhja e një gazi. Edhe ish-kryeministri Berisha u përfshi në debat. Ai tha se një prind i kishte çuar një mesazh në të cilin thuhej se shkak i helmimit ishte djegia e bimëve narkotike brenda territorit të shkollës. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, e hodhi poshtë këtë pretendim, duke u shprehur se mjekët kanë thënë se te nxënësit nuk ka shenja helmimi dhe pretendimet e opozitës janë tërësisht të pavërteta. Ndërsa sipas një njoftimi të policisë lidhur me këtë ngjarje, shkak për helmimin e nxënëseve është bërë një kimikat në gjendje të gaztë që përdoret për pastrim. Në njoftimin e policisë përmendet fakti se lidhur me këtë rast, drejtoresha e shkollës ka pretenduar se një nga nxënësit ka pasur lëndë narkotike. Por pas verifikimeve, policia thotë se shkaktari ka rezultuar kimikati i gaztë, për evidentimin e të cilit po punohet.
PD: Droga ka mbërthyer dhe shkollat
Deputetët Asllan Dogjani dhe Roland Keta vizituan dje repartin e Toksikologjisë në QSUT, ku po trajtohen nxënëset që patën problem shëndetësore dje në një shkollë në Paskuqan, ku PD-ja thotë se janë helmuar nga tymi i hashashit. Megjithëse policia në versionin e saj tha se nxënësit mund të jenë helmuar nga një lëndë që përdoret për pastrimin e shkollës, deputeti Dogjani tha se këto janë pasojat e drogës, e kanabizimit të vendit. “Ne jemi të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve sepse ata ishin të moshës shumë të vogël, 11, 12 vjeç. Pashe që erdhën edhe persona me uniforma të policisë të cilët në mënyrë të kundraligjshme po kontaktonin me ta. Në fund të fundit të kontaktosh me një fëmijë duhet psikologu dhe prindi pranë. Nuk e kuptoj se çfarë duhet të fshehë shteti me këtë mënyrë që vjen për të kontaktuar me fëmijët. Na shpjeguan prindërit e tyre, se që në 8 të mëngjesit, sapo janë futur në shkollë, nga era, ka filluar t’u bjerë fëmijëve të fikët dhe kanë ardhur disa ambulanca duke i dërguar disa fëmijë në spitale private. Nuk janë vetëm këto 6 vajza këtu. Janë edhe fëmijë të tjerë që janë në spitale private. Ajo që kuptuam, shenjat që shpjeguan edhe vetë prindërit bashkë me fëmijët, kishin djegie sysh, lot dhe erë e rëndë, pra shenja që jepen për shkak të përdorimit të drogave të përdorura nga të tjerë në klasë. Nga informacionet që kemi, disa nxënës të tjerë kanë përdorur drogë. Këtë e ka shprehur edhe drejtori i shkollës me disa prindër dhe nga përdorimi i drogës nga disa persona të tjerë fëmijëve ka filluar tu bjerë të fikët një e nga një dhe kanë përfunduar në spital. Kjo ka ndodhur që në 8.30 të mëngjesit dhe është kuptuar tani. Pra janë munduar ta fshehin. I kanë dërguar si fillim në pediatri, më pas këtu. E rëndësishme është që gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ne komunikuam edhe me mjekun, pra janë jashtë rrezikut. Problemi i madh është se droga po përdoret jo vetëm në këtë shkollë por në të gjitha shkollat, sepse nga masivizimi i bimës narkotike, nxënësit e klasës së tetë mashtrohen. Sepse po të hyjmë në psikologjinë e tyre e gjejnë më lehtë. Eshtë një problem shumë i madh. Mjekët kanë bërë disa analiza, por rezultati i analizave të drogës nuk mund të dalë vetëm se ka ndjerë erën. Nga informacionet që kemi nga nxënësit, dikush tjetër ka përdorur drogën atje. Për shkak të erës u ka rënë të fikët një e nga një. Ministria e Arsimit duhet të marrë masa sepse kjo është e tmerrshme. Ne kemi të gjithë fëmijë. Fëmijë të moshës 12 vjeç të jenë në kontakt me drogën, me përdorues të drogës në shkolla, kjo është dramatike. Kjo është situata, nuk luftohet droga duke mos qenë transparentë. Droga luftohet duke qenë transparentë e duke u bërë bashkë për ta luftuar, e jo duke e fshehur. Ne kemi rastin dje më keq se në ‘97, ku prokurori i Burrelit ndalohet nga bandat kriminale në rrugë se kishte informacion se po kultivohej drogë në fshatin Myz, ashtu siç u kap 10 ton në Vlorë, në Itali dhe këta thonë që nuk ka drogë. Shumë të rinj kanë përfunduar në këto spitale dhe shumë prindër vuajnë me fëmijët e tyre. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit dhe të gjithë qeverisë, të marrë masa, përndryshe situata po del jashtë kontrollit”, u shpreh Dogjani. Ndërsa nga ana tjetër Deputeti Roland Keta ka kërkuar hetim të rastit. “Në repartin e urgjencës janë shtruar 5 fëmijë. Klinikisht janë mirë. Shenjat klinike kanë qenë me dhimbje koke dhe gjendje lipotimie. Sigurisht që, si mjek, them se kur ka dhembje koke dhe gjendje lipotimie janë raste që duhen vëzhguar. Janë marrë të gjitha analizat. Janë marrë analizat toksikologjike, të presim përgjigjen e analizave. E rëndësishme është që në këtë moment gjendja klinike e fëmijëve është e mirë. Sigurisht që i bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme të gjejnë shkakun nga kanë ardhur dhembja e kokës dhe gjendja e lipotimisë. Duhet një hetim i rastit”, u shpreh Keta.