Kush e ka fajin kur nuk të kupton askush?

0
330

Dr. Ndriçim Mehmeti

Në muajin e fundit kryeministri i vendit është qarë jo një por disa herë, se mendimet, vizonin, strategjinë, të ardhmen e “ndritur” të projektuar prej tij, nuk po arrin ta kuptojnë aq sa duhet, si duhet, siç do të duhet të ishte, siç duket dhe zhduket etj. Më konkretisht z. Rama pretendoi se maturant nuk e kishin kuptuar mirë as atë e as ministren e arsimit dhe prandaj ishte shkaktuara kaosi. Gjatë kësaj jave ai pretendoi se moskuptimit nga ana e popullit për të gjitha politikat e tij, ju shtuan edhe ngatërrestarët e përhershëm opozitar. Po kështu edhe për mbetjet a plehrat, siç i thonë rëndom, nuk ishte kuptuar mirë prej popullit.

Përpara pak vitesh edhe mbetjet edhe Matura sipas Ramës opozitar, po keqpërdoreshin nga pushteti për interesat e veta. Matura, sipas Ramës opozitar, “ishte e keqadministruar, linte vend për abuzivitet, i shërbente politikave të pushtetit, shitej etj.” Po kështu edhe për plehrat, sipas Ramës opozitar, mafia kërkonte të shtrinte ndikimin e saj në Shqipëri, kërkonte përfitime financiare, prandaj ai e anuloi ligjin mbi importin e mbetjeve. Po ashtu u anulua edhe matura dalëse-hyrëse dhe u bë vetëm dalëse. Kjo për faktin se Rama kryeministër, ishte i bindur se politikat e tij ishin dobiprurëse për popullin.

Po cili qe rezultati i këtyre vendimeve?

Kaos, zhurmë, sherrnajë sa në parlament, rrugë, studio televizive të ndezura nga debati për sa i takon pranimeve në universitete.  Nga njëra anë ishin të rinjtë të përlotur, të hutuar në ankth e të pashpresë, nga ana tjetër ngurtësia, ftohtësia si mur, e shoqëruar pa asnjë lloj ndjenje njerëzore, (pale më me pendese), arrogancë e pse jo edhe me hipokrizi e thyerje : “Nuk kemi faj ne që nuk e kuptoni reformën”. Madje nuk mungoi fakti që në ato ditë kaq të nxehta për të rinjtë, ministrja nënë, të kujdeset më shumë për sharmin e saj në veshje, sesa për të zgjidhur hallet e maturantëve. Parada e flokëve të krehura, sandalet me taka të holla të kombinuara me bluzën, kostum me kollaren e mëndafshtë dhe këpucë me lëkurë krokodili shëtisnin sa andej këndej, po maturantët, dëgjonin të njëjtin refren, nga goja e atyre që dukeshin më shumë në rolin e orakullit sesa në atë të shtetarit’ “Mos u mërzisni se në raundin e dytë do fitoni”!?. Por çështja e maturantëve u shua shumë shpejt. Nga zyrat e kryeministrit e jo nga dheu doli një tjetër problematikë e harruar prej tre vitesh: Ligji i mbetjeve. Krejt papritur populli i thjeshtë mësoi prej sejmenit të dikurshëm të Ramës në bashki, z. Shalsi, e tani si deputet, mazhordom i kryeministrit, se paskësh qenë vetë mazhordomi e jo zotëria e tij, që na kishte sjellë në tryezën e parlamentit ligjin e mbetjeve. Dhe këtë z. Shalsi e kishte “bërë krejt i pavarur”, për ekonominë e vendit, për begatinë e popullit, për të ardhura që do të vërshojnë si lumë, për më shumë vende pune etj, etj. Kur Shals mavrinë nuk e mori askush seriozisht, zotëria, dha urdhër që mazhordomi të strukej diku e doli vetë në shesh të mejdanit. Tha e ç’nuk tha, vetëm ai e mori vesh. Ajo që kuptuam fare mirë, është se edhe në rastin e pranimeve, kishte dy probleme “të mëdha” që nuk lidheshin fare me qeverinë: 1. Populli dhe shoqata ambientaliste nuk e kishin informacionin e duhur; 2. Opozita si gjithmonë është fajtore e dorës së parë, pasi kishte nxitur gjithë rrëmujën ndaj kësaj iniciative kaq frytdhënëse të qeverisë. Po mirë e ke ti more kryeministër efendi, po unë si popull i thjeshtë ca pyetje po më vërtiten në kokë: Kush e ka fajin se nuk jemi informuar mirë, ne apo ju si qeveri? Si ka mundësi që zotrote i kupton të gjitha, ndërsa ne të ngratët, mezi marrim vesh ndonjë llaf tek tuk, nga ata që na thua?

E në fund po pyes me gjithë zemër e shpirt: Kush e ka fajin kur nuk të kupton askush?

Sipas teje e shpurës që të shoqëron, doemos që fajin ka populli. Nuk ka diskutim se nivelin e lartë iluminues të kulturës që zotëron, dijeve në fushën e shkencës, teknologjisë, mjekësisë e në mënyrë të veçantë të financës e ekonomisë, ky popull as që mund të arrij në majë të thoit. Prandaj ke të drejtë lur flet për “keq informim, dezinformim, opozita që nuk merr vesh e është e prapambetur”. Po në fund të fundit po të ripyes: Kush e ka fajin kur nuk të kupton askush? A thua vallë 40 mijë e kusur maturant të kenë qëlluar (ndjesë për termin) “budallenj e të trashë”, e t’i që i mirë punët e Dovletit, nuk të kuptojnë dot. Po prindërit e tyre një pjesë mësues, doktor, inxhinierë, arkitektë, avokat e gjyqtar, prapë nuk kuptojnë dot procedurën që përcakton të ardhmen e fëmijëve të tyre? Si është e mundur që ministrja dhe nja dy veta i dinë këto punët e maturantëve dhe ata që duhet të përgjigjen si specialistë të administratës që paguhen me taksat tona, nuk dihet se ku janë strukur?  Si ka mundësi që një kryeministër i një vendi që pretendon se është demokratik, shenjon të ardhmen e të rinjve, pa i pyetur fare dhe pa marrë në konsideratë arritjet e tyre? Madje nuk ngurron të ndajë të rinjtë në ekslentë e sherrxhinj, që dinë dhe nuk dinë, që i ngatërrojnë partitë politike dhe që e dinë se ku do shkojnë. Nëpërmjet skenarit të përgatitur nga kryeministri, të rinjtë që kanë fituar u tregojnë të tjerëve sesi bëhen fitues, pasi ata që kanë fituar “plot bujari” do t’ia lenë vendin atyre që presin në radhë. Si mundf të tallet një kryeministër me të rinjtë në një mënyrë të tillë? Edhe për mbetjet ishin shoqatat e mbrojtjes së mjedisit që nuk e m kishin kuptuar “të urtin Rama”. Si edhe në raste e tjera ai zgjedh të sqaroj popullin nga kryeministria. Nga salla e sqarimit në kryeministri (që mund të quhet fare mirë edhe salla e mashtrimit) hodhi një lum akuzash për opozitën e të painformuarit dhe mburri veten se kishte arritur sukses të rëndësishëm. Madje për të na bërë të mendojmë se mbetjet do t’i thonë tutje fukarrallëkut, na kishte marrë me vete dy nga specialistët më të mirë të fushave respektive: Lefter Kokën për mjedisin dhe Ben Ahmetjan për ekonominë dhe financën.

Prandaj ka të drejtë z. Rama kur mendon se populli nuk e kupton. Beni e Teri vështirë se e dinë për çfarë flet ligji dhe impakti i tij në ekonomi, Linda (jo Rama) po aq nuk e kupton mirë reformën e arsimit të lartë, pasi e kanë bërë të tjerë, kështu që kryeministri është i fundit nga radha e atyre që nuk kuptojë dhe flasin e mbrojnë atë që nuk kuptojnë. Tani këtyre shtetarëve ju mbetet të ndërrojnë popullin, që nuk i kupton, pasi vetë kanë një vizion “shumë më avangard” se populli. Kështu që edhe pyetja: Kush e ka fajin kur nuk të kupton askush, merr vetiu përgjigje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency