Konventa e Lëvizjes së Gruas për Integrim Gjirokastër, Kryemadhi: LSI do t’i çojë përpara vlerat

0
321
Lëvizja e Gruas për Integrim Gjirokastër zhvilloi Konventën e saj, ku u zgjodh dhe Kryetarja e re, Mirela Mamani.
Të pranishëm ishin deputetët, Vangjel Tavo, Monika Kryemadhi, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjoshaj, Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, si dhe Kryetari i LSI-së për Gjirokastrën, Krenar Kulla.
Në fjalën përshëndetëse, Ministrja e Integrimit dhe njëherësh Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha shprehu bindjen se suksesi i LSI-së do të vazhdojë edhe në 2017-n.
“Puna që ju keni bërë është shumë e madhe. Mos harrojmë që partitë politike nuk kanë qenë kaq të emancipuara ndaj vajzave. Në 2012-n ne arritëm që në të gjithë instancat tona të kishim 50 për qind gra dhe vajza. Ishte Lëvizja Socialiste për integrim e para forcë politike që mori flamurin për ta kërkuar këtë me forcë. Dhe ne e kemi bërë këtë me bindjen më të plotë se gratë dhe vajzat janë të emancipuara dhe se realisht kanë kapacitetet e duhura për të drejtuar vendin.
Shqipëria meriton të jetë pjesë e Europës së bashkuar sepse Gjirokastra meriton të jetë një qytet evropian. Jam e bindur se edhe kryetarja e bashkisë po punon çdo ditë për këtë”, nënvizoi Gjosha.
Deputetja Monika Kryemadhi vlerësoi se LSI do t’i çojë më përpara vlerat, sepse Shqipëria ka nevojë për një parti të vërtetë të majtë e cila përfshin dhe përfaqëson shtresat e mesme dhe atë shtresë që është shumica e popullit shqiptar.
“Politika ndonjëherë është shumë e egër, shumë e fortë, por ndonjëherë në momente të caktuara njeriu merr edhe vendime shumë të rëndësishme për jetën. Një nga ato vendime për mua ishte dhe krijimi i LSI-së, një parti e re me disa vlera që ne mendojmë dhe besojmë se LSI duke pasur si bashkëformuese Lëvizjen Rinore për Integrim dhe Lëvizjen e Gruas për Integrim do t’i çojë më tutje. Do t’i çojë më tutje sepse Shqipëria ka nevojë për një parti të vërtetë të majtë e cila përfshin dhe përfaqëson shtresat e mesme dhe atë shtresë që është shumica e popullit shqiptar. Ne kemi nevojë për një largim nga politika e konfliktit. Kemi nevojë për paqe shpirtërore me njëri-tjetrin sepse në fund të fundit, të gjithë provizor jemi në politikë, por e vetmja gjë që nuk është provizore është ky popull, këta njerëz , që e shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe besojnë se ky vend do të bëhet”, tha Kryemadhi.
Në fjalën përshëndetëse në këtë takim, deputeti i Qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, vlerësoi se roli i gruas është i rëndësishëm edhe në politikë, vendimmarrje dhe drejtim, për këtë arsye LGI është pjesë themeltare në misionin dhe aktivitetin politik të LSI.
“Pesha e madhe shoqërore dhe politike që ju mbani mbi supe meriton një respekt dhe konsideratë të veçantë. LSI, familja jonë e madhe politike, përmes LGI ka dëshmuar rolin jetik dhe rëndësinë e madhe që kanë gratë dhe vajzat në vendimmarrje, punësim, dhe zhvillimin e të gjithë sektorëve të vendit.
LSI e dëshmoi natyrën progresiste dhe frymën evropiane duke përfshirë kuotën prej 50% gra në listën e këshillave bashkiake në mbarë vendin si edhe përfaqësohet sot me dinjitet nga shumë zonja deputete në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Tavo.
Deputeti i LSI-së për zonën e Gjirokastrës tha se shumë gra e vajza punojnë sot në sektorët kyç të vendit, duke bërë një punë të shkëlqyer dhe duke kontribuar maksimalisht në zhvillimin e vendit, në shoqërinë dhe politikën tonë.
“Unë jam besimplotë që në sajë të kontributit tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LSI jo vetëm që do vazhdojë të jetë forcë e parë në rang qarku, por do e dyfishojë rezultatin e saj dhe do përfaqësohet me më shumë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.  Ne besojmë tek njerëzit e thjeshtë. Pa diskriminim gjinor, krahinor apo social, ndaj edhe njerëzit e thjeshtë besojnë tek LSI-ja”, theksoi Tavo.
Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës znj, Zamira Rami u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim ka sot katër herë më shumë anëtare se në 2013-n dhe se ndryshe nga tre vite më parë, ajo është më e madhe, më e fortë, më e konsoliduar.
“Ne kemi një elektorat të gjerë që na mbështet dhe na beson. Në këto vite jemi rritur ndjeshëm në numër, por njëherazi jemi shumë më të përgjegjshëm për përgjegjësitë dhe detyrat që ne kryejmë. Jemi më të forta për të përballuar sfidat dhe më të ndjeshme për të dëgjuar dhe zgjidhur problemet e komunitetit. Unë jam krenare që sëbashku me ju e kthyem LGI në një forum shumë aktiv ku diskutohen dhe dëgjohen mendimet, ku sillen ide, ku fryma e bashkëpunimit dhe dëshira për të bërë më të mirën kalon çdo problematikë”, tha Rami.
Kryetari i LSI-së për Gjirokastrën z, Krenar Kulla u shpreh se një parti matet se sa evropiane është nga përfshirja dhe hapësirat që ka gruaja në të. Z. Kulla vlerësoi se Lëvizja Socialiste për Integrim, jo vetëm që ka brenda vetes forumin politik më demokratik dhe më të konsoliduar të gruas në vend, por për shkak të frymës integruese që ka LGI, mbarë shoqëria shqiptare ka bërë hapa përpara në lidhje me rolin e gruas në politikë dhe shoqëri.
“Umbrella jonë e përbashkët, me emrin LSI, nuk ka qenë kurrë indiferente ndaj rolit që duhet të ketë gruaja, përkundrazi ato janë pjesë e rëndësishme e vendim-marrjes. Një përqindje e lartë e zonjave dhe vajzave janë pjesë e forumeve më të larta të partisë, por edhe në poste drejtuese të shtetit shqiptar, bashkive, në Kuvendin e Shqipërisë, etj. Në programin e LSI, zgjidhja e problemeve që hasin gratë dhe vajzat shqiptare, zë një vend të rëndësishëm në aksionin tonë politik. Për këtë arsye ju nxis të gjithave, motra të familjes sonë të madhe, të ndani me miqtë tuaj, fqinjët, kolegët dhe këdo që njihni, këtë të vërtetë – që LSI është e vetmja forcë politike e cila sjell zhvillim, integrim, më shumë shërbim për qytetarin, më shumë kujdes dhe vëmendje për zonat rurale, dhe garancia e vërtetë për një të ardhme më të mirë për Gjirokastrën dhe mbarë vendin”, tha z. Kulla, i cili shprehu bindjen se LSI dhe LGI Gjirokastër do punojnë së bashku për të arritur fitoren e ardhshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Pas zgjedhjes si Kryetare e re e Lëvizjes së Gruas për Integrim për Gjirokastrën, znj. Mirela Mamani shprehu angazhimin e saj maksimal për të punuar me qëllim përmbushjen e misionit për të qenë të suksesshme. “Jam e nderuar që nga sot do jem drejtuesja e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Gjirokastër. Një zgjedhje që më bën të ndihem e vlerësuar dhe krenare për rolin që mu besua. Por njëkohësisht shton përgjegjësinë në angazhimin tim personal në përmbushjen e misionit tonë të përbashkët. Ne jemi e vetmja forcë politike që kemi respektuar forcën e gruas. Duhet që të gjitha bashkë të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Për të qenë të suksesshme dhe për të përmbushur objektivat tona duhet të krijojmë mundësinë për të folur me njëra-tjetrën, për të shkëmbyer ide dhe mendime, për të thënë në sy, hapur shqetësimet, problemet dhe kërkesat që kemi.
Unë si drejtuese e sapozgjedhur e vlerësoj maksimalisht fjalën dhe mendimin e çdo njërës prej jush. Të gjitha bashkë, i japim zë kësaj strukture, të gjitha bashkë i shtojmë rëndësinë dhe i rrisim rolin brenda partisë”, tha Kryetarja e re e LGI-së për Gjirokastrën, Mirela Mamani.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency